Politika

Drejtimi i ri i AMA-s, përballë sfidave dhe reformimit

AMASAMA, Autoriteti Rregullator në fushën e transmetimeve audio dhe audiovizive në Republikën e Shqipërisë, do të drejtohet për pesë vitet e ardhshme nga Gentian Sala, i zgjedhur dje nga Kuvendi në krye të këtij institucioni.
I diplomuar në vitin 2001 në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, Sala ka një karrierë të pasur, sidomos në fushën e të drejtave të njeriut, ku spikat aktivizimi me Komitetin Shqiptar të Helsinkit, por dhe projektet në mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve apo angazhimi në mbledhjen e dëshmive për refugjatët në luftën e Kosovës, etj.
Aktualisht, AMA përballet me një sërë sfidash që lidhen me përmbushjen e detyrimeve të saj ligjore, por dhe reformave që duhet të ndërmerren për transmetimet audiovizive në Republikën e Shqipërisë. AMA-s i duhet të zgjidhë problematikat në fushën e piraterisë për një trajtim të barabartë ligjor të të gjithë operatorëve në treg, por dhe realizimi i procesit të dixhitalizimit, i cili duhet të përfundojë brenda 17 qershorit 2015.
Kryetari Gentian Sala, gjatë prezantimit në Kuvend të platformës për drejtimin e AMA-s, e ka konsideruar kryesore zbatimin e plotë të ligjit “Për mediat audiovizive”.
Dy prioritete të zgjedhura prej tij janë strategjia e AMA-s dhe Këshilli i Ankesave. Strategjia do të jetë një dokument 3-vjeçar, që do të tregojë rrugët që do të ndiqen për kalimin në transmetime numerike.
Ndërsa Këshilli i Ankesave, që do të përbëhet nga tri anëtarë, specialistë në fushën e medias, konsiderohet nga Sala, si themeli i vërtetë i besimit të institucionit, sa i takon ankesave që do të parashtrohen.
Kryetar i AMA-s i konsideron me shumë rëndësi dhe çështjen e marrëdhënieve mes pronarëve të medias dhe gazetarit, sidomos përsa i takon kontratave. Këto kontrata, sipas Salës, nuk duhet të jenë thjesht të nënshkruara, por mbi të gjitha duhet të jenë të drejta. Problematika tjetër e njohur për mediat është dhe pagesa e stafit, si pjesë e trajtimit me dinjitet të gazetarëve.
Marrëdhënia mes AMA-s dhe Radiotelevizionit Shqiptar, do të jetë një tjetër prioritet i drejtuesit të ri të Autoritetit, i cili synon t’i japë këtij enti pozicionin që i takon në raport me publikun.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button