Kronika

Policia, masa për respektimin e rregullave të reja të qarkullimit rrugor në sheshin “Nënë Tereza”

banner_nene_tereza_lajm-660x344Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka marrë masa për zbatimin e Vendimit të Qeverisë Nr.682, datë 15.10.2014 dhe Urdhërit të përbashkët të Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministrit të Kulturës, për përcaktimin e rregullave të qarkullimit rrugor në Ansamblin Monument Kulture të aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës.

Kështu, sipas urdhërit të tre ministrave, ndalohet dhe kufizohet qarkullimi i automjeteve të të gjitha kategorive si dhe parkimi i automjeteve në zonat e sheshit “Nënë Tereza” dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pjesë e Ansamblit Monument Kulture të qendrës historike së Tiranës.

Gjithashtu, ndalohet qarkullimi i të gjitha kategorive të mjeteve të transportit në zonën përrreth sheshit “Nënë Tereza” nga ora 19:00 deri në orën 24:00.

Po ashtu, ndalohet pushimi dhë qëndrimi i të gjitha kategorive të mjeteve të transportit rrugor në zonën përrreth sheshit Nënë Tereza , me përjashtim të mjeteve të transportit publik të linjave urbane.

Ndalohet pushimi dhe qëndrim i i të gjitha kategorive të mjeteve të transportit rrugor duke filluar nga sheshi “Nënë Tereza”, përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri te ura e madhe Lanës, në kryqëzimin me Bulevardin “Bajram Curri”, me përjashtim të mjeteve të transportit publik të linjave urbane.

Urdhëri i përbashkët i tre Ministrave ngarkon Bashkinë e Tiranës të pajisë me sinjalistikë rrugore të nevojshme dhe të bëjë ndërhyrjet e nevojshme në sistemin semaforik për të përshtatur sinjalistikën ekzistuese sipas ndryshimeve të bëra.

Policia e Tiranës nga ana e saj thekson se, ka marrë të gjitha masat që deri në vendosjen e sinjalistikës së duhur nga ana e Bashkisë së Tiranës, zbatimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe Urdhërit të përbashkët të tre ministrave të realizohet dhe kontrollohet nga punonjësit e Komisariatit të Policisë Rrugore dhe shërbimeve të tjera të policisë së kryeqytetit.

Drejtoria e Policisë së Tiranës fton të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e zbatimit dhe respektimit të këtyre rregullave të reja të qarkullimit rrugor, që synojnë ta kthejnë aksin kryesor dhe qendrën historike të qytetit të Tiranës në një zonë pedonale në shërbim të banorëve dhe familjeve të kryeqytetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button