Kryeartikull

Presidenti , Kryeministri dhe mënyrat se si mund të lexohet Kushtetuta

MUSTAFA NANO

Mustafa NanoNë një intervistë dhënë së përditshmesPanorama, i pyetur lidhur me emrin e guvernatorit të ardhshëm të Bankës së Shqipërisë e me ndonjë marrëveshje të hamendësuar mes tij e Kryeministrit të vendit për këtë emër, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u përgjigj: “…Duhet të mos teprohet me spekulime; nuk ka përcaktim ligjor që kandidati për guvernator të sugjerohet nga Kryeministri; këtë kandidat e propozon Presidenti dhe është Parlamenti që e miraton”. Në të njëjtën intervistë, kur iu kërkua të thosh’ të vetën për sa i takon plotësimit të tre vendeve vakante në këshillin mbikëqyrës të kësaj Banke, dhe efekteve që mund të ketë kjo lëvizje në zgjedhjen e emrit të guvernatorit, ai foli me një ton të prerë, duke na lënë të marrim me mend se mes tij e Parlamentit/qeverisë ka mospajtime serioze: “Le të bëjë Parlamenti e qeveria atë që do t’u duket e leverdishme; unë si President do të zbatoj në çdo rast e në çdo rrethanë Kushtetutën e ligjin”. E gjithë intervista që, në fakt, ishte e shkurtër, ishte e fokusuar te dialektika e vështirë President-mazhorancë, dhe dukej qartë një lloj animoziteti në fjalët e të parit (Presidentit), i cili lë të kuptohet se do donte që të tjerët ta dinin se ai është duke i bërë rezistencë së dytës (mazhorancës).

Ka të drejtë Presidenti në këtë “akt rezistence” (po e quaj hë për hë një “akt rezistence”)? Ka arsye që një institucion i rëndësishëm, siç është Presidenca, t’i bëjë rezistencë kësaj mazhorance? Më tej, ka arsye që ne të tjerët të gëzohemi, me fjalë të tjera të themi se “shyqyr që kemi Presidentin që po i bën rezistencë kësaj mazhorance; ndryshe kushedi se ç’do na gjente”? Personalisht nuk besoj se janë rrethanat që do legjitimonin një “akt të tillë rezistence” nga ana e Presidentit. Për më tepër, Bujar Nishani nuk ka kredencialet që ta bëjë këtë punë, edhe sikur të shtrohej nevoja e një rezistence të tillë. Dhe këtë nuk ia them me ligësi. Ia them thjesht si një njohës i mirë i kronikës politike të këtij vendi, duke i kujtuar kohë të tjera, kur Presidenti i Republikës bëhej “horr bulevardi” e kur Prokurorja e Përgjithshme thirrej “lavire bulevardi” etj., etj. Atëherë po që kish nevojë për rezistencë presidenciale, për rezistencë civile e për rezistencë gazetarësh. Por ajo kohë duket se ka ikur njëherë e mirë. Të paktën, deri më sot nuk ka prova se ajo kohë e çmendur mund të përsëritet. Presidenti atëmot nuk ishte president, por miratimi, qoftë dhe me heshtje, që i ka bërë asaj sjelljeje antipresidenciale i krijon një problem sa herë që dëshiron të ngrihet në rolin e mbrojtësit të ligjit, Kushtetutës, të institucioneve kundër një mazhorance abuzive.

Sa më sipër e nënvizova jo për të sëkëlldisur Presidentin, por për të thënë se nuk jemi në rrethanat, kur qeverisemi nga një mazhorancë gjëmëzezë. Sipas të gjitha gjasave, edhe Presidenti duhet ta ketë të qartë këtë gjë. E nëse është kështu, përdorimi nga ana ime i termit “akt rezistence” është thjesht për qëllime spekulative (merrni kuptimin origjinal të termit “spekulim”). Mirëpo, të kuptohemi, kjo nuk do të thotë se me mazhorancën e sotme punët po na ecin si në vaj dhe se nuk ka vend për qëndrime kritike ndaj saj. Absolutisht jo. Në shkrimin tim të fundit, të publikuar po në Shqip, unë vetë ngrija zërin kundër disa sjelljeve të kësaj mazhorance, që përbëjnë shqetësim. E në këtë kuptim, në karfosjen mes Presidentit e mazhorancës ka plot arsye të kuptohen e mirëkuptohen qëndrimet e Presidentit. Ashtu si ka plot arsye të kuptohet e mirëkuptohet dëshira e Kryeministrit për të lëvizur gjërat në këtë vend (për këtë është votuar, apo jo?).

