Home / Kosova / Krasniqi: UEFA barazoi racizmin serb me dronin

Krasniqi: UEFA barazoi racizmin serb me dronin

krasniqi-uefa-barazoi-racizmin-serb-me-dronin_hdIsh- kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka reaguar pas vendimit të UEFA-së, duke thënë se është e rrezikshme për drejtësinë dhe demokracinë, vërja në baraspeshë të fashizmin e racizmin serb me një banderolë, duke shtuar se është pa drejtësi e madhe, mbase edhe krim.

Ai në një shkrim autorial ka folur edhe për gjenocidin serb, duke thënë se para pak vite, bota e ka parë pa syze gjenocidin serb. Kurse, sot ISIS-i është një formë e asaj fantazme serb, fantazmë që ka mobilizuar botën demokratike.

Ja shkrimi i plotë i Jakup Krasniqit:

Pas ndërprerjes se ndeshjes së futbollit, të zhvilluar mes Serbisë e Shqipërisë, të zhvilluar në stadiumin e Partizanit në Beograd, u tha se droni ka pasur mundësi të kishte edhe bombë. Ka mund të kishte, por nuk kishte bombë, kishte një flamur – simbol. Pra nuk ishte bombë e as bombardues, për të vrarë njerëz edhe pse edhe ketë e kemi parë dhe e shohim përditë në Globin tonë të vogël. Edhe nëse do të ishte e tillë, e ngritur nga ndonjë “terrorist” apo “grup terroristësh”, përgjegjësia nuk do të ishte e shqiptarëve në përgjithësi e as e Shqipërisë në veçanti, do të ishte e shtetit serb që nuk ka qenë vigjilent për të ndaluar një veprim të tillë, qoftë real apo i imagjinuar – përgjegjësia për siguri do të ishte e organizatorit dhe e askujt tjetër. Udhëheqësit serbë kot mundohen ta gjuajnë topin te Shqipëria apo të “Shqipëria ë Madhe” e cila edhe ashtu është krijesë e tyre, për ti arsyetuar politikat e tyre raciste ndaj shqiptarëve. Një veprimi i tillë, ndoshta i shkaktuar nga refuzimi që në ndeshje të kishte edhe tifozë shqiptarë, sido që të jetë, ishte një ide e mendjes së lirë, nga ata që u penguan të bënin tifozërinë aq shumë të dëshiruar për të mbështetur kombëtaren kuq e zi edhe në Beograd, pasi disa shqiptarë e kanë pikë të dobët Beogradin. Thjesht, ndoshta që e duan si qytet, por nuk duhet mohuar fakti, se ata që e duan qytetin e Beogradit, nuk janë të mbushur me helmin e tifozërisë serbe – shovinizmin. Unë që kam kaluar disa herë nëpër Beograd me pranga në duar (për bindje politike), nuk kam ndonjë vullnet për të parë atë qytet.

Mund të konstatohet se droni ka mundur të ketë edhe bombë, ai me gjithë atë ishte vetëm një flamur i bartur nga droni, nuk ishte avion bombardues e tmerrues, vrastar e shkatërrues, ani pse preku krenarinë e sëmur të kokave shterpe të rrugaçërisë serbe. Kjo është dëshmia më e mirë se autori i dronit shqiptar, ishte një tifoz i zjarrtë i ekipit kuq e zi dhe i cili nuk e kishte për qëllim të shkaktonte humbje të jetëve të njerëzve, thjesht duhet parë si një protestë, por jo më shumë. Autori i dronit edhe po të kapej nga policia serbe, është dashur të falënderohej pse e ka shfrytëzuar atë vetëm për të bërë tifozllëk. Kështu do të duhej të vepronte një vend demokratik e ligjor. Konsideroj se në rastin në fjalë,nuk ia ka vlejtur, që mendjet drejtuese të politikes shtetërore serbe dhe drejtuesit e lartë të sportit evropianë, madje edhe gazetarë evropianë, të udhëhiqen nga tifozëria e shfrenuar futbollistike serbe, e cila më shumë ka bërë politikë se tifozëri. Sido që ta trajtojmë dronin, veprimet e tifozërisë serbe, deklarimet plotë vrer të udhëheqësve shtetëror serbë dhe animi i disa qarqeve evropiane, në asnjë formë nuk mund të arsyetohen e as të hynë në arbitrin e arsyeshmërisë njerëzore, intelektuale e politike. Demet që i kanë shkaktuar ato veprime jo racionale, janë të pa riparueshme.

