Intervista

Bamir Topi : Mos prania e grave në KLD është regres!

Bamir Topi : Mos prania e grave në KLD është regres!

        bamir-topi3

 

CV: Akademik, politikan karriere dhe ish-President i Shqipërisë.

Ka ndjekur studimet pasuniversitare në Itali duke mbrojtur titullin Doktor i Shkencave në fushën e Biologjisë Molekulare në vitin 1990. Aktivitet i pasur si kërkues shkencor, por edhe akademik duke fituar titullin Profesor në vitin 1995.

Aktiviteti i tij politik fillon me lëvizjet demokratike në vitin 1990. Në vitin 1996 zgjidhet për herë të parë deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe emërohet Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit. Në tri Legjislatura zgjedhet deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe në dy mandate është zgjedhur nënkryetar i PD-së. Politikan mjaft aktiv si dhe protagonist i marrëveshjeve politike dhe nismave të ndryshme parlamentare. Në Korrik 2007, zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë deri në vitin 2012.

Aktualisht, nga Shtatori 2012 me votim unanim të anëtarësisë, është Kryetari i Frymës së Re Demokratike (FRD), parti politike e qendrës së djathtë.

Shqipëria ka tipare gruaje, apo burri?

Shqipëria ndonëse vjen si një term femëror nga pikëpamja gjuhësore, ka një tipologji mashkullore. Kjo e ka origjinën në historinë e herët, por reflekton fort dhe kohët moderne të historisë sonë. Natyrisht shihet qartë edhe në mënyrën se si është e organizuar familja; në raportet që ndërtohen mes pjestarëve të tjerë si dhe në marrëdhëniet shoqërore që janë nën ndikimin e psikozës shoqërore. E gjithë kjo reflektohet edhe në politikë.  Duke ju referuar vendeve europiane, kjo përkthehet në mënyrën se si hartohen politikat dhe në vetëdijen për të ecur drejt emancipimit, për t’i ofruar sa më shumë vendeve të tyre. Natyrisht që dhe Shqipëria është një vend europian, por këtu kam parasysh ato vende që prej kohësh kanë punuar për të qenë në liri të plotë dhe ofrojnë një peisazh të vlerave në një shoqëri që zhvillohet dhe pranon barazinë e plotë gjinore.

Cili ka qenë gabimi i së djathtës shqiptare, në lidhje me gruan?

Nuk besoj se ka pasur diçka të paramenduar, ose të paragjykuar, por shpesh herë,   politika (kam parasysh këtu mënyrën e sjelljes së të djathtës në Shqipëri), ka qenë pragmatiste, duke tentuar të ndërtojë gjërat shpejt. Po të përdorja një gjuhë figurative, do të thoja që ka arritur objektivat politike dhe prezencën në institucione me produkte gjysëm të gatshme. Kështu duke ju referuar parlamentit, (jo thjesht në fillimet e para të tranzicionit demokratik në Shqipëri, por edhe pas kaq vitesh) vihet re një sjellje që na çon përsëri vite pas, dëshira për të arritur gjërat shpejt dhe si rezultat, po dominon pjesa mashkullore në shoqëri dhe në politikë.

“Vihet re një sjellje që na çon përsëri vite pas, dëshira për të arritur gjërat shpejt dhe si rezultat po dominon pjesa mashkullore në shoqëri dhe në politikë!”

Nëse një fakulteti do ti jepnin emrin tuaj një ditë, cili prej tyre do të dëshironit ta mbante atë?

Kjo pyetje po më bëhet për herë të parë. Përgjithësisht këto vendime merren pasi personi ka vdekur dhe kur gjërat fillojnë dhe sentimentohen. Do doja ta lidhja emrin tim me atë pozicion që unë kam patur në shoqëri, një nga anekset apo labirintet që ndoshta është më e rëndësishmja dhe që ka të bëjë me drejtësinë shoqërore.

Cila është, sipas jush, arsyeja kryesore pse ne e duam Amerikën?

