ArteKronika

Javët e Kulturës Ndërkombëtare nisin me Francën, Rama: Fillimi i një hapësire ndërveprimi me kulturat e tjera

Franca ka çelur mbrëmjen e djeshme Javën Ndërkombëtare të Kulturës, nismës më të re të ndërmarrë nga qeveria, “Shqipëria mikpret botën”, që do të krijojë çdo vit hapësira të reja njohjeje e komunikimi me vendet e me kulturat e tjera.

Në një mbrëmje gala të hapur për publikun uruan mirëseardhjen me artin e tyre, Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Trupa e Baletit Bashkëkohor, Grupi “Thunder Way” në Sinfo Rock, Kori i Bashkuar i TKOBAP Universitetit të Arteve dhe Liceut Artistik, etj.

Ceremoninë e përshëndeti online Clément Beaune, Sekretari francez i Shtetit, i cili falenderoi kryeministrin Rama për idenë dhe angazhimin e tij personal në këtë nismë.

Ndërsa kryeministri Rama, i cili ndoqi mbrëmjen së bashku me bashkëshorten e tij Linda Rama tha se “sonte është fillimi i një aventure të re kulturore, i një hapësire të re kulture ndërveprimi, dialogu, njohjeje, afrimi dhe patjetër edhe i një numri gjithnjë e më të madh urash ndërveprimi, të cilat në do të bëjmë çmos të krijojmë sa më shumë shanse për bashkëpunime të qëndrueshme në të ardhmen”.

“Është një program i cili do t’u japë mundësinë të gjithëve pavarësisht nga mosha, që nga fëmijët, të rejat, të rinjtë e deri tek gjyshërit dhe gjyshet që të mund të shijojnë aktivitete të natyrave nga më të ndryshmet në një mozaik të larmishëm vendesh, traditash dhe eksperiencash e natyrisht në këtë program ka një rëndësi jashtëzakonisht të veçantë krijimi i sa më shumë urave. Sa më shumë urave të njohjes, sa më shumë urave të eksperiencave nga më të ndryshmet, sa më shumë urave të bashkëpunimit sepse qëllimi nuk është thjesht që të konsumojmë aktivitete të cilat fillojnë dhe mbarojnë por që të krijojmë mundësi dhe të krijojmë shanse për krijuesit tanë, për aktivistët tanë social, për njerëzit tanë në të gjithë ato fusha që prek ky program, që pastaj të vazhdojnë me bashkëpunimet e tyre. A-ja e këtij bashkëpunimi është natyrisht  bashkëpunimi mes nesh, qeverisë, Ministrisë së Kulturës dhe përfaqësive diplomatike këtu në Shqipëri të cilat janë pararoja e gjithë kësaj pune të madhe sepse është vërtet një volum i madh pune organizative për t’i bërë të mundura këto javë”, tha Rama.

Ai shprehu bindjen se hap pas hapi do fillojë të ndizet edhe zjarri i konkurrencës mes vetë përfaqësive këtu,  ambasadorëve dhe ambasadoreve për të bërë sa më shumë prezent vendin e tyre e për të sjellë sa më shumë larmi në javët ndërkombëtare të kulturës.

Kryeministri tha se “programi synon të kthehet në një traditë dhe javët e kulturës së çdo vendi ne synojmë t’i kthejmë në javë fikse në mënyrë që qoftë vendi përkatës por qoftë dhe audienca këtu në Shqipëri, ta dijë se në filan datë dhe mes filan datave është java e një kulture të caktuar dhe siç mund ta keni parë nga programi, ky kalendar prek vende të Europës, prek vende jashtë Europës dhe prek praktikisht të gjithë ato vende që gjenden si të thuash në hartën e marrëdhënieve tona diplomatike e natyrisht patjetër të gjithë ato vende që duan që të jenë pjesë e kësaj serie javësh të kulturë”.

“Programi fillon me një sërë vendesh deri në fund të qershorit pastaj ndalet për dy muaj dhe rifillon në shtator për tu shtrirë më tutje edhe me vende të tjera në vitin e ardhshëm kështu që unë dua t’i siguroj të gjithë që ky sonte është fillimi i një aventure të re kulturore, i një hapësire të re kulture, ndërveprimi, dialogu, njohjeje, afrimi dhe patjetër edhe një numri gjithnjë e më të madh urash ndërveprimi në të cilat siç thashë më parë ne do bëjmë çmos që të krijojmë sa më shumë shanse për bashkëpunime të qëndrueshme në të ardhmen”, theksoi Kreu i Ekzekutivit.

“Franca është ajo që e hap këtë program, një koincidencë e bukur bën që sot ne të gjithë të jemi këtu pas një dit ë shënuar në historinë bashkëkohore të Francës me rikonfirmimin e presidentit Emmanuel Macron i cili është në të njëjtën kohë jo vetëm presidenti i Francës, por dhe një prej shtyllave mbajtëse të gjithë arkitekturës së bashkimit Europian e për këtë arsye sot ne jemi të gëzuar e të lehtësuar nga rezultati i djeshëm në Francë i cili natyrisht është një garanci dhe për perspektivën europiane të të gjithë rajonit tonë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë”, deklaroi Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button