Kronika

KLSH kallëzon në prokurori ish-zvdrejtorin e ASHR-së

0501-KLSH2Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditimin të projektit “Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan”, për zbatimin e ligjshmërisë në realizimin e marrëveshjeve të projektit me huadhënësit, ndryshimet e tyre, shkaqet dhe argumentimi i këtyre ndryshimeve konstatoi një sërë shkeljesh të disiplinës financiare dhe ligjore, duke i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 134,006,872.3 lekë, ose mbi 1.24 milion dollarë buxhetit të shtetit.

Sipas KLSH-së, ish-Drejtori i Njësisë së Zbatimit të Projektit, më parë, ish-Zv/Drejtor i ARSH, ka nënshkruar, në kundërshtim me dispozitat përkatëse ligjore e nënligjore, ndryshimin e kontratës së lidhur më datë 27.04.2011 për ndërtimin e tunelit të Krrabës, duke i dhënë operatorit ekonomik të përzgjedhur për ndërtimin e tunelit edhe mirëmbajtjen e këtij tuneli për një periudhë një vjeçare. Kontrata e re për mirëmbajtjen e tunelit, me vlerë 165 milionë lekë, është nënshkruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar pa realizuar paraprakisht procedurat përkatëse të prokurimit.
Nga auditimi, rezultoi po ashtu se Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARSH) nuk ka patur asnjë justifikim ligjor në nënshkrimin e kontratës së mirëmbajtjes me operatorin ekonomik fitues të tenderit të ndërtimit të tunelit. Procedura e ndjekur nga ana e ARSH-së për nënshkrimin e një kontrate mirëmbajtje, pa iu nënshtruar paraprakisht procedurave standarde të prokurimit, ka shkaktuar pamundësinë e marrjes pjesë të operatorëve të tjerë ekonomik në këto procedura prokurimi duke shmangur kështu qëllimisht konkurencën ndërmjet operatorëve dhe favorizuar jashtë procedurave ligjore të njëjtin operator ekonomik më të cilin ishte nënshkruar edhe kontrata e ndërtimit të tunelit të Krrabës.
Nënshkrimi i kësaj kontrate nga S.Ç, ish-zv/drejtor i ARSH nëpërmjet një urdhër ndryshimi, nuk parashikohet në asnjë nen të kontratës bazë të datës 27.04.2011, për më tepër që punimet e ndërtimit janë shumë të ndryshme nga ato të mirëmbajtjes dhe shërbimi i mirëmbajtjes nuk mund të konsiderohet si zgjatje e kontratës së mëparshme, pasi ky shërbim nuk është i njëjtë me atë të ndërtimit të parashikuar në kontratën e datës 27.04.2011.
Për të gjitha shkeljet e konstatuara më sipër, KLSH ka depozituar pranë organit të Prokurorisë, kallëzim penal ndaj S.Ç, në cilësinë e ish-Drejtorit të Njësisë së Zbatimit të Projektit për ndërtimin e tunelit të Krrabës, i cili në mospërmbushje të detyrës së tij funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore ka favorizuar haptazi subjekte të caktuara në dëm të operatorëve të tjerë ekonomik, duke konsumuar kështu elementët e figurës së veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button