Unë nuk besoj se gjërat vijnë në mënyrë të rastësishme, ka mjaft fije që e lidhin këtë ndjenjë të shqiptarëve për Amerikën. Në mënyrë eskluzive do të thoja:  se intuitivisht në të gjitha shtresat e shoqërisë sonë, që nga njerëzit e formuar, por edhe tek ata më pak të formuar, duket se ekziston një lloj psikoze shoqërore, aspak e gabuar për mendimin tim përkundrazi, e orientuar shumë drejt, sepse kemi kuptuar mesa duket se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë sinonimi i asaj, që ne vetë po diskutojmë. Një shoqëri që vlerëson njerëzit, në mënyrë të barabartë!

Le ta nisim me barazinë gjinore, me vlerësimin e ekuivalencës së vlerave pavarësisht nga rrathët, dhe këtë e konfirmojnë ata shqiptarë që kanë shkuar në emigracionin e vonë në Amerikë.  Pa folur për vlerat që kanë të bëjnë me mbijetesën e kombit shqiptar, me kufijtë administrativë të Shqipërisë, ku prova për këtë është Kosova.  E kemi parë në të gjitha këto interesa të qenësishme, që shqiptarët kanë pasur, sa i takon mbijetesës së tyre. Pa harruar këtu kontributin në demokratizimin e jetës në dy vendet si edhe të gjitha bashkëpunimet.

Unë dhe bashkëpunëtorët kemi dhënë shembuj konkret dhe e kemi bërë me ngazëllim këtë, në kohën kur ushtroja funksionin e Presidentit të Republikës së vendit, kur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Gjykatës së Lartë, zgjodhëm dy zonja dhe  kjo ndodhi për herë të parë. Jo rastësisht për të gjitha emërimet, si për femrat dhe meshkujt në Gjykatën e Lartë, apo në Gjykatën Kushtetuese, dekretimet kanë qenë të barabarta. Po kështu ka ndodhur dhe në drejtimin e Shkollës së Magjistraturës, ku përsëri u zgjodh një femër. Pra një nga angazhimet e mia parësore ka qenë, që në instuticionet gjyqësore qendrore, barazia gjinore të mos mbetet thjesht një diskutim fjalësh, por të realizohet në vepra. Kurrë më shumë njeriu nuk mund të ndjehet komod, sesa kur dekreton drejtuese femra në këto institucione.

Një grua shqiptare, a e ka të lehtë të jetë e djathtë?

Unë besoj se nuk ka frenime të natyrës psikologjike në këtë drejtim. E kuptoj pse ma bëni këtë pyetje, për shkak se pak a shumë sjellja e atyre familjeve që janë orientuar djathtas, shprehin tone të natyrës patriarkale. Por nuk duhet të harrojmë se nuk  jetojmë më në atë kohë. Sigurisht familjet, shoqëria janë më të emancipuara, dhe unë nuk shoh pengesa që gruaja të mos orientohet lirshëm, për të qenë pjesë e një politike të djathtë.

Mosprania e grave në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, bën që të zvarriten reformat në drejtësi?

Absolutisht po, ndikon. Është një simptomë e qartë e regresit, e papranueshme në këtë drejtim, që në Këshillin e Lartë të Drejtësisë nuk ka asnjë femër. Edhe aty ku e lejon ligji dhe ka hapësira, meshkujt përsëri pengojnë, sepse drejtuesit e partive politike sot nuk janë njerëzit më të formuar dhe që mund të përmbushin pritshmëritë tona. Parlamenti sot, është më i dobëti që ka patur pluralizmi shqiptar.

Duke analizuar ftohtë nisur nga ajo që ndodh kohët e fundit në parlament, arrij në përfundimin se ky parlament nuk ka lidhje fare me misionin e tij. Ai është auditori ku duhet të shkojë mendja më e ndriçuar e shoqërisë, mendje të cilat duhet të prodhojnë ide, vizione, të bëjnë debate të qytetëruara. Kam parasysh këtu një shprehje të një filozofi: “Mendjet e ndritura diskutojnë për ide dhe vizione, njerëzit mediokër flasin për ngjarje, ndërsa injorantët flasin për individë”.

