Arte

U katandis Tosca një thelë

timthumbNjë vështrim kritik për rivënien e Tosca-s, kryeveprës puçiniane, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit

(Eva Golemi, mbretëresha e zënë sheh!)

Nga Besmir Vokopola

Rivënies së Tosca-s, kryeveprës puçiniane në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, iu atashua dhe një “sebep” i madh: tenori ynë me famë “ndërplanetare”, që ka korrur kaq e kaq suksese e që si për inat, operabase, një prej rrjeteve më të rëndësishme informative dhe menaxheriale të lëmit operistik, apo ndonjë kritik gojëshpuzë ndërkombëtar, nuk i ka kushtuar qoftë edhe një germë mbi performancat vokale mbresëlënëse të tij, do të kurorëzonte karrierën nën këmishën e gjakosur të artistit me shpirt revolucionari, Mario Cavaradossi-t. Në lëmin e marketimit dhe ngritjes së figurës artistike, personi në fjalë është kujdesur prej vitesh ta deklamojë fuqishëm duke e përkëdhelur emrin e tij me shtëpi teatrosh madhorë botërorë apo dhe këngëtarësh që kanë shërbyer si mentorë për ngritjen e kapacitetit artistik, si Joan Sutherland dhe veçanërisht Franco Corelli-t, ku ky i fundit, megjithëse në moshë të thyer, nuk ngurronte të merrte një copë letër e t’i shkruante mikut dhe nxënësit të tij “prodige”. E kjo makinë çudibërëse marketuese e mbështetur dhe nga media vendase, më përpiu dhe mua, që përultazi mund të them që s’jam dhe aq lëkurëparegjur sa i takon artit lirik të të kënduarit. Si një adhurues i zjarrtë i tenorit Corelli, nuk do të lija assesi të më shpëtonte pa dëgjuar sesi leksionet e tij ishin mishëruar mbi kordat vokale të një shqiptari. Duke pranuar mungesën e guximit për të lënë mënjanë të gjitha impenjimet personale përballë këtij evenimenti, më mbeti që të përjetoja reprizën e fundit të shfaqjes, ku dhe njëfarë lodhje vokale do të qe e justifikueshme. E ja kështu e mora drejtimin drejt qendrës së qytetit, derisa e gjeta veten të ulur në galeri, si i thonë “mu në mes të filxhanit”, aty ku akustika shurdhe e teatrit tonë, projekton rezonancat më të mira. Nuk kaloi shumë dhe shfaqja filloi. Do të ishte e kotë t’ju përshkruaja sërish mbi konceptin regjisorial apo dhe t’ju parashtroja një analizë të veprës së Puçinit, pasi e kam përmendur më parë, po në gazetën “Shqip”.

Problemet me ekzekutimin e veprës u vunë re qysh në akordin e parë të prodhuar nga orkestra, e kështu fillova të psherëtija me vete. Më kish rrëshqitur përfshirja emocionale e veprës qysh në fillim. Por më pas kuptova që problemi nuk qëndronte tek instrumentistët … “peshku po qelbej nga koka” … e do të përfundonte duke kundërmuar erën e tij të padurueshme në të gjithë ekzekutimin e veprës.

Kur ja, pa një pa dy u shfaq ai, “Corelli-junior”, me një ecje kapadai e plot vetëbesim. Erdhi momenti i shumëpritur, e gjeta veten me symbyllur, për të pritur tingullin e parë që do të buronte nga ky personalitet, por një ndjesi e pakontrollueshme bëri që buzët të më rrudheshin vetvetiu, veshët filluan dëshpërimisht të kërkonin një skutë jashtë asaj torture të dhunshme shqisore që kish filluar të prodhonte tinguj që nuk kornizonin asnjë notë muzikore; fytyra sa vinte e shtrembërohej dhe trupi sa vinte e anohej më shumë për nga portat e daljes. Mbase ishte “faji” i tenorit Armaldo Kllogjeri, që kish “llastuar” vitet e fundit publikun shqiptar në ekzekutimin mjeshtëror të këtij roli, përmes vokalit brilant që posedonte. Pas përfundimit të aries “Recondita Armonia”, m’u bë sikur sapo kisha asistuar gjatë heqjes së një dhëmballe pjekurie, ku pacienti po lëshonte ulërima të përbindshme si pasojë e dhembjes që po përjetonte. Po çfarë dreqin kish nxjerrë Corelli nga duart e tij? Pse nuk kishte asnjë reminishencë të teknikës së tij vokale në atë që veshët e mi mjerisht po dëgjonin? Kaq cingun e i pashpirt qe treguar ky mjeshtër me tenorin tonë apo mos vallë kish pasur frikë se kapaciteti i këtij të fundit do të tejkalonte famën dhe suksesin e figurës së tij mitike. Nuk kaloi shumë dhe e kuptova që nuk duhet të zija më në gojë shpirtin e ndjerë të Calaf-it “par excellence”.

