Rajoni

Nikoliç: S’do shkoj në Bruksel, se janë simbolet e Kosovës

nikolicPresidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, ka refuzuar të shkojë në Belgjikë, për shkak të simboleve kosovare. Ai është komentuar në media si fobik ndaj simboleve të Shtetit të Kosovës.

Nikoliç ka hequr dorë nga pjesëmarrja në shënimin e 100- vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore që mbahet sot në Belgjikë, pasi siç ka deklaruar kabineti i tij, në ceremoninë solemne do të vendosen edhe simbolet e Kosovës. “Edhe pse ishte planifikuar që Presidenti i Republikës së Serbisë të merrte pjesë në këtë tubim, për të nderuar ushtarët e krahut fitues në Luftën e Parë Botërore, Nikoliç nuk do të udhëtojë për në Belgjikë. Organizatorët kanë konfirmuar se Kosova do të prezantohet me simbolet shtetërore dhe kjo është arsyeja pse presidenti nuk do të udhëtojë për në Bruksel. “Paraqitja e Kosovës me simbole shtetërore është e papranueshme për Serbinë dhe presidenti nuk mund do të marrë pjesë në ceremoni”, thuhet në deklaratën për media të Presidencës së Serbisë. Sipas deklaratës, kreu i shtetit serb kishte konfirmuar që në datën 4 gusht të këtij viti se do të merrte pjesë në tubimin përkujtimor. Mirëpo konfirmimi se atje do të përballej me simbolet e shtetit të Kosovë, e ka bërë atë të heqë dorë nga vizita dhe pjesëmarrja në aktivitet. Më tej në deklaratë thuhet se Nikoliçi mori pjesë në kremtimin e 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore në Liezh, Belgjikë, më 4 gusht, ku të pranishëm ishin të gjithë fituesit e luftës dhe mungonin simbolet e Kosovës. Në ceremoninë e 4 gushtit ishte i ftuar edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Qysh prej atëherë thuhet se Nikoliç kishte konfirmuar edhe pjesëmarrjen në këtë ceremoni të dytë që do të mbahet gjatë ditë së sotme në Bruksel, por vendimi për të mos marrë pjesë u bë në orët e mbrëmjes së të hënës, sapo u mor vesh prania e simboleve kombëtare kosovare. Media të shumta, kryesisht ato kosovare e kanë konsideruar këtë vendim të Nikoliç, si fobi ndaj Kosovës. Tubimi përkujtimor në nder të 100- vjetorit të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore do të mbahet në Newport dhe Ipru. Kjo nuk është hera e parë që kreu i shtetit serb shpreh qëndrimin e tij kategorik kundër formimit të shtetit të Kosovës, përmes gjesteve të tilla. Në deklaratat e tij publike, Nikoliç gjithmonë i ka mëshuar faktit se Serbia nuk do e pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe se shteti i tij nuk ka ndërmend të bëjë asnjë lloj marrëveshjeje për këtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button