Te ndryshme

Oficeri këndoi gabim himnin, Kim Jong-un e pushkaton

kim jongArsyet për ekzekutime në Korenë e Veriut po bëhen gjithnjë e më të çuditshme e nga një pikëvështrim tjetër pastaj, sigurisht shumë tragjike. Një anëtar i Forcave të Armatosura koreanoveriore thuhet se paskësh dalë së fundmi para skuadrës së pushkatimit, vetëm e vetëm se ai ka ndryshuar një rresht në karaoken e kënduar nga njësia e tij ushtarake.

Diktatori koreanoverior, Kim Jong-un, ka ekzekutuar një oficer të gradave të larta, pasi ky i fundit, në një shfaqje ku është kënduar me karaoke, ka kënduar “gabim”. Sipas njoftimeve të pakonfirmuara, anëtari i Forcave të Armatosura thuhet se e ka kënduar tekstin e himnit të vendit puritan socialist, në një formë të deformuar, ndërsa duhej të këndonte: “urreji armiqtë e tu, duaje vendin tënd”, ka kënduar: “urreje gruan tënde, duaje dashnoren tënde”, raportonte së fundmi e britanikja “Daily Mail”.

Pushtetmbajtësi absolut, Kim Jong-un, thuhet se pas kësaj është nevrikosur aq shumë, saqë e ka përcaktuar sjelljen e oficerit si demoralizuese e të denjë për ndëshkim shembullor. Ai është arrestuar më pas menjëherë dhe ditën tjetër është marrë zvarrë e vënë para skuadrës së pushkatimit.

Ekspertët e të drejtave të njeriut në vendin fqinjë, Kore e Jugut, kanë spekuluar pas kësaj se burri i ekzekutuar, ka dashur thjesht të bëjë një shaka, pasi mund të kishte konsumuar një sasi alkooli, së cilës si duket nuk ia ka ditur mirë pasojat.

Ky është rasti i parë i njohur në llojin e vet, pasi këndimi me karaoke deri më tani vlerësohej si jo i rrezikshëm në Korenë e Veriut, në një vend, në repertorin e të cilit gjenden vetëm këngë patriotike. Megjithatë, nuk është hera e parë që diktatori ka ekzekutuar për vogëlsira anëtarë të rangjeve të larta të pushtetit.

Ekzekutim për shkak të telenovelave

Sipas shërbimit sekret koreanojugor, 50 oficerë e nëpunës zyrtarë janë ekzekutuar vetëm gjatë vitit 2014. Ndër ta edhe dhjetë ish-anëtarë të Forcave të Armatosura, që u duhej të vdisnin, ndër të tjera, edhe sepse ata ishin kapur duke parë telenovela koreanojugore.

Gazeta tjetër britanike, “Telegraph”, pati raportuar se në Kore të Veriut shiten kopje të panumërta telenovelash e prodhime të tjera TV, në tregun e zi, të ardhura pikësëpari nga Kina fqinje, por edhe nga armiku për vdekje i Phenianit zyrtar, Koreja e Jugut.

Kim Jong-un e ka përshkruar ndjekjen e serialeve të telenovelave si një krim ndaj shtetit.

Strategji e trashëguar

Diktatori ka vijuar me strategjinë e të atit të vdekur, Kim Jong-il dhe të gjyshit të tij, Kim Il-sung, për ta mbajtur në mënyrë rigoroze popullin e vet të izoluar e të paprekur nga tendencat bashkëkohore (që shpesh në Kore të Veriut cilësohen si tendenca degjeneruese, e që dënohen deri me vdekje) në botën e civilizuar, pjesë e së cilës ka qëlluar të jetë edhe Koreja e Jugut.

Kjo veprimtari, tashmë në kohët moderne, duket disi e vështirë për të gjetur zbatim rigoroz, kur mban parasysh ndikimin dhe funksionin e një smartfoni, apo të një laptopi.

Por në rastin e Koresë së Veriut, ato mezi gjejnë rrugën për te konsumatori i thjeshtë, përveçse përmes kontrabandës që kryhet ilegalisht në kufi me një dozë të madhe frike. Përveç kësaj, ato teorikisht mund të hyjnë në vend edhe nga turistët e huaj, të cilët e vizitojnë vendin vetëm nën masa të rrepta mbikëqyrëse, duke pretenduar shumë pak kontakte me vendasit e frikësuar deri në palcë.

Fati tragjik i futbollistëve

Pak kohë më parë, një lajm i ngjashëm tronditi mbarë botën, pasi u mësua se i gjithë ekipi i kombëtares koreanoveriore të futbollit, përfshirë këtu lojtarë, trajnerë e staf ndihmës, u arrestuan menjëherë sapo shkelën në atdhe, pas një humbjeje – të cilësuar si të turpshme e që meritonte ndëshkim shembullor nga vetë organi qendror i shtypit në Phenian – që ata pësuan në lojërat e fundit olimpike panaziatike ndaj rivalit të përjetshëm, Koresë së Jugut, me rezultatin 1:0.

Mbi fatin e tyre, akoma nuk mund të raportohet një lajm i konfirmuar, por besohet se ata po u nënshtrohen izolimit e mënyrave ekstreme të ndëshkimit. Të njëjtin fat pësoi ekipi kombëtar koreanoverior edhe pas paraqitjes së dobët në Kampionatin Botëror të Futbollit në Afrikën e Jugut në vitin 2010, kur ata u mundën nga Portugalia me rezultatin tenistik, 7:0.

Sidoqoftë, mediat ndërkombëtare, edhe nga burime anonime, nuk kanë arritur të konfirmojnë ndonjë ekzekutim të futbollistëve, apo të trajnerëve, çka besohet dhe urohet që vërtet të mos ketë ndodhur.

Organizatat e të drejtave të njeriut i kanë vënë në dukje shkeljet e hasura në atë vend prej dekadash, por duket se ngritja e zërit të tyre bën ekzaktësisht efektin e kundërt në veshët e një regjimi aq autoritar e absurd, sa ai në Korenë e Veriut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button