Libri

De Rada “kthehet” në atdhe

Botohet kolana e plotë e veprës së një prej figurave më të njohura të letërsisë arbëreshe, Jeronim de Rada

Kolana De Rada“… Dëgjohet një kambanë. Është kambana e Kishës së Shën Adrianit, në Shën Mitër. Duke u kthyer, njëri prej miqve të mi, Pino Cacozza, pa hyrë mirë në qytet, ndalon makinën poshtë një bliri dhe më rrëfen. Ishte pranverë kur vdiq De Rada. Ishte një ditë e bukur plot diell, ja si sot, lulet e këtij bliri kishin çelur më shumë se çdo herë tjetër. Kortezhi i përmotshëm kalonte duke mbajtur De Radën në krahë e duke e shoqëruar atë në banesën e fundit. Atëherë nuk bëheshin kurora me lule. Në të kaluar, sapo trupi i De Radës u gjet poshtë blirit, një erë e fortë fryu sinuk kish fryrë kurrë herë tjetër, dhe e mbushi arkivolin e hapur të De Radës plot lule. Njerëzit e tronditur nga kjo përkujdesje hyjnore lëshuan një britmë e njëherazi thanë: De Rada ynë i madh dhe hyjnor po ikën në krahët e Zotit!” – kështu e kujton arbëreshi Pino Cacozza përcjelljen për në banesën e fundit të një prej personaliteteve më të mira të letrave shqipe përtej Adriatikut, Jeronim de Radën. Gjithë jetën e tij, djaloshi pasionant i Napolit, ia kushtoi dashurisë që i vinte nga brigjet përtej, duke hedhur në vargje atë çka i vinte nga shpirti, për ta ruajtur gjuhën e të parëve dhe duke e përsosur atë. I botuar pjesërisht gjatë regjimit komunist në Shqipëri, tashmë De Rada “u kthye” në shtëpi. Vepra e plotë e publicistit, poetit dhe studiuesit tashmë mund të lexohet e gjitha në shqip, në një kolanë prej gjashtë botimesh. Vepra e plotë u prezantua dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në kuadër të aktiviteteve kushtuar 200-vjetorit të lindjes së tij. Ajo është përgatitur nën drejtimin e prof. Francesco Altimari-t, me koordinator botues prof. Matteo Mandala, me bashkëpunimin e Vincenzo Belmonte-s dhe Fiorela de Rosa, botuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës të Kosovës, Universitetit të Kalabrisë dhe Fondacionit “Francesco Solano”. Prof. Jorgo Bulo e ka quajtur këtë botim një ngjarje të vërtetë kulturore. Me këtë botim, De Rada ‘kthehet’ te dheu mëmë, jo me një monument prej bronzi, që për fat të keq na mungon edhe sot, por me veprën monumentale poetike të këtij rapsodi gjenial të kombit, që me këtë vepër vuri themelet e letërsisë kombëtare të shqiptarëve. Themelimi i letërsisë kombëtare, vepër njëkohësisht kulturore dhe kombëtare, përqendrohet te dy burra: De Rada në Itali dhe Naimi Frashëri në vendin mëmë, thotë profesor Çabej. “Ka qenë kjo një nga arsyet që De Rada të jetë një autor i studiuar dhe i botuar jo pak pas luftës këtu, në Kosovë dhe tek arbëreshët, por asnjëherë integralisht në këto përmasa dhe me këtë nivel të saktësisë, autenticitetit dhe interpretimit filologjik të tekstit”, tha prof. Bulo. Sipas tij, botimet e viteve të fundit të arbëreshëve kanë hapur një udhë të re në fushën e botimeve kritike të teksteve të traditës. “Nuk ka dyshim se botimet e kësaj natyre, jo vetëm që plotësojnë një kërkesë dhe një zbrazëti për njohjen e plotë të veprës së klasikëve tanë nga lexuesit, studentët, njerëzit e letrave dhe publiku i interesuar, por përfaqësojnë edhe për studiuesit e këtyre fushave një përvojë të re, të çmuar, që lë pas diletantizmin tekstologjik dhe shënon një standard të lakmueshëm për t’u arritur, një pikë referimi që vë përpara një përgjegjësie të lartë shkencore çdo projekt në fushë të albanistikës dhe të promovimit të trashëgimisë sonë letrare, si një pasuri dhe vlerë identitare e kombit. Nga ana tjetër këto botime, si dhe ky që kemi në dorë, me veprën poetike të De Radës në të gjithë variantet dhe redaktimet e autorit, dëshmojnë se filologjia bashkëkohore synon përtej tekstit të konservuar”, tha Bulo. Sipas tij, De Rada nuk është vetëm një poet i madh, por edhe një themelvënës i madh, themelvënës në disa fusha të krijimit shpirtëror dhe të veprimit kombëtar. Me veprën e tij poetike, ai hodhi hapin e madh të shkëputjes nga letërsia utilitare didaktike në letërsinë e shprehjes së përjetimeve subjektive të individit, nga faza parakombëtare në fazën kombëtare të letërsisë dhe të kulturës së shqiptarëve. “De Rada është kështu një pararendës i madh, që me ‘Milosaon’, para mesit të shekullit XIX, përuroi epokën moderne të letrave shqipe, duke sjellë i pari në to frymën dhe format e romantizmit me bukurinë magjike të verbit poetik të shqipes, në një kohë kur asaj, siç shprehej poeti, ‘i qe këputur më se një tel’. Me forcën e tij gjeniale krijuese, De Rada i lidhi fijet e këputura të gjuhës së vet amtare, siç desh të lidhte dhe hallkat e këputura të poemës kombëtare të shqiptarëve duke u dhënë atyre eposin e jetës së tyre historike e shpirtërore, të shestuar në përmasat e një afresku gjigant, me Skënderbeun e pafan dhe Këngët e Serafinës, një afresk të vizatuar herë me penelata lirike, herë me tone dramatike e herë me ngjyra tragjike, siç kish qenë edhe fati i tyre”, u shpreh Bulo. Gjithë ekzemplarët e shtypur të veprës së Jeronim de Radës, do t’u dhurohen bibliotekave në mbarë vendin, si edhe institucioneve të tjera të rëndësishme të lidhura me kulturën.

Ledi Shamku

Mirë se u ktheve!

U ktheve më në fund në dheun amë o himarjot! Jam kaq e lumtur, e prekur, e zdritur, e paduruar të të takoj! O himarjoti më i bukur i gjuhës sime po aq të bukur! U ktheve në gjithë shkëlqimin tënd! Për herë të parë botohesh i plotë dhe i gjithi në arbërisht. Çabej thosh për ty se ti ishe esteti më i madh i fjalës shqipe, por kur unë shkoja në shkollë, Çabej nuk rronte më dhe mua më ngucnin në dorë botimet e tua demek të përshtatura e të tjetërsuara gjuhësisht e artistikisht, jashtë çdo parimi filologjie, pa asnjë dije filologjike. Dhe ta mendosh që po studioja në Fakultetin e Filologjisë!!!
Tash të kam të gjithin të pacenuar, të plotë në hirin e fjalës sate. Të kemi të gjithë të gjithin!
Si thoshe ti për kohën e Gjergj Kastriotit? Moti i Madh? Ky për mua është prapë Moti i Madh – kam mundësi të takohem me ty pa dragomanë në mes, e të fjalosemi gjatë, shumë gjatë, për çka arbrit nuk e borën kurrë e tash na e risjellin si dorëzani besnike. Mirë se u ktheve i brishti qëndrestar arbëror! Kam mall për ty!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button