Ekonomia

Energjia, sfida e së ardhmes, një panair më 7-9 nëntor

iran-energjiPanairi “Energjia, sfida e së ardhmes” po përgatitet nga Qëndra e Panaireve “Tirana Expo Centre”, në bashkëpunim me ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, që do të celet në datat 7-9 nëntor, përfshin mundësitë që ka Shqipëria për zhvillimin e sektorit energjetik.

Në këtë panair pritet të shkëmbehen eksperiencat e bizneseve shqiptare me operues të fushës të huaj dhe të paraqiten projekte afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata sipas politikave dhe strategjisë që ka qeveria për sektorin energjitik ujor, eficencën e energjisë dhe hidrokarburet, thanë për ATSH-në burime nga organizatorët e tij.
Sipas tyre, do të marrin pjesë kompani projektuese, ndërtues, prodhues, tregtues dhe financues të sektorit energjetik nga fushat e energjive të rinovueshme, ujore, Bio-masës, efiçencës së energjisë, sistemi financiar etj, pasi vetë panairi pritet si një mundësi e mirë për të diskutuar mbi kombinimin e teknologjive më efiçente në përftimin e energjisë.
Sipas statistikave në bilancin total energjetik kombëtar për përdorimin e energjisë në ndërtesa, vjet në Shqipëri 57% e energjisë u konsumua si ngrohës dhe ftohës, produktet e naftës 6%, gazi i lëngshëm (GLN) 10%. Nëse konsumatorët do të përdornin produkte më efiçente duke përmirësuar kushtet në banesat e tyre, mund të kursehen 20-50% të buxhetit familjar nga pagesat e faturave të energjisë dhe këta tregues përbëjnë rast të mirë për investime të reja në tregun e eficencës së energjisë në ndërtesa.
Sot në Shqipëri shfrytëzohet vetëm 40% e burimeve ujore edhe pse njihet në Evropë si vend me pasuri ujore të mëdha në raport me popullsinë dhe shtrirje hidrografike të shpërndarë në gjithë territorin. Sot për sot rreth 98 % e energjisë elektrike prodhohet nga hidrocentralet, kapaciteti hidroenergjetik i instaluar arrin në rreth 1726 MW, rezervat totale hidrike mund të mbajnë instalimin e një fuqie rreth 4500 MW dhe potenciali vjetor i prodhimit të energjisë në rreth 16-18 Twh.
Produktet me bazë hidrokarburesh përbëjnë rreth 60-65 % të bilancit energjetik dhe janë faktor kyç për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit. Ky sektor është shumë i rëndësishëm për treguesit makroekonomikë, pasi Shqipëria është e pasur me rezerva nafte dhe gazi, ku sot prodhimi vendas i naftës bruto arrin në vlerë rreth 1.3 milion ton.
Perspektiva e kërkimeve për naftë dhe gaz është e dukshme me zbulimet e fundit të vendburimeve të reja në jug të Beratit, ndërsa njihet tashmë rëndësia që merr pozicioni shumë i favorshëm gjeografik i Shqipërisë në kryqëzimin e korridoreve energjetike Lindje – Perëndim.
Gjatë tre ditëve të këtij Panairi do të ketë konferenca, seminarë dhe takime B2B, ku ekspertë të fushës do të ndajnë eksperiencat, mendimet mbi zhvillimet dhe sfidat e sektorit energjetik, eksperiencat mes aktorëve vendas dhe të huaj, që punojnë në Shqipëri, negocime marrëveshjesh dhe kontratash mes partnerëve etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button