Libri

Kadare sjell “Mëngjese në kafe Rostand…”

Nis sot Edicioni i 17 i Panairit të Librit

Ismail KadareEdicioni i 17 i Panairit të Librit do të hapë siparin sot në orën 11.00, në Pallatin e Kongreseve. Për katër ditë rresht, vëmendja do të përqendrohet te libri. Pritet që shkrimtari i njohur Ismail Kadare, të prezantojë në këtë panair një botim të ri. “Mëngjeset në kafe Rostand, motive nga Parisi” është libri në ese i shkrimtarit, pas romanit “Mjegullat e Tiranës”.

Pas ceremonisë së hapjes lexuesi do të ketë mundësi të takohet menjëherë me autorë në stendë. Akademiku Rexhep Qosja do të jetë në orën 11:00 në stendën e shtëpisë botuese “Toena”. Këtë vit, Qose ka sjellë “Ditarët”, kujtimet e tij nga fëmijëria, jeta akademike, apo ajo çfarë ka ndodhur me Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë. “Kujtimet e Aleks Budës”, në librin me autore Tatjana Haxhimihalin, do të promovohen në orën 13:00. Po kështu, nesër do të kenë promovim librat “Nënëmadhja e fëmijëve” me autore Lumturi Vladi, “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore” me autor Paskal Milo, “Homo Balcanicus” me autor Niko Nikollën. Është ambasada franceze ajo që nis aktivitetet e ditës së dytë të panairit, me prezantimin e serisë së Tin Tinit. Personazhi i njohur për fëmijë, tashmë vjen edhe në gjuhën shqipe. Më pas një aktivitet kushtuar një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë arbëreshe Jeronim de Radës, do të mbledhë në një konferencë emra të njohur të studimeve shqipe, si prof. dr. Emil Lafe, prof. Diana Kastratin, dr. Moikom Zeqo, dr. Lili Sula, botuesi Mehmet Gëzhilli, për të sjellë një këndvështrim të kësaj figure e cila ka qenë e botuar para viteve ’90, edhe pse jo e plotë. Instituti Italian i Kulturës do të sjellë një konferencë ku referojnë prof. Matteo Mandala dhe prof. Francesco Altimari me temën “Roli kulturor i Napolit në Rilindjen kombëtare shqiptare”. Më pas, në orën 14.00, shtëpia botuese “Saras” do të prezantojë katër botimet e reja. Një nga librat më të përfolur mbi figurën e Ali Pashë Tepelenës, “Ali Pasha, krime famëkeqe” shkruar nga Alexandre Dumas, tashmë mund të lexohet në gjuhën shqipe nga “Saras”. Për herë të parë, “Saras” sjell në shqip një prej autorëve më të rëndësishëm të shekullit XXI, shkrimtarin nobelist V.S Naipaul me romanin “Qyteti bri lumit”, përkthyer nga Vladimir Marku. Ardhja e këtij novelisti në gjuhën shqipe është dhe një nga ngjarjet e këtij panairi. Saga e detektivit Jashim, vijon me botimin e romanit “Syri i keq”, një histori e cila të mban mbërthyer pas fletëve të librit deri në fund, nën përkthimin e Fari Laçkës. Dy autorët e njohur italianë Cocco & Magella do të vijnë me romanin “Hije mbi liqen”, një prozë e cila na çon në Italinë e viteve të Luftës së Dytë Botërore. Në ditën e dytë të Panairit, do të këtë promovime dhe shtëpia botuese “Plejad” me librat “Ali Pashë Tepelena”, autorë Gabriel Meksi – Vangjel Meksi. “Një javë plot të shtuna”, me autor Paul Maar do të prezantohet ditën e dytë. Në stendën e “Toenës” do të jetë shkrimtarja Mira Meksi në orën 18:00 për të prezantuar botimin e saj më të fundit. Të premten do jetë një konferencë mbi Shqipërinë në Luftën e Parë Botërore, ku do të referojë Luan Rama, ajo që do të hapë siparin e aktiviteteve. Më pas autori Zija Çela, do të jetë në orën 11:00 në stendën e “Toenës”. Në lëmin e promovimeve mbi De Radën, do të promovohet libri i prof. Jup Kastratit kushtuar kësaj figure. Në stendat e botuesve do të jenë dhe autorët Çlirim Hoxha dhe Besnik Mustafaj. Të shtunën do të bëhet ndarja e çmimeve të panairit, si dhe promovimi i librave “Shërbëtori i ‘zotërisë’ së pabesë” me autore Teuta Dhimarko Kasoruho, “Asgjë nuk ndodh rastësisht” me autore Alma Papamihali,“Druri pa emër” me autor Drago Jançar. Nuk do të mungojnë dhe autorët në stendë. “UET Press” do të ketë në stendë autorët Ben Blushi, Preç Zogaj, Ardian Civici, Belina Budini, Spartak Ngjela, Rudolf Marku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button