Bota

NATO e shqetësuar për manovrat ruse

Me shtimin e manovrave të fluturimit në kufi me hapësirën ajrore të NATO-s, Rusia tërheq vëmendjen e Aleancës. Fluturimet nuk janë ilegale e nuk rrezikojnë transportin ajror. Moska kërkon të tregojë forcë, edhe NATO-ja.

Komanda kryesore e NATO-s në Mons me sa duket e kishte tepruar pak me njoftimin që dha për manovrat ruse të fluturimit mbi Detin Baltik, mbi Detin e Zi dhe mbi Atlantikun e Veriut. Zëdhënësi i “Supreme Headquarter of Allied Powers in Europe” (SHAPE), Jay Janzen deklaroi që manovrat ruse kishin qenë rrezik potencial për fluturimet civile ajrore. Kjo sepse bombarduesit rusë dhe avionët luftarakë i kishin fikur transportuesit dhe nuk kishin vendosur kontakt me radio, për t’u identifikuar. “Sigurimi gjerman i fluturimeve ajrore”, mbikqyrja shtetërore e hapësirës ajrore për fluturimet ajrore në Gjermani, e kundërshton këtë paraqitje të SHAPE. Fluturimet e rusëve kanë qenë “krejtësisht legale”. Në bazë të së drejtës ndërkombëtare, avionë ushtarakë që fluturojnë në hapësirën ajrore ndërkombëtare nuk duhet të paraqesin as planet e fluturimit, as duhet të aktivizojnë transportuesit, në mënyrë që të identifikohen në radar. Këtë fakt e konfirmojnë edhe ekspertë të tjerë.

Po pse atëherë shqetësimi? Eshtë i pazakonshëm shtimi i fluturimeve ruse tangent me hapësirën ajrore të NATO-s, tha Sekretari i ri i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg në vizitën e tij në Athinë të enjten. Që prej fillimit të vitit, NATO-ja ka regjistruar rreth 100 fluturime të tilla, një shtim i konsiderueshëm krahasuar me një vit më parë, pra para fillimit të krizës sw Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në konferencë për shtyp në Athinë

Edhe NATO-ja e ka shtuar pas aneksimit të Krimesë të ashtuquajturin “Air Policing” në kufijtë lindorë të Aleancës. Në shtetet baltike dhe në Poloni u stacionuan avionë shtesë, midis tyre edhe katër avionë luftarakë gjermanë, të cilët këtë javë u angazhuan.

Një shkelje rregullash nga avionët rusë në kuptimin e ngushtë të fjalës nuk është kryer. Kancelarja gjermane Angela Merkel u tregua e qetë të enjten dhe tha se nuk është e shqetësuar, që po ndodh “një shkelje e hapësirës ajrore”.

“Më parë avionët tanë nuk kanë fluturar. Tani e bëjnë”, i tha Igor Koroçenko, anëtar i shtabit të këshilltarëve në Ministrinë ruse të Mbrojtjes agjencisë së lajmeve AFP. “Ne po kthehemi në praktikën ushtarake të një vendi, i cili preukupohet për mbrojtjen e tij dhe që teston gatishmërinë për ndërhyrje. Forcat ajrore bëjnë ushtrime dhe kryen fluturime zbulimi, në mënyrë që të kuptojmë se çfarë kanë në mend kolegët tanë të NATO-s”, u shpreh Koroçenko.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button