roze

Will Smith kërkon falje për shuplakën që i dha komikut Chris Rock në Oscar

Aktori Will Smith kërkoi falje për goditjen me shuplakë në fytyrë që i dha komikut dhe prezantuesit Chris Rock gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar.

“Dhuna në të gjitha format e saj është helmuese dhe shkatërruese. Sjellja ime në ndarjen e çmimeve Oscar mbrëmë ishte e papranueshme dhe e pafalshme”, tha Smith në një postim në Instagram të hënën.

“Shakatë në kurrizin tim janë pjesë e punës, por një shaka për gjendjen mjekësore të Jada-s ishte e tepërt për mua dhe reagova emocionalisht”, tha ai, duke iu referuar gruas së tij, aktores Jada Pinkett Smith.

“Dëshiroj të të kërkoj falje publike, Chris. Unë dola jashtë linjës dhe gabova. Jam i turpëruar dhe veprimet e mia nuk ishin tregues i burrit që dua të jem. Nuk ka vend për dhunë në një botë dashurie dhe mirësie”, ka shkruar ai.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit e dënoi më parë goditjen me shuplakë dhe tha se ka nisur zyrtarisht një shqyrtim zyrtar të incidentit “dhe do të hetojë veprimet dhe pasojat e mëtejshme në përputhje me aktet tona nënligjore, standardet e sjelljes dhe ligjin e Kalifornisë”.

Smith gjithashtu i kërkoi falje “Akademisë, producentëve të shfaqjes, të gjithë të pranishmëve dhe të gjithëve që e shikuan në mbarë botën”.

“Dëshiroj t’i kërkoj falje familjes Williams dhe familjes së filmit ‘King Richard’. Më vjen shumë keq që sjellja ime e ka njollosur atë që përndryshe ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm për të gjithë ne”, shtoi ai, duke iu referuar tenisteve Venus dhe Serena Williams, që luajnë me të në filmin “King Richard”.

Gjatë transmetimit, Rock bëri një shaka për gruan e Smith-it, Jada.

“Jada, të dua. G.I. Jane 2, mezi pres ta shikoj”, tha Rock në formë shakaje, duke iu referuar siç dukej prerjes së shkurtër të flokëve nga Pinkett Smith, sikurse qethja ushtarake e aktores Demi Moore në filmin “G.I. Jane”.

Smith më pas iu afrua skenës – që nuk u shfaq në transmetim, por u publikua menjëherë e pacensuruar përmes platformave online – dhe e goditi Rock-un në fytyrë me shuplakë.

Jada vuan nga një gjendje e quajtur “alopecia areata”, sëmundje që shfaqet kur sistemi imunitar i trupit sulmon folikulat e flokëve, duke shkaktuar rënie.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button