Ekonomia

Reforma e re territoriale do t’i kursejë buxhetit vendor rreth 6 miliardë lekë shpenzime administrative

Bashkia-e-Tiranes-525x350Reforma e re territoriale do t’i kursejë buxhetit vendor rreth 6 miliardë lekë shpenzime administrative, të cilat do të shkojnë për shërbime dhe investime publike në favor të komuniteteve.

Viti 2015 shënon një hap në drejtim të decentralizimit dhe të autonomisë së pushtetit vendor. Zgjedhjet vendore të vitit 2015, shënojnë fillimin e qeverisjes vendore sipas ndarjes së re administrative-territoriale, e cila synon të përmirësojë të gjithë ato aspekte të decentralizimit që gjatë 10-vjeçarit të fundit kanë rezultuar problematike dhe që kanë fragmentuar burimet financiare për shërbime dhe punë publike.

Reforma e re territoriale do t’i kursejë buxhetit vendor rreth 6 miliardë lekë shpenzime administrative, të cilat do të shkojnë për shërbime dhe investime publike në favor të komuniteteve. Gjithashtu, ndarja e re administrative-territoriale, do të pasohet nga një reformë tjetër e decentralizimit fiskal. Me këto reforma synohet demokratizimi i qeverisjes, efiçienca në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, zhvillimi ekonomik lokal, si dhe zhdukja e pabarazive dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Në terma të tjerë, me krijimin e njësive më të mëdha vendore, do të ofrohen shërbime në mënyrë më efiçiente, do të sigurohet një përdorim më i mirë i burimeve financiare dhe një përfaqësim më i mirë i qytetarit në vendimmarrje. Me këtë reformë, eliminohet problemi madhor i fragmentizimit tepër të lartë të vendit, gjë që nuk reflektonte lëvizjet demografike të dy dekadave të fundit, por gjithashtu gjeneronte edhe pabarazi të larta mes komunave/bashkive përsa u përket kapaciteteve lokale, aftësisë për mobilizimin e të ardhurave, si edhe ofrimit të shërbimeve.

Buxheti i vitit 2015 garanton kalimin efektiv dhe efiçent të kompetencave, përgjegjësive dhe të gjitha problematikave vendore nga të zgjedhurit aktual tek të zgjedhurit e rinj, sipas ndarjes së re territoriale. Në një aneks të veçantë të ligjit të buxhetit të vitit 2015 janë paracaktuar masat e nevojshme, rolet dhe detyrat përkatëse për periudhën tranzitore. Gjithashtu në këtë aneks janë përcaktuar detyrat dhe përgjegjësitë e organeve të qeverisjes vendore të zgjedhura në vitin 2011 dhe organeve të qeverisjes vendore që do të zgjidhen në vitin 2015. Gjithashtu, janë bërë disa përmirësime të tjera cilësore në formulën e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar për njësitë e qeverisje vendore. Janë vendosur kritere dhe tavane që garantojnë funksionimin normal të të gjitha njësive të qeverisjes vendore. Në vitin 2015, me ndryshimin e ligjit për taksat kombëtare, të ardhurat nga renta minerare do t’i akordohen në mënyrë të drejtpërdrejt njësive të qeverisjes vendore. Nga eksperienca e deritanishme, shuma bazë e transfertës së pakushtëzuar në përgjithësi ka ndjekur rritjen e buxhetit të përgjithshëm. Në vitin 2015, konstatohet një ndryshim në lidhje me transfertën e pakushtëzuar të qeverisjes vendore, e cila kushtëzohet nga disa elementë shtesë si: reforma territoriale dhe periudha e tranzicionit deri në hyrjen në fuqi të ndarjes së re administrative, politikat e kufizimit të shpenzimeve të ndjekura nga qeveria në kuadër të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjithsesi, pavarësisht elementëve të sipërcituar, në përcaktimin e madhësisë së transfertës, janë marrë në konsideratë: funksionet transferuar te njësitë e qeverisjes vendore, fondet respektive për to, si dhe rregullimet specifike mbi bazë vjetore, bazuar në transferimin e taksave. Specifikisht për vitin 2015, transferta e pakushtëzuar do të vazhdojë të ndahet në 373 NJQV, sipas kritereve të mësipërme, por duke rifreskuar të dhënat për popullsinë, kapacitetet fiskale dhe tregues të tjerë të varfërisë. Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore parashikohet të jenë rreth 18.5 për qind më të larta se ato të vitit 2014 ose 2.6 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button