Home / Ekonomia / “Shantazh ndaj prodhimeve” përplasja Kosovë-Shqipëri për një kompani

“Shantazh ndaj prodhimeve” përplasja Kosovë-Shqipëri për një kompani

 Nga Prishtina, Fatos Shala

Ejup Ahmeti, pronar i pikës së eksporteve “Doni Fruits”,  pas një reagimi të bërë në Facebook ka ngjallur përplasjen mes Kosovës dhe Shqipërisë lidhur me ndryshimin e Paketës Fiskale 2022 në fushën e bujqësisë.

Ahmeti, gjatë ditës së diel, ka dalë haptas pro një proteste paqësore, që sipas tij ka për qëllim sensibilizimin e Qeverisë dhe Opinionin Publik, për ndryshim të paketës fiskale.

“Të bashkohemi të gjithë së bashku dhe të kërkojmë që në miratimin e Paketës Fiskale të merren në konsideratë gjashtë kërkesat e dërguara nga Shoqata e Eksportuesve të Fruta Perimeve, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar dhe Sindikata e Fermerëve të Bashkuar. Duhet të kuptojmë që pjesëmarrja në këtë protestë është shumë e rëndësishme për grupet e interesit, të protestosh në mënyrë paqësore për të drejtat e tua, për të drejtat tona të përbashkëta”, kishte shkruar Ahmeti.

Ndaj këtij postimi ka reaguar deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe.

Braçe ka thënë se Qeveria e Shqipërisë ia ka ndërtuar pikën e eksporteve Ahmetit dhe se është përfituesi më i madh i tatimeve për bujkun.

“Ejupi ka pikën më të madhe të eksporteve në Lushnje, ia bëri Qeveria – kjo Qeveri (afër 100 milionë lekë të reja, plus rrugën nga FSHZH, plus linjë të dedikuar për energjinë nga OSHEE, plus linjë të dedikuar uji nga UK Lushnje); Ejupi është një nga përfituesit më të mëdhenj nga TVSH për bujkun (sipas shifrave nga tatimet); dhe Ejupi është një nga përfituesit më të mëdhenj nga çmimet dhe trajektorja e tyre (sipas shifrave nga doganat)”, ka reaguar Braçe.

Mirëpo, për përfaqësuesit e biznesit në Kosovë, ky reagim po cilësohet si shantazh ndaj bizneseve nga Kosova që veprojnë në Shqipëri.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama që të ndërmarrë veprime ndaj deputetit Braçe.

Sipas Rukiqit, Braçe po përdor gjuhë shantazhuese ndaj kompanisë “Doni Fruits”, e cila sipas tij ka shënuar sukses në Kosovë por edhe në rajon, duke e cilësuar gjithçka si shantazh të ish-zëvendëskryeministrit.

“Doni Fruits është tregim suksesi në Kosove dhe rajon, ndër kompanitë e rralla nga Kosova me sukses në Shqipëri. Mijëra fermerë në Kosovë dhe Shqipëri janë përfitues direkt nga puna e palodhshme e Doni Fruits, me qendrat e grumbullimit të frutave dhe perimeve në këto dy vende. Në ditët e fundit, aktiviteti i kësaj kompanie në Shqipëri, po rrezikohet seriozisht, nga sulmet dhe gjuha shantazhuese e deputetit Erion Braçe”, thuhet në reagimin e Rukiqit.

Ai ka thënë se në cilësinë e Kryetarit te Odes Ekonomike të Kosovës,  i benë apel edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, te adresoj ketë çështje te autoritetet relevante në Shqipëri.

Leave a Reply

%d bloggers like this: