Home / Kryeartikull / A duhet të ndërhyjë Rama në krizën e Kosovës ?

A duhet të ndërhyjë Rama në krizën e Kosovës ?

ARBEN MANAJ

arben-manaj-1Nëse nuk e ka bërë një gjë të tillë ndërkohë pas kuintave, do ta quaja të vonuar. E nëse