Ekonomia

Anastas Angjeli dhe Natasha Ahmetaj propozohen për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të BSH

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave i propozon Kuvendit Anastas Angjelin dhe Natasha Ahmetaj, si kandidatë për t’u votuar në detyrën e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Ndërkohë që Natasha Ahmetaj po kërkon një mandate të dytë në këtë post, Anastas Angjeli do të zëvendësojë Tonin Kolën. Mandati i dy prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë të zgjedhur në vitin 2014 përfundoi në dhjetor të 2021-shit.

Pranë Kuvendit të Shqipërisë u paraqitën 16 aplikime për dy vendet vakante, Pas seancave dëgjimore, dy kandidaturat që siguruan mbështetjen e numrit të nevojshëm të deputetëve rezultuan Natasha Ahmetaj dhe Anastas Angjeli.

16 aplikimet për dy vendet vakante ishin kandidatët: Natasha Ahmetaj, Anastas Angjeli, Senida Mesi, Marta Muço, Edvin Libohova, Indrit Banka, Elvin Meka, Mateo Spaho, Durim Kraja, Diana Dervishi, Altin Hoti, Rezarta Bitri, Emis Çerava, Manuela Tandini, Artur Mamadhaj, Blendi Sena dhe Onorina Jata.

Sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, kandidatët që certifikohen për plotësimin e kritereve ligjore dhe marrin mbështetjen e 28 deputetëve i propozohen Kuvendit për t’u votuar në seancë plenare. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë zgjidhen nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë dhe me votim të fshehtë.

Natasha Ahmetaj ka mbajtur në shtatë vitet e fundit edhe detyrën e zëvendësguvernatorit të dytë të Bankës së Shqipërisë, duke qenë një nga tre anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës me funksione ekzekutive dhe e punësuar me kohë të plotë në bankën qendrore. Para se të zgjidhej në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në 2014, znj.Ahmetaj ka mbajtur pozicione të larta drejtuese në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), ndërsa më herët ka ndjekur karrierën akademike si pedagoge në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Rizgjedhja e saj si anëtare me shumë të ngjarë nënkupton se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do ta mbështesë për të vijuar detyrën e zëvendësguvernatores së dytë.

Kandidati i dytë i propozuar, Anastas Angjeli, ka një përvojë prej më shumë se dy dekadash në funksione të larta poltike, si përfaqësues i Partisë Socialiste. Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në disa legjislatura, si ish-ministër i Financave, ish-ministër i Ekonomisë, dhe ish-ministër i Çështjeve Sociale. Anastas Angjeli ka gjithashtu një përvojë akademike si pedagog, drejtues i një universiteti privat dhe anëtar i Akademisë së Shkencave.

Në muajin fund të muajit janar të këtij viti, Kuvendoi votoi edhe propozimin e këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të rizgjedhur Gent Sejkon si anëtar të Këshillit Mbikëqyrës. Në muajin shkurt, me propozimin e Presidentit, Sejko u rizgjodh edhe për një mandat të dytë në detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Me votimin e dy anëtarëve të tjerë të propozuar sot nga Komisioni i Ekonomisë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të plotësohet me numrin e parashikuar ligjor, prej nëntë anëtarësh.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button