Kryeartikull

Shqiptarët nuk i rrëzojnë urat e Ballkanit

YLLI POLOVINA

Ylli PolovinaSimbolin e urave në gadishullin tonë, më shumë se në çdo hapësirë tjetër të kontinentit, nuk e ka krijuar patjetër prania e ujërave të lumenjve të shumtë ose relievi i thiktë, i cili shpesh nga maja e maleve i bën ato të zbresin furishëm drejt luginave apo deri në breg të detit. Ballkanasit vërtet kanë pasur nevojë mbijetimi për t’i ngritur fizikisht ato, madje edhe për t’i shumuar, por shndërrimi i urës në mesazh ndodhi për shkak të së kundërtës të funksionit të tyre: vesit të mbrapshtë për t’i prishur herë pas here.

Kështu Ura u bë në siujdhesën tonë mënyra më e drejtpërdrejtë për të shprehur komunikimin mes etnive ose ndërprerjen e tij.

Në vitin 2000, autori i këtyre radhëve ra në gjurmë të një historie krejt të veçantë. Pas përfundimit të ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për shpëtimin e vendit të tyre nga përdhuna e Millosheviçit, një luftëtar vullnetar tiranas i UÇK-së shkoi në Paris për t’u regjistruar në Legjionin e Huaj Francez, njësi e shumënjohur për cilësinë e saj profesionale. Gjatë tre muajve të qëndrimit, ku konkurroi, por nuk mundi të fitonte, ai takoi që në ditët e para një serb nga Beogradi. Edhe ky pati qenë, gjatë luftës së Kosovës, i rreshtuar ushtarakisht, doemos që me atdheun e vet. Djaloshi serb dëshironte edhe ai të regjistrohej në Legjion.

Të dy, krejt të së njëjtës moshë, gjatë betejës së vitit 1999 kishin qenë luftëtarë shumë të paepur, nga ata që ndeshen dhëmbë për dhëmbë.

Por në ata tre muaj u bënë mjaft miq. U ndanë po ashtu, duke u përqafuar dhe duke u puthur në faqe. Edhe me ndonjë pikë loti, madje.

Kjo histori që duket shumë romantike, e pati këtë përfundim sepse që të dy e kishin kuptuar se mes dy popujve, atij shqiptar dhe serb, pas mëvetësimit të Kosovës, vinte përfundimisht paqja dhe jo lufta, mirëkuptimi dhe jo mosmarrëveshja, hapja e kufijve dhe jo shtrëngimi i tyre, lëvizja e ndërsjellë dhe aspak pengimi, politika dhe jo propaganda. Ishte, me pak fjalë, koha e Urave Ballkanase që nuk duhej kurrë më të prisheshin e rrëzoheshin, as të mbylleshin qoftë edhe për një sekondë.

Koha është bërë për ta ndjekur hap pas hapi dhe jo për t’i mbetur pas.

Shqiptarët kanë virtyte dhe plot defekte, por një cilësi u ndrin: dëshira për zënë miq dhe respekti i thellë për ta. Shqiptarët janë po ashtu fqinj të mirë, i rrinë larg sherrit. Gjithnjë flasim për pjesën dërmuese të tyre, sepse gjithkund ka një pakicë që vepron ndryshe. Pas ngjarjeve të padëshiruara që ndodhën në Beograd, ku vetëm faj shqiptar nuk ka, për fat të keq edhe tek serbët është krijuar përshtypja se ultranacionalistët janë shumica e popullit të tyre dhe politika duhet të orientohet prej asaj trysnie.

Nuk besojmë se është kështu, por edhe në ndodhtë që ky është një realitet, pra politikanët edhe në këtë karakteristikë janë pasqyrë e popullit të vet, autori i këtij shkrimi me këtë rast merr më tepër argument për të dëshmuar se populli, të cilit i takon, është pikërisht miqësi e fqinjdashës.

Ja përse do të rrëfejë shkurtimisht pesë histori që lidhen me pesë nga politikanët dhe qeverisësit e tij kryesorë të pas vitit 1990: Fatos Nano, Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama dhe Bujar Nishani.

Takimi i parë i një kryeministri të Tiranës me atë të Beogradit, që pas atij të Enver Hoxhës dhe Josip Broz Titos në 1946, u krye nga Fatos Nano më 3 nëntor 1997 në Samitin e Kretës. Në qytetin Iraklio qenë mbledhur kryetarët e shteteve dhe ministrat e Jashtëm të Europës Juglindore. Paskal Milo do ta rrëfente këtë ngjarje më pas në një libër të tij, po ashtu autorit të këtyre radhëve do t’ia dëshmonte me mjaft detaje edhe Pëllumb Xhufi, ato kohë funksionar i lartë i Shërbimit të Jashtëm Shqiptar.

Millosheviçi, në krye të një vendi nën sanksione ndërkombëtare, një muaj më pas kishte zgjedhjet presidenciale. Nano sapo pati marrë në qeverisje një vend të dëmtuar rëndë nga trazirat e brendshme. Propozimin për një takim të të dyve e bëri pala jugosllave. Tirana ra dakord pas një këshillimi me faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Objektivi i palës sonë: hapja e Kosovës për të lëvizur lirshëm në të dyja anët e kufirit me Shqipërinë dhe mbrojtja e të drejtave të saj.

