Home / Kosova / Barnat e Serbisë futen ilegalisht në Kosovë

Barnat e Serbisë futen ilegalisht në Kosovë

barnat-e-serbis-euml-futen-ilegalisht-n-euml-kosov-euml_hdBarnat e Serbisë vazhdojnë të futen ilegalisht në tregun kosovar, falë kontrabanduesve të cilët përdorin rrugë dytësore që të fusin ilegalisht barnat në Kosovë.

Gjatë këtij viti, 70 farmaci në Kosovë, të cilat kanë poseduar barna ilegale janë ndëshkuar nga Agjensioni Kosovar për Produkte Medicinale.

Dogana e Kosovës gjatë këtij viti ka konfiskuar barna në vlerë prej 300 mijë euro.

E për Ministrinë e Shëndetësisë, problemi i kontrabandimit me barna po shkon duke u zvogëluar.

Dënimi më i lartë nga AKPM për farmacitë që nuk respektojnë ligjin është 1000 euro, kurse, për shkelje më të rënda çështja i kalohet gjykatës.

Jo rrallë herë në farmacitë e Kosovës mund të hasesh në barna ilegale e edhe mund të blesh secilën që e kërkon pa pasur ndonjë letër udhëzuese me vete, pa të cilën farmacisti është i obliguar që të mos i përgjigjet kërkesës së pacientit, përveç atyre barnave të lehta që lejohen të përdorën edhe pa rekomandim të mjekut.

Krahas kësaj, protagonistët institucional të përfshirë në këtë çështje, thonë se me daljen e vazhdueshme të inspektoratit në terren, problemi i barnave ilegale dhe vetëdijesimi i farmacistëve po shkon çdoherë e më shumë nga ana pozitive.

Pranvera Breznica, zëdhënëse për informim në AKPM, thotë për KosovaPress, se inspektorati i AKPM-së vepron çdo herë në rast se hasin në ndonjë shkelje.

Ajo tregon se prej janarit të këtij viti AKPM ka ndëshkuar 70 farmaci për parregullsi të tilla.

Sipas saj, po bëhet një përpjekje e madhe në këtë çështje që së paku një dukuri e tillë të zbehët.

Në Doganën e Kosovës thonë se një pjesë e madhe e barnave tentojnë të futen ilegalisht në Kosovë për t’i ikur licencimit nga AKPM.

Adriatik Stavileci, zyrtar për informim në Doganën e Kosovës, thotë për KosovaPress, se mallrat të cilat hyjnë në territorin e Kosovës duhet të kontrollohen, qoftë nga dogana ose edhe agjencionet përkatëse.

Ai përmendi aksionin e fundit në Pejë ku janë konfiskuar barna në një depo ilegale. Pjesa më e madhe e atyre barnave ishte nga Italia e Greqia të cilat janë futur nëpër rrugë dytësore e janë grumbulluar në një vend të caktuar.

Krahas kësaj, në Ministrinë e Shëndetësisë vlerësojnë një gjendje shumë më të mirë sesa vitin e kaluar sa i përket posedimit të barnave ilegale nëpër farmacitë e Kosovës.

Faik Hoti nga MSH thotë për KosovaPress, se vitin e kaluar janë vërejtur barna të prodhuesve të ndryshëm të paregjistruara, derisa këtë vit një gjë e tillë nuk ekziston. Sipas tij, barna ilegale mund të gjinden vetëm në ato farmaci ku pronari i tyre e merr rrezikun.

Sipas tij, me nxjerrjen e edicionit të tretë të regjistrit zyrtar të barnave, me rritjen e numrit të inspektorëve farmaceutik dhe bashkëpunimin në mes institucioneve relevante në këtë çështje, numri i kontrabandistëve është zvogëluar dukshëm.

Sipas tij, intensifikimi i aktiviteteve ka treguar që gjithnjë e më shumë po ngushtohet hapësira për veprim atyre që merren me kontrabandimin e barnave.

Inspektorati farmaceutik punon me vetëm 10 inspektorë dhe një numër i tillë mund të jetë pengesë për realizimin e aktiviteteve në terren.

Aktualisht në Kosovë ka 530 barnatore të licencuara dhe janë rreth 170 qarkullues me shumicë.

Shitja e barnave të paregjistruara përben vepër penale dhe si e tillë ndëshkohet. Shkelësit e ligjit në raste të tilla, AKPM i ndëshkon deri në 1000 euro, derisa për shkelje më të mëdha çështja shkon në gjykatë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: