Politika

Pr/buxheti, Bushati: MPJ nuk do të paguajë më punonjësit e SHISH në ambasada

bushati_unKomisioni për Politikën e Jashtme diskutoi sot rreth shifrave të projektbuxhetit për vitin 2015 akorduar Ministrisë së Jashtme. I pranishëm në komision, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, tha se fondet buxhetore për vitin e ardhshëm kanë shënuar një rritje me rreth 15 milion lekë, të cilat do të shkojnë për mbështetjen e selive diplomatike dhe konsullore jashtë vendit.
Ai tha se rritje në buxhetin e MPJ-së pëson zëri i shpenzimeve operative dhe ai investimeve, ndërsa përmendi një fond prej 357 mijë euro, të cilat do t’i rialokohen ambasadave shqiptare jashtë vendit. Fondi në fjalë, sipas ministrit, u bë i mundur pas mbylljes së disa përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare, aktiviteti i të cilave do të mbulohet nga ambasada të tjera.
Një tjetër risi e lidhur me fondet për diplomacinë, e zbuluar sot në komision nga ministri Bushati ishte dhe një marrëveshje mes MPJ-së dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, ku ky i fundit, që nga janari i vitit të ardhshëm do të mbulojë shpenzimet e punonjësve të tij, që aderojnë në selitë tona diplomatike.
“Për herë të parë rakorduam bashkë me SHISH-n një marrëveshje, sipas së cilës të gjithë punonjësit e këtij Shërbimi, që sot për sot mund të jenë në ambasada të caktuara shqiptare, duke filluar nga viti tjetër shpenzimet e tyre nuk do të mbulohen më nga buxheti i MPJ-së, si deri më sot , por nga vetë buxheti i SHISH. Kjo është e njëjta skemë që bëjmë dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, e cila paguan ata punonjës të saj që janë në përfaqësitë tona diplomatike. Dhe nga ky zë do të çlirohet një fond, i cili po ashtu do t’i shërbejë veprimtarisë se selive diplomatike ne vendet e tjera”, tha ministri Bushati.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button