Home / Ekonomia / Kuvendi miraton me 77 vota pro buxhetin e vitit 2022: Paga minimale, paketa fiskale, aksizat, taksa kombëtare

Kuvendi miraton me 77 vota pro buxhetin e vitit 2022: Paga minimale, paketa fiskale, aksizat, taksa kombëtare

Pas një muaji diskutime në komisionet parlamentare, Kuvendi këtë të enjte miratoi me 77 vota pro dhe 46 kunder, buxhetin e vitit 2022. Propozimet e qeverisë për këtë buxhet dhe paketën fiskale kanë prodhuar jo pak debate.

Në seancën plenare të sotme, përballë vullnetit të mazhorancës kanë ardhur disa kërkesa për amendime nga ana e deputetëve.

Seanca plenare për miratimin nen për nen nisi me kundërshtitë e fermerëve. Të mbledhur para Parlamentit ata kërkuan që paketa fiskale të mos miratohet.

Për t’i dëgjuar shkoi vetë kryeministri Rama. Pas takimit fermerët thanë se ranë dakord me kreun e qeverise vetëm për t’u ulur në bisedime.

Propozimet për paketën fiskale të ish-zv/kryeministrit Erion Braçe nuk gjetën mbështetje as nga vetë socialistët në Kuvend.

Amendamentet e tij të dorëzuara me disa ndryshime në paketën fiskale, morën vetëm 10 vota pro. Mazhoranca dhe opozita ka pranuar vetëm amendimin e Taulant Ballës për shtimin e fondit prej 60 milionë lekësh për KPA-në.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, tha se kërkesa ka ardhur nga vetë KPA, por edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) për të rritur kapacitetet e burimeve njerëzore dhe për të përshpejtuar punën e KPA.

Edhe propozimet e tjera të mbërritura nga Petrit Vasili nga LSI si edhe Alfred Rushaj dhe Bujar Leskaj nga PD u hodhën poshtë.

Nga foltorja e Kuvendit, Braçe tha se me këtë paketë të prezantuar nga qeveria është goditur më i dobëti duke kërkuar të hiqet favorizimi TVSH-së për hotelet me 5 yje, pasi sipas tij mjafton favori që iu është bërë me lejimin e kazinove.

Projektbuxheti parashikon rritje të pagesës së papunësisë, dyfishimin e ndihmës ekonomike për 15 mijë familje në vend si dhe trefishimin e ndihmës për familjet në nevojë me 3 fëmijë.

Po ashtu do të rriten pagat me 6% për bluzat e bardha dhe arsimtarët, rritje me 7% për pagat e Gardës së Republikës, si dhe rritje me 30% për personelin e forcave të armatosura.

Paga minimale– ajo do të arrijë në 32 mijë lekë brenda 2022, ndërkohë që për pensionet do të ketë vetëm indeksim sa vlera e inflacionit si dhe do të jepet bonus 5 mijë lekë në fundvit.

Paketa fiskale- me votat e mazhorancës u miratuan 4 projektligjet, dhe ndryshimet kryesore ishin tek bujqësia, ku u hoq rimbursimi për fermerët dhe u vendos taksë 10% për inputet.

Taksimi progresiv mbi pagat– u ndryshua,  pagat deri në 40 mijë lekë nuk do të paguajnë tatim, pagat nga 50-200 mijë lekë do paguajnë 13% dhe pagat mbi 200 mijë lekë do të paguajnë 23%.

Projetkligji për akcizat– u vendos rritje e akcizës për cigaret, apo vendosja e taksës 6 lekë për çdo litër gaz nga korriku i 2022.

Taksat kombëtare- do vendoset taksë 40 lekë për litër për karburantin me të cilin furnizohen jahtet, si dhe taksë për qumështin pluhur dhe nën produktet e tij për të gjitha kompanitë që nuk e reflektojnë në etiketën e prodhimeve të tyre.

Leave a Reply

%d bloggers like this: