Ekonomia

Nafta shqiptare eksportohet në 16 shtete

Puse-nafte2Në periudhën 2005-2013, sasia, vlera e eksporteve të naftës bruto dhe harta gjeografike e shteteve kanë ardhur në rritje të vazhdueshme, pasojë e rritjes së investimeve të huaja dhe eksplorimit të vendburimeve të naftës në vend, ku kompania eksportuese më e madhe e naftës në vend është “Bankers Petroleum”, që shfrytëzon fushën e Patos-Marinzës, zona kryesore naftëmbajtëse në Shqipëri.
“Open Data Albania” që po studion treguesit e eksportit të naftës bruto për këtë periudhë, vëren se në vitin 2013 u eksportuan 1.251.513 ton naftë bruto me çmim mesatar vjetor shitje 55 490 lek/ton kryesisht në Itali, Spanjë, Maltë, Gjermani, Britani e Madhe, Francë.
Peshën kryesore e zunë eksportet e naftës bruto në Itali me 33% të totalit dhe me çmimin më të lirë, në Spanjë me 32%, Maltë me 23%.
Nafta bruto u eksportua në vitet 2005-2013 në 16 shtete, ku Italia mbetet vendi i parë ku janë eksportuar vit pas viti sasi të mëdha të naftës bruto shqiptare, 60% e totalit. Ndërsa në vitet 2005-2006, Italia ishte i vetmi destinacion i eksportit të naftës shqiptare, tregjet e Spanjës dhe Maltës nisën të blejnë naftën bruto shqiptare në vitet 2009 dhe 2010 dhe ku sasitë po vijnë në rritje.
Nga viti 2013 nafta shqiptare ka hyrë edhe në tregjet e Gjermanisë, një ndër importueset më të mëdha të naftës në botë. Në vendet e tjera sasitë e eksportuara janë të vogla dhe me periudha deri 2-vjeçare.
Çmimi mesatar vjetor i shitjes së naftës bruto në eksport ishte i paqëndrueshëm në periudhën 2005-2011, për t’i stabilizuar më pas. Çmimi mesatar vjetor më i lartë i shitjes në eksport u shënua në vitin 2013, ku një ton naftë bruto u shit 55 490 lek, ndërsa çmimi më i ulët në vitin 2006, kur nafta bruto u shit 22 730 lek/ton. Por “Open Data Albania” vëren se në rajon, vetëm Serbia eksportoi naftë bruto në vitin 2013, por me një çmim mesatar gati dyfish më të shtrenjtë, 94.180 Lek/ton.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button