Po mbyllej një karrierë e lavdishme që kurrë skish pasur një kulminacion të tillë. E dëshmonin ulërimat dhe gulçimet histerike që dukej sikur po çirrnin muret e sallës, e dëshmonin të gjitha ato fraza të panisura e të papërfunduara ndonjëherë, e dëshmonte frymëmarrja astmatike që nuk arrinte të mbante një notë, e dëshmonin problemet e theksuara intonative, e dëshmonin duetet e kënduara solo nga heroina e mbrëmjes, sopranoja Golemi … e dëshmonte gjithçka.

Në mungesë të baritonit Ylber Gjini, i cili qe detyruar ta mbyllte shfaqjen e dytë të operës duke përjetuar probleme serioze shëndetësore, megjithëse falë mjeshtërisë së tij asgjë e kësaj natyre nuk qe perceptuar nga publiku, figura e Scarpias iu besua si në minutë të fundit, e për të dalë nga situata, një baritoni me famë të konfirmuar ndërkombëtare, shumë dekada më parë, e që prej kohësh e kish adaptuar veten si një pedagog të rëndësishëm kantoje në qytetin fqinj. Bëhej fjalë për Mauro Augustini-n, që dekada më parë shquhej për interpretime të shkëlqyera të Nabuço-s apo dhe të Scarpias, rol me të cilin kish çelur karrierën. Megjithatë kjo karrierë brilante e tij ishte e pamundur të justifikonte performancën e dhuruar në teatrin shqiptar, i cili e priste për herë të parë. Do të kish qenë më mirë që imazhin e krijuar tek ata pak shqiptarë që mund ta njihnin së largu, ta kishte lënë ashtu të paprekur nga një shfaqje gjatë së cilës shumëkush filloi të shqetësohej për shëndetin e tij.

Kështu situata do të përshkallëzohej edhe më keq deri në zhvillimin e të gjitha akteve, ku muzika e Puçinit u dhunua në mënyrë të paskrupullt dhe barbare. E megjithatë i gjithë publiku i mbante sytë dhe shpresën tek ajo, e cila qysh nga momenti i parë në skenë, po luftonte me mish e me shpirt për të mos përdhosur emrin e saj në atë llum që të gjithë kishin futur duart. E gjendur totalisht e vetme, pa asnjë mbështetje, madje duke u përballur me sfidat e njëpasnjëshme të një orkestre që dukej sikur komandanti po e udhëhiqte drejt kapjes së rekordit olimpik për tejkalimin e shpejtësisë së zërit, e gjithë pesha fizike, psikologjike, emocionale, e asaj shfaqjeje qëndronte mbi supet e pamposhtur të sopranos Eva Golemi. Ishte ajo që nuk pranoi kurrsesi të bënte kompromisin me ata që po ndante skenën, ishte ajo që nuk harroi se ata njerëz të ulur në ata poltronë të vjetruar kishin ardhur për të parë melodramën e Puçinit dhe jo parodinë e saj, ishte ajo që i përkëdheli ndjenjat njerëzore, me notat intense dhe zbutjet e menjëhershme të tyre përmes pianisimove, që aq të pastra rrallë se i gjen, ishte ajo që nuk reshti së dhëni të gjitha ngjyrimet vokale, ishte ajo që nuk reshti së besuari te muzika; ishte ajo që i bëri drejtësi kompozitorit, ISHTE AJO QË SHPËTOI TEATRIN.

