Ekonomia

Sejko me zv/presidentin e BERZH: Banka e Shqipërisë po reagon për të ulur inflacionin

Guvernatori Gent Sejko gjatë ditës së djeshme priti në një takim zyrtar Zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), z. Mark Bowman ku ky i fundit u njoh me zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare në vend.

Gjatë takimit Sejko  u shpreh se parashikimet e Bankës së Shqipërisë vlerësojnë se ekonomia do të vijojë të shënojë rritje në horizontin afatmesëm, pavarësisht ambientit të jashtëm sfidues dhe efekteve të tij.
Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori theksoi se aftësia e këtij sektori vlerësohet e fortë në kushtet kur gjendja e likuiditetit është mjaft e mirë dhe kur veprimtaria bankare paraqitet fitimprurëse dhe e mirëkapitalizuar.

Më tej, ata u ndalën në sfidat me të cilat përballet ekonomia në kushtet e një situate botërore me çmime të larta, ecurinë e inflacionit në vend dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë për mbajtjen e tij nën kontroll.
Banka e Shqipërisë ka reaguar nëpërmjet instrumentit të politikës monetare për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend – që përbën objektivin kryesor të Bankës së Shqipërisë – si dhe për minimizimin e pasojave që goditja e çmimeve mund të ketë mbi koston e jetesës, mbi kursin e këmbimit dhe mbi shëndetin e sektorit bankar në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Një fokus të veçantë patën dhe politikat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në fushën e deeuroizimit, reduktimit të raportit të kredive me probleme dhe digjitalizimit të sistemeve të pagesave, duke synuar rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe eficiencës së sistemeve të pagesave në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve.

Sejko i shprehu mirënjohjen Zëvendëspresidentit të BERZH-it për kontributin e rëndësishëm dhe për mbështetjen që ky institucion ofron në vazhdimësi për Bankën e Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button