Kosova

Çipa: Klasa politike s’duhet të vazhdojë lojën absurde

“Vonesa e krijimit të institucioneve në Kosovë po vonon procesin e integrimit. Kjo situatë e krijuar shkakton kosto në besueshmërinë institucionale në raport me partnerët dhe institucionet ndërkombëtare e po ashtu shkakton kosto edhe ekonomike e sociale”, theksoi në një intervistë për KosovaPress, analisti dhe opinionisti nga Shqipëria, Aleksandër Çipa.
Klasa politike, vijoi Çipa, që qeveris Kosovën duhet të mos e vazhdojë më gjatë këtë lojë dhe asnjeri nuk duhet të shitet si triumfal, por gjithashtu askush nuk duhet të mbetet në rolin e penguesit.
“Vonesa për më tepër se 4 mujore e krijimit të institucioneve qeverisëse në Kosovë është ajo formë politikbërëse, e cila e mban vendin në stanjacion; e vonon në kohë apo në atë që quhet procesi i integrimit; i shkakton kosto shumëpalëshe jo vetëm politike; por mbi të gjitha shkakton një kosto të besueshmërisë institucionale në raport me partnerët dhe institucionet ndërkombëtare dhe mbi të gjitha shkakton edhe një kosto ekonomike dhe sociale për mostrajtimin e çështjeve të agravuara dhe të mbledhura në periudhën e qeverisjes së shkuar”, nënvizoi Çipa duke shtuar se kasta politike që qeverisë Kosovën duhet të mos e vazhdojë më gjatë këtë lojë absurde.
Analisti Çipa shprehet se “koalicioni postzgedhor, i cili kërkon marrjen në dorë të qeverisjes është jo me gjithë të drejtën e vet në avantazh, sepse bëri një kompromis, pasi ishte zhvilluar ndeshja elektorale dhe është tejkaluar në një lloj kuptimi sovrani. Mirëpo pala tjetër ajo që quhet fitore e mundur ose e thënë ndryshe fituesi i mundur që është PDK, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Thaçi duhet të mos e linte veten në atë që quhet vetmi me njerëz, vetmia me njerëz nënkupton vetmi pa koalicion, pa aleatë për të fituar një betejë, dhe shkoi deri në atë masë kjo vetmi sa tashmë ai e ka të pamundur të fitojë me të gjitha mënyrat politike aleatë apo subjekte apo individë brenda Parlamentit për të ndryshuar strukturën e mazhorancës. Kështu që në këtë pikëpamje mendoj se tashmë asnjeri nuk duhet të shitet si triumfal dhe askush nuk duhet të mbetet në rolin e penguesit”.
Duke folur për ngjarjet në Beograd dhe për vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd, Çipa thekson se “Kosova si njohje iu është imponuar serbëve qysh nga momenti kur kanë humbur të gjitha të drejtat dhe atributet e të qenit administrator të territorit të hapësirës administrative të Kosovës”.
Ai tha se “Shqipëria zyrtare duhet të ngrejë zërin në relacionet diplomatike me Serbinë, duhet të trajtojë çështje të mprehta, që lidhen me përfaqësinë dhe hapësirën shqiptare, çështjen e minoritetit shqiptar në Luginën e Preshevës dhe zonën veriore në Mitrovicë.
Shumë politikanë të Kosovës, por edhe të Shqipërisë janë shprehur kundër vizitës së kryeministrit shqiptar në Serbi. Një gjë të tillë, Çipa thotë se duhet kuptuar pasi bisedimet Kosovë Serbi, kanë edhe ngarkesë emocionale.
Sipas tij, Kryeministri shqiptar duhet të shkojë në Beograd, pasi nga ndërkombëtarët, Shqipëria vlerësohet si një faktor stabiliteti në rajon dhe se shqiptarët sot në Ballkan janë një faktor mbishtetëror.
“Në këndvështrimin tim kryeministrii Shqipërisë duhet të shkojë në Beograd, për një arsye e cila vihet në rrezik dhe në diskutim pas episodeve dhe incidenteve të ndodhura në ndeshjen mes përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Serbisë. Bëhet fjalë për atë rol të vlerësuar ndërkombëtarisht dhe që ka të bëjë me autoritetin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon. Në kushtet kur këtë rol Shqipëria jo vetëm e ka të njohur ndërkombëtarisht; të vlerësuar institucionalisht; dhe natyrisht të respektuar edhe në relacionet ndërfqinjore, autoriteti i Shqipërisë zyrtare duhet ta çmojë për të mos u cënuar pas episodeve dhe sidomos gjuhës së ashpër të shkëmbyer mes diplomacisë serbe dhe diplomacisë shqiptare”, tha Çipa

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button