Përse është degraduar situata?  Sepse kemi mjedise ku përgjithësisht flitet për njerëz. Kemi pak njerëz që diskutojnë vizionet dhe shumë mediokër që thjesht flasin për ngjarje të konsumuara. Nuk shohim dhe nuk dëgjojmë se cili është vizioni i kësaj politike, ku do shkojë, e si do shkojë vendi. Të gjithë librat që lidhen me fiziologjinë e trurit dhe të intelektit zakonisht i klasifikojnë dhe intelektualët me cilësinë që të mund të shohin së paku, 10 apo 15 vjet përpara, ndërkohë që pjesës më të iluminuar do t’i duhet të shohë minimalisht 30 vjet para.

Një shkrimtare e famshme që vizitoi Tiranën në vitet ‘30 u shpreh:- “Po shoh rrugë pa qytet”. Kjo tregon, se sa pak kemi ecur në këtë drejtim, pasi politika prej 20 vitesh nuk po arrin të bëjë dot një unazë për këtë qytet.

Parlamenti aktual do të ishte shumë herë më i zbutur nëse, do të kishte më tepër prani gruaje. Në vend që politika të kishte një sjellje elegante, ky parlament prodhoi gra që në sjellje nuk ndryshojnë aspak nga burrat. Unë shoh akoma hapësira për ta trajtuar ndryshe barazinë gjinore.

Një grua, a mund të jetë Kryetare e Bashkisë së Tiranës?

Mund ta fitojë bashkinë e Tiranës, por duhet të ketë një profil femre dhe në rradhë të parë tia dalë të fitojë betejën me burrat.

Shteti shqiptar a e ka veshjen që i shkon?

Unë besoj që i kemi rrobat në garderobë. Disa persona tregohen të kujdesshëm që garderoba e tyre të jetë plot, por dalin në rrugë të veshur jo mirë. Ndërsa, ka mjaft njerëz që dinë të rrinë edhe në shtëpi ashtu siç i takon me respekt për veten në radhë të parë. Ndodh që pjesa sipërfaqësore e formimit të bën të sillesh në mënyrë të dyfishtë dhe në distance, pra dalin në rrugë për t’u parë nga të tjerët.

A ka humbur magjia e Tiranës?

Nëntëdhjetë për qind them që ka humbur. Sot e ke të vështirë të jesh pjesë autentike e Tiranës dhe është keqardhje e madhe që Tirana sot, përfaqësohet vetëm me xhaminë e Et’hem Beut të vitit 1614, si simbolikë e themelimit të Tiranës dhe me Kullën e Sahatit. Sot Tiranës po i humbet edhe identiteti natyror gjeografik. Dikur, në çdo pikë që vështroje, do të shikoje një lidhje simbolike të Tiranës me malin e Dajtit, por sot  ndërtimet pa kriter e kanë mohuar edhe këtë lidhje. Kjo është vepër e kaosit që mbolli politika. Sot, Tirana kujtohet vetëm me fotot bardh e zi. Njerëzit nga dëshira dhe nostalgjia, i varin nëpër muret e bareve, për t’a mbajtur gjallë këtë kujtesë.

Komunizmi dështoi për shkak të burrave, apo grave?

Komunizmi, dështoi për shkak të verbërisë, filozofisë dhe ideologjisë. Ai dështoi në mënyrë ekzemplare dhe në çdo qelizë të territoreve të kësaj ideologjie të tmerrshme. Nuk ka dyshim, që të gjithë ato që e propaganduan ishin burra edhe gra, ndërsa dominimi mashkullor edhe në këtë ideologji ka qenë më evident, dhe jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë vendet ku është shfaqur.

A dehet një grua me pushtetin?

Unë kam parë, madje janë shembuj të freskët. Kam parë grua, që nuk kontrollohet dhe shpesh herë bëhet më qesharake se sa burri, kur dehet me pushtet. Por kjo, nuk mendoj se ka të bëjë me dozën e intoksikimit, as me cilësitë fiziologjike për të mos u dehur, por do ta kualifikoja si tipar të formimit të vetë personit. Ka femra që e ruajnë elegancën dhe femra që kur lëshohen bëhen më keq se burrat.

Intervistoi : Ahmet  DURSUN

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button