Sllobodan Millosheviçi qe në kahe të kundërt: nuk dëshironte aspak të diskutohej tema e Kosovës dhe për katër herë rresht e refuzoi kushtin që i vuri Nano. Herën e pestë u dorëzua. Takimi kokë më kokë, i cili menjëherë më pas u nëpërgojua dhe djallëzua prej tejnacionalistëve tanë, do të vërtetonte më vonë se kishte qenë gjest harmonik në favor të dyfishtë të interesave kombëtare të shqiptarëve dhe të miqësisë ndërballkanase. Gjatë vitit 1999, “tradhtari Nano”, siç nuk ia kursyen nofkën për shkak të Kretës, do të kryente në ndihmë të Kosovës veprime për të cilat shumë do t’i binin gjoksit, por ai nuk u mburr dhe madje as foli kurrë.

Kur në qershor 2006, Kryeministri Sali Berisha bëri vizitën e tij të parë te bashkëkombësit tanë, pikërisht atje ku në shekuj ishte fryrë zjarri i mosmarrëveshjes dhe i fundit nxitës pati qenë me një fjalim ultranacionalist Sllobodan Millosheviçi, në Fushë-Kosovë, takoi edhe priftin serb Dragisha Jeremiç. Ky qe i kishës ortodokse të Shën Nikollës. Berisha e vizitoi këtë kishë për t’i shprehur miqësi e solidaritet. Radikalë shqiptarë vendas atë godinë të shenjtë në vitin 2004 e patën dëmtuar rëndë, deri edhe me një tentativë për vënie flake.

Në bisedë, Jeremiç i tha se ndihma financiare që pati marrë deri atëherë nga qendra e vet në Beograd qe ende e vogël dhe do të ishte shumë mirënjohës që t’i gëzohej edhe një kontributi të Tiranës. Sali Berisha ra dakord menjëherë dhe nuk kaloi një javë prej rikthimit në vendin e vet, kur një ekip i tërë nga Instituti i Monumenteve u nis për misionin e restaurimit. Punoi gjithë një ditë dhe të nesërmen, kur do ta vazhdonte e mbyllte vlerësimin teknik dhe financiar, i miri prift e miqësidashës Dragisha Jeremiç, pothuaj me lot në sy, u tha se kishte marrë urdhër nga eprorët e tij ta refuzonte atë ndihmë.

Për arsye të dikur një boceti libri më është dashur ta ndjek nga afër dhe të mbledh informacion për miqësinë e ngushtë të Ilir Metës me Zoran Xhinxhiç, Kryeministrin serb modern e liberal, properëndimor dhe me shpirt europian. Po të shkruhej do të qe një dëshmi tjetër, madje shumë mbresëlënëse, se sa hapësirë ka për respekt të sinqertë e bashkëpunim shkëlqyes midis dy popujve dhe vendeve. Kur Xhinxhiçit ia morën jetën ata që e urdhëruan dhe e ekzekutuan këtë krim politik (dhe në thelb antiserb), mes të tjerash kishin parasysh të shuanin edhe miqësinë e domosdoshme me shqiptarët.

Ca ditë të shkuara, në faqen e parë të një gazete pranë Partisë Demokratike, Edi Rama cilësohej si puthadorës i Beogradit. Mund t’i thuash se, pas atyre çfarë ngjanë në kryeqytetin serb, ta anulonte praninë e tij në një mjedis publik që nuk u tregua tolerant ose mund t’i bësh edhe çdo kritikë tjetër, por puthadorës është akuzë e padrejtë. Për arsye pune më është dashur që në vitin 1999 të ndjek (sepse erdhi në Romë), të gjitha deklaratat publike, si dhe intervistat e shkruara dhe televizive të Ramës në median italiane. Ende i ruaj në arkivin tim personal. Rrallë kam parë aq forcë këmbëngulëse dhe gjuhë argumentuese dhe bindëse, zjarr të brendshëm patriotizmi po ashtu, në mbrojtje të luftës çlirimtare të popullit kosovar.

Ndoshta ky shkrim do ta humbte masën e mjaftueshme të provave shqiptare për miqësi ndërballkanike, në rast se do të tregonim me hollësi edhe sjelljen e Presidentit Bujar Nishani gjatë vizitës së tij në Kosovë. Mes shumë veprimtarive, ai veçoi edhe njërën: takimin e posaçëm me pesë priftërinj serbë të Manastirit të Deçanit. Drejtoheshin nga Sava Janjiç, tip radikali.

Por e kaloi me ta shumë ngrohtësisht.

Të dy palët shkëmbyen miqësi, sepse pak muaj më parë të pesë priftërinjtë serbë kishin kryer një gjest të bukur dhe mirëkuptues: qenë bërë qytetarë të Kosovës.

Pra e kishin pranuar si shtet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button