Opinion

Pse u dashka të kemi empati për kundërvajtësit ?

MUSTAFA NANO

Mustafa NanoNdërhyrja e qeverisë, me ligje të reja apo me një zell të ri për të zbatuar ligje të vjetra, kundër paligjshmërisë, ka provokuar një diskutim të madh, në të cilin opinioni publik shihet i ndarë në dy pjesë. Njëra është në mbështetje të aksionit kundër paligjshmërisë, dhe tjetra është në mbrojtje, ndonjëherë në mbështetje, të atyre që në rrethana të tilla janë viktima të operacioneve policore (ata që kanë bërë ndërtime pa leje, ata që kanë zaptuar troje që s’janë të tyret, ata që s’pyesin për rregullat e trafikut rrugor, e atyre që e vjedhin, apo nuk e paguajnë energjinë elektrike, etj.). Nuk dihet se cila pjesë e opinionit është më e fuqishme në terma numerikë, por, duke konsideruar që paligjshmëria te ne përbën një stil jetese, kam frikë se shqiptarët që, në këtë rast, janë kundër qeverisë, janë më të shumtë. Dhe kuptohet që një numër i madh syresh janë kundër qeverisë, jo sepse këtë qeveri nuk e kanë votuar apo nuk e duan, por sepse nuk janë dakord me këtë fushatë. Nuk janë dakord qoftë për arsye etike (e si mund të përshëndesësh një aksion që i kundërvihet stilit e mënyrës tënde të jetesës?), qoftë për arsye praktike, ngaqë në rrezen e veprimit të ciklonit qeveritar janë përfshirë ata vetë, apo njerëz të tyre. Ka rrezik që, duke qenë se aksioni qeveritar është në front të gjerë, secili të ketë se s’bën në rrethin e vet fisnor një njeri të ndaluar apo të gjobitur. Dhe në shoqëri si kjo e jona, ku individi është i shkrirë me fisin, solidariteti antiqeveritar në një rrethanë të tillë është gjëja më e natyrshme.

Kam pasur rast ta bëj publik qëndrimin tim. Po e përsëris: unë jam pjesë e asaj pjese të opinionit që e mbështet këtë aksion kundër paligjshmërisë. Midis kësaj të fundit, paligjshmërisë pra, dhe ndërhyrjeve të forta të shtetit kundër saj, unë jam vendosmërisht me këtë të fundit. Ne mund t’i bëjmë rezistencë këtij aksioni, dhe për këtë, mund të gjejmë plot arsye, që nga teprimet e policisë a të prokurorisë e keqardhja apo empatia për kundërvajtësit, që këtë herë, janë të të gjitha kategorive, moshave, orientimeve kulturore, gjinisë, etj., e deri te goditja selektive që u bëhet këtyre të fundit e te logjika se “ç’kuptim ka t’u tregosh vendin ca kundërvajtësve që janë të një niveli banal në rrethanat kur ca kundërvajtës ku e ku më të rëndësishëm janë të mbrojtur prej imunitetit, e mbi të gjitha prej impunitetit”.

Këto dy arsye të fundit meritojnë të diskutohen. Në të vërtetë, nuk ka gjë më racionale se sa të thuash që “nuk ka kuptim të ndëshkosh disa njerëz me akuzën se kanë kryer një akuzë penale të caktuar e të mos dënosh të tjerë që kanë kryer një vepër penale më të rëndë”. Afërmendsh, te kategoria e atyre që kanë kryer vepra penale më të rënda përfshihen autoritete qeverisëse të të gjitha niveleve e të gjitha sezoneve politike, një pjesë e të cilëve janë dhe promotorët e aksionit të sotëm kundër paligjshmërisë. Me fjalë të tjera, përfshihen policë, prokurorë, gjyqtarë, politikanë, deputetë, qeveritarë, ish-qeveritarë, të cilët janë pasuruar gjatë këtyre kohëve, duke plaçkitur pasurinë publike, duke abuzuar me postin, duke dëmtuar interesin publik, etj., gjithnjë në këmbim të tangjenteve. Pyes: Ka kuptim që këta të fundit të dënojnë ca të tjerë për vepra penale ku e ku më të lehta? Po ju jap një përgjigje që mund t’ju befasojë: Nuk ka kuptim në një plan moral, por ka shumë kuptim në një plan praktik.