Nëse harta e “Shqipërisë së Madhe” e nxiti situatën pas minutës 42, çka e nxiti veprimet diskriminuese e raciste te tifozerisë serbe para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes nga tridhjetëmijë tifozët në prezencën e Presidentit serb e pastaj edhe nga zyrtarët më të lartë të shtetit serb – Serbisë? Është e rrezikshme për drejtësinë dhe demokracinë, vërja në baraspeshë, fashizmin e racizmin serb me një banderolë, qoftë ajo edhe e “Shqipërisë së Madhe”, është pa drejtësi e madhe, mbase edhe krim.

O njerëz të Evropës së Lirë e demokratike, koha moderne nuk sjellë vetëm veprime të arsyeshme, moderniteti gjithsesi është kohë e ideve të avancuara të mendjeve njerëzore, mos harroni, pjellja njerëzore, nëpër shekuj, se paku për mbi 2000 vjet, ka pjellë edhe monstrume të shumta mashtrimi e krimi!?. Botën e kanë sunduar dhe do ta sundojnë idetë (mendja) njerëzore jo muskujt që e sundojnë botën shtazore nëpër xhungla, jo rrugaçëria e as thirrjet raciste për therjen e zhdukjen e tjetrit deri sa të mos ekzistojnë më. Kështu duhej të ishte edhe deri tani në botën njerëzore, por fatkeqësisht nuk është kështu. Muskujt dalin në skenë, kur heshtin muzat! Tani është kohë e muzave. Hapuni udhë, se muzat nuk vrasin, ato krijojnë e ndërtojnë Botën e Re. Ato ua ndriçojnë rrugën njerëzve me ide progresive dhe humaniste. Natyrisht që, progresi e humanizmi nuk shkojnë pa liri, njerëzi e demokraci! Botës i duhet më shumë dije, liri, njerëzi, demokraci e drejtësi! Një fantazmë antinjerëzore po sillet shumë rreth nesh e në mesin tonë! Shqiptarizoma as ka qenë e as është fantazmë! Nacionalizmi ekstrem, i shfaqur si fashizëm e shovinizëm veç sa i ka ushqyer fanatizmat antinjerëzore. Para pak vite, bota e ka parë pa syze gjenocidin serb. ISIS-i është një formë e asaj fantazme sot, fantazmë që ka mobilizuar botën demokratike. Fantazmën e shovinizmit serb e kemi pasur fatin e hidhur që ta jetojmë e shikojmë në fund të shekullit XX. Atij zjarri nuk duhet t’i fryjnë nxitësit e asaj fantazme nga e cila janë prekur edhe vet, natyrisht në një formë më të lehtë. Jo me kot thuhet se “kërbaçi i ka dy anë”. Shpërfaqja ne disa qarqe, e fundamentalizmave kristiane apo islamiste, në mbrojtje te të vetëve, nuk është dhe nuk mund të jetë në frymën e vlerave euro-atlantike, të tolerancës, të lirisë se lëvizjes, të paqes dhe të partneritetit.

Kushdo që nuk mund ta pranoj pesë nomin: Dije-Liri-Demokraci-barazi e Drejtësi, le të shkoj në dreq të mallkuar. Kjo tokë nuk i duron çibanët e huaj, thoshin burrat e motit!

Leave a Reply

%d bloggers like this: