Kryeartikull

Qosja: Edi Rama u dëshmua në Beograd si lideri i rajonit

Akademiku flet për Shqip”, Serbia nuk është çliruar prej mitologjisë së saj mesjetare

Nga Rudina Xhunga 

Si e përcollët vizitën e Edi Ramës në Beograd?

Rexhep QosjaVizita e Kryeministrit të Shqipërisë në Beograd ka rëndësi shtetërore. Pse ka rëndësi shtetërore? Ka rëndësi politike dhe shtetërore në radhë të parë, se dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon. Ka rëndësi, sepse dëshmon përkushtimin e Shqipërisë për inkuadrim në Bashkimin Europian. Ka rëndësi shtetërore, sepse dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një shtet me të cilin Shqipëria ka sot marrëdhëniet më të mira në historinë e saj. Ka rëndësi për përkushtimin ndaj SHBA-së, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshirojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e dëshirojnë në përgjithësi normalizimin e marrëdhënieve shqiptare–serbe pas gjithë atyre që kanë ngjarë. Kjo vizitë e Edi Ramës në Beograd ka rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, për zhvillimet e mëtejshme Kosovë-Serbi.

Si ju duk qëndrimi i Kryeministrit Rama në Beograd?

E kam ditur se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me përgatitjen që ka, me përvojën që ka, me dhuntinë politike dhe intelektuale që ka, do të jetë sipëror në atë takim, në ato bisedime dhe kjo u tregua që në momentet e para, sidomos në konferencën me gazetarët.

Si ju duk qëndrimi i Kryeministrit serb, Vuçiç?

Unë, Kryeministrin e sotëm të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Daçiç, i njoh si njerëz të politikës që kur kanë qenë të rinj. Në të vërtetë, Vuçiç ishte konsomolas i Sheshelit dhe i partisë së tij dhe Daçiç ishte konsomolas i Millosheviçit dhe i partisë së tij socialiste. Zgjedhja e Vuçiç si Kryeministër më ka befasuar shumë, sepse ai ka një barrë të rëndë në jetëshkrimin e tij politik. Ai ka bërë me Sheshelin një politikë shumë agresive, jo vetëm nacionaliste, por shoviniste ndaj shqiptarëve, ndaj myslimanëve të Bosnjës e të Hercegovinës. Zgjedhja e tij si Kryeministër i Serbisë ishte befasi për shumëkënd, jo vetëm për mua, por ja që u zgjodh, sepse ai mori një drejtim politik proeuropian, me një ndryshim nga një numër i madh i politikanëve dhe intelektualëve në Serbi që janë të orientuar më tepër nga Rusia, e që e quajnë veten patriotë, kurse këta i quajnë proeuropianë.

Europian apo jo ai tregoi se nuk është profesionist si politikan në momentin që hoqi kufjet apo nuk i duhen dëshmi profesioniste, por patriotike për vendin që udhëheq?

Çdo njeri e bën jetëshkrimin e vet në shtëpinë e tij dhe ai atë biografi të tij, ato sjellje të tij, atë mentalitet të tij politik e tregoi dhe në ndeshjen mes Serbisë e Shqipërisë në Beograd; i ranë maskat menjëherë dhe filloi të flasë pa kontroll për shqiptarët, për Shqipërinë për ato çfarë ndodhën në futboll.

Nëpër rrjetet sociale, edhe gazetarë jo pro Ramës e quajtën 3 me 0 këtë takim të Ramës në Beograd dhe e quajtën Ramën një dron të dytë në Beograd.

Rama në fjalën e tij tha shumë gjëra të vërteta, që në Serbi nuk dëgjohen me dëshirë. Serbia nuk është çliruar prej mitologjisë së saj mesjetare, në mënyrë të veçantë nuk është çliruar prej mitologjisë së saj mesjetare për Kosovën; ata kanë ende iluzione, kanë trashëguar dhe disa paragjykime ndaj shqiptarëve e nuk mund të lirohen lehtë prej tyre. Edi Rama tha shumë të vërteta që i godasin paragjykimet e tyre, që godasin mitologjinë e tyre. Ata e kanë shpallur veten një popull qiellor. Popujt qiellorë nuk kanë dhunti, nuk kanë talent, nuk kanë shumë mendje për jetën e përditshme, për ato që ndodhin në tokë, prandaj edhe Serbia e përfundoi shekullin e 20 me shumë tragjedi që i shkaktoi vetes, por shumë më tepër që u shkaktoi popujve të tjerë në Jugosllavi, në mënyrë shumë të veçantë shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Përse do të shërbejë kjo vizitë, përse është e rëndësishme kjo vizitë, çfarë mund të vijë pas saj?

Këtë vizitë mund ta shikojmë në kontekstin e takimit në Berlin, është vazhdimi i asaj që u bë në Berlin. Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, dëshmoi një superioritet politik, në të vërtetë edhe në Berlin e dëshmoi. Tani edhe më fort në Beograd. Edi Rama, e them me kënaqësi të veçantë, u dëshmua jo vetëm Kryeministri i Shqipërisë, praktikisht ai u dëshmua si lider i rajonit dhe kjo është me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët.

Jakup Krasniqi 

Rama, lideri më stabël i rajonit

Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi shprehet se Kryeministri Rama i dha një leksion politikës serbe në fjalimin që mbajti. “Vizita në Beograd tregoi se Rama është lideri më stabël në Europën Juglindore. Fjalët i mendon dhe i thotë me mençuri të veçantë dhe politikës serbe i dha një leksion të rëndësishëm për politikat që duhet të udhëhiqen në rajonin tonë. Politika europiane, në Ballkanin e trazuar, e ka gjetur përfaqësuesin e saj të denjë”, reagon Krasniqi.

Adem Demaçi 

“I lumtë, Edi Ramës foli fjalë të vërteta”

Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, e ka vlerësuar lart vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd. “Unë e kam ditur që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është një burrë shteti serioz dhe seriozitetin e vet e tregoi. Pas gjithë atyre që ndodhën në ndeshjen Shqipëri-Serbi, pranoi të shkojë dhe ta vizitojë Serbinë. E kam ditur që Rama do të fliste fjalë të vërteta”, ka thënë Demaçi në një prononcim për “Indeksonline”. Ai thotë se Serbia ka qenë shtet etnik dhe se Rama tha fjalët e duhura dhe të vërteta. “I lumtë Edi Ramës, vetëm në këtë mënyrë Europës i tregohet se Serbia ka qenë shtet çetnik. Ndaj është mirë të shkojmë në Serbi dhe të flasim fjalë të vërteta”, ka theksuar Demaçi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button