Ne të gjithë, e thashë edhe më sipër, jetojmë e mbijetojmë në mes të paligjshmërisë, dhe kjo paligjshmëri e shtrirë në mënyrë kaq kapilare nuk luftohet me kryqëzata morale. Kjo luftohet më së pari e mbi të gjitha me aksion politik, dhe tagrin, fuqinë, mjetet e legjitimitetin për ta iniciuar, zhvilluar e finalizuar një aksion të tillë e ka mazhoranca qeverisëse. Pse? Sepse, është si është, ajo është e vetmja që është votuar, e votohet. Ne nuk dimë ende që të jetë shpikur një kriter tjetër, përveç atij elektoral, mbi bazën e të cilit, një grup i caktuar njerëzish të rivendikojë të drejtën për të administruar interesin e punët publike. Sensi ynë i drejtësisë do mund të ishte një alamet kriteri, por ky sens as matet, as shndërrohet dot në një tipar idiosinkratik, që do mund të adoptohej nga të gjithë në të njëjtën mënyrë/masë, e prandaj nuk ka se si, bazuar në të, të prodhojmë autoritetin qeverisës apo vendimmarrës. Le ta konsiderojmë sa të duam inferior moralisht një stabiliment politiko-institucional (politikanë, gjyqtarë, prokurorë, etj.) në krahasim me veten tonë, por nuk duhet të harrojmë se ajo ka diçka që ne nuk e kemi: mandatin popullor për të drejtuar vendin. Ne mund ta konsiderojmë të padenjë në planin moral, por nuk mund të vëmë në dyshim të drejtën e saj të ligjshme, që ne të tjerët nuk e kemi, për të qeverisur. Edhe në SHBA, fjala vjen, nuk ka kuptim që të rraset në burg një teksan që shet e përdor marijuanë në një kohë që një teksan tjetër me emrin George W. Bush shijon i qetë pleqërinë, ndonëse është, me gjasë, fajtor për mijëra viktima në Irak. Shkurt, duhet të kemi kujdes: kryqëzatat morale janë shpeshherë alibi të atyre që duan të mos ndryshojë asgjë në këtë vend.

E vetmja gjë që e komprometon rëndë, për rrjedhojë mund ta lërë pa mbështetje, ndërhyrjen e qeverisë kundër paligjshmërisë është natyra selektive e goditjes. Ky aksion duhet kolauduar mirë, dhe me këtë kam parasysh edhe një stekë të qartë që duhet vënë (është shumë e rëndësishme, në këtë Shqipëri ku paligjshmëria ia ka marrë valles, që të përcaktohet mirë se cilat paligjshmëri duhen ndëshkuar, në mënyrë që të shmangim së pari mbushjen e burgjeve, e së dyti fikjen e ekonomisë kombëtare që është ngritur në një masë të madhe mbi informalitetin). Me t’u përcaktuar kjo stekë, dora e ligjit duhet të bjerë mbi të gjithë, djathtas e majtas. Nëse kjo ndodh, aksioni e ka të garantuar suksesin, e në këtë mes ndihen rehat të gjithë, edhe kundërvajtësit që nuk ndihen të diskriminuar, edhe qytetarët e ndershëm që shohin se paligjshmëria po goditet, edhe qeveria që mund t’i shohë qarin kësaj pune në terma elektoralë; madje edhe opozita që, kur të vijë hera, do t’i duhet të qeverisë një vend më normal.

Ajo që është bërë në një numër rastesh me deputetë e me njerëz me pushtet të penalizuar nga policia rrugore (gazetat kanë publikuar lajme e pamje me deputetë që janë ndaluar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor) është parë nga shumëkush me kërshëri e gëzim. Është, në fakt, një nga gjërat më të rralla, e më të bukura, që kanë ndodhur ndonjëherë këtyre anëve: janë gjobitur e ndëshkuar njerëz me pushtet për të njëjtën kundërvajtje që ndëshkohen dhe njerëz pa pushtet. Nëse kjo qasje bëhet e zakonshme, nëse kjo logjikë shtrihet në të gjithë aksionin kundër paligjshmërisë, atëherë do të ketë gjithmonë e më shumë shqiptarë që do ta mbështesin këtë aksion, e do të ketë gjithmonë e më pak shqiptarë të zemëruar apo të revoltuar me “represionin shtetëror”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button