E gjithë këtë sprovë të sajën, një publik i mençur që kontestonte si rrallëherë të gjithë ata që guxuan të ndotnin figurën e Puçinit, nuk kish se si të mos e shpërblente me ovacione të jashtëzakonshme e brohoritma të ekzaltuara. E ky qe i vetmi moment ku sopranoja u “mund” nga emocionet; ngrohtësia e publikut e gjunjëzoi të përlotur.

Mora guximin për të publikuar këto përshtypje të një të diele aspak të qetë, së pari, për t’i bërë një falënderim publik sopranos Eva Golemi për gjithçka që u përmend më sipër. Së dyti, si një detyrim moral ndaj Puçinit, kompozitorit që më dhuron gjithmonë përjetime emocionale, ku hapësira e fjalëve është shumë e ngushtë për t’i përshkruar. Së treti, e konsiderova si një detyrim si qytetar i Tiranës, por edhe si një individ, që mbarëvajtja e atij teatri e shqetëson më shumë sesa ata të tjerë që nuk ia kursejnë fjalët cipëplasura nga sheqerosja. Duke shpresuar që ky të jetë një rast aksidental, uroj që prezantimet e ardhshme të këtij institucioni të risjellin lavdinë e atyre shfaqjeve, emocionet e të cilave mbanin peshë publikun dhe e bënin të harronte në ishte në tokë apo midis yjeve.

Related Articles

Comente

  1. Hahaha, bravo Z. Voskopoja, gjerat duhen thene sic jane. Me kenaqe me ‘famen nderplanetare’ qe na servir tenori qe s’di akoma notat dhe shet mend sa per 100. Pervec kualitetit te zerit qe e ka patur (dhe s’e ka me), Hushi nuk ka asnje nga ato qe mundohet te shese ne intervistat qe jep.
    Reklamen me te mire ta ben publiku kombetar e nderkombetar, e jo lavderimet e pafundme deri ne neveritje. Pse do ta mbyllte karrieren Agim Hushi ne nje moshe kur te tjeret vazhdojne edhe per 10-20 vite pa problem? S’po permend Domingo-n e Pavarotti-n, por edhe Gaqo Cako, kendoi deri vone, bile edhe tani po ta marresh Gaqon, kendon me mire se Hushi. Po nejse, edhe nje here pergezime per artikullin, lavderimet jane te mira vetem kur jane me vend!

  2. Agim Hushi e ka mbushur internetin si ‘tenori me i mire shqiptar’, ‘tenor internacional’, wikipedia po shqyhet nga ‘aktivitetet’ e Agim Hushit. Por skena ja hoqi masken dhe tregoi me te vertete qe kush eshte ai. Kete te mire ka skena!

  3. Eshte e turpshme reklama apo marketingu qe iu be pseudo artistit Hushi.Nder vite ka mbushur faqet e gazetave , online apo virtuale me ” sukseset ” e tij imagjinare, e te pabesueshne.E ndoqa Tosken ,them me bindje se mashtruesit, perfituesit, meritojne nje fund te tille. Hushi ne te gjitha netet u fershellye , u percmua u tall.Tirana artistike, artedashese i tha stop spekulimeve, u tregoi se ne skene artistet e vertete kendojne. Hushi eshte nga ata pseudo artiste qe veten te kendoje nuk di. Kete e kuptoi dhe ai vete kur pa solistet e mbrekullueshem te operas shqiptare. Perballja me ta ne skene tashme eshte e veshtire. Ndaj dhe u largua me TURP zoti Hushi. Ate cka ndertoi ne vite ju shenb ne nje minute. Do vazhdoj te mashtroj atje ku nuk e njeh njeri, atje ku jeta ,dita vrapon dhe askush nuk ka kohe te meret me nje KRIMB si Hushi.Bota ka vend per te gjithe.Edhe per mashtrues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button