Në këtë mes ka diçka që nuk shkon te të dyja palët, megjithatë. Kryeministri nuk i ka lejuar vetes të shprehë mllefe publikisht në adresë të Presidentit, ndonëse mllefe të tilla merret vesh që i ka. Kjo është një gjë e mirë. Mirëpo, në të njëjtën kohë ai nuk ka ngurruar t’u bëjë një lexim shumë kryeministror disa kompetencave presidenciale, dhe këtë vetë Presidenti e ka marrë, me shumë të drejtë, si nëpërkëmbje të funksionit që ai ushtron. Fjala vjen, në momentin që lindi nevoja për të zgjedhur guvernatorin e ri, Kryeministri Rama tentoi ta inicionte e drejtonte këtë proces. Ai hodhi idenë e një guvernatori shqiptar në dhé të huaj, madje inkurajoi edhe një garë putative për këtë qëllim, duke injoruar faktin që ky është një proces kushtetues që iniciohet, madje dhe varet më së shumti, nga Presidenti. Në nenin 161, pikën 2, të kësaj Kushtetute thuhet germë për germë se “Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës…”. Më qartë se kaq nuk bëhet: Është Presidenti që ka tagrin të vrasë mendjen për të gjetur një emër, dhe është Kuvendi që ka tagrin t’i thotë “po” apo “jo” këtij emri.

Në anën tjetër, Presidenti i ka bërë një lexim shumë ekskluziv këtij neni. Po, është ai që duhet të gjejë një emër për postin e guvernatorit, por për sa kohë është Kuvendi që do duhet ta miratojë propozimin e tij, nuk ka pikën e kuptimit që këtë vendim ai ta marrë brenda kullës së tij të fildishtë, që ndryshe do të interpretohej si çalltisje “për inat të mazhorancës”. Ai bën mirë të konsultohet me Kryeministrin për këtë punë. Sigurisht, nuk ka pse të pranojë që Kryeministri t’i imponohet, por po njësoj nuk ka logjikë që ai vetë t’i imponohet Kryeministrit e Parlamentit. Ai mund të zgjedhë emrin që do, dhe me këtë nuk është se shkel Kushtetutën, por edhe mazhoranca mund t’ia refuzojë emrin sa herë të dojë, dhe po njësoj nuk është se me këtë shkelet Kushtetuta. E kështu, i bie që të dyja palët bllokojnë procesin në respekt të Kushtetutës, në një kohë që mund të bëjnë tjetrën, d.m.th. të konsultohen me synimin për ta zhbllokuar procesin. Dhe me këtë nuk është se shkelin Kushtetutën. Përkundrazi. E njëjta gjë mund të thuhet në rastin e emërimit të ambasadorëve, ku rolet rezultojnë të përmbysura. Është Kryeministri që propozon, dhe është Presidenti që jep ok-in. Është pikërisht kjo që thuhet në nenin 92, pikën dh, të ligjit themeltar të shtetit tonë: “[Presidenti] me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare”. Kryeministri nuk i ka kërkuar mendim Presidentit, dhe ky i fundit nuk ia ka firmosur propozimet. Dhe që të dy janë në rregull, pasi Kushtetutën nuk e kanë shkelur. Dhe në këtë mes nuk kemi të bëjmë me një nonsense të prodhuar nga Kushtetuta. Jo, kemi të bëjmë me një sjellje bisbiqe të Presidentit e Kryeministrit.

Merret vesh pra, se nuk është Kushtetuta që është e rëndësishme. E rëndësishme është mënyra se si njerëzit, sidomos shtetarët, e interpretojnë dhe e lexojnë atë. Nga mënyra se si e lexojnë shtetarët një Kushtetutë, te kjo e fundit mund të gjejnë motivet për të ndezur një luftë civile, ashtu si mund të marrin frymëzimin për t’i shërbyer vendit para se, nëpërmjet saj, të mendojnë veç për tekat e tyre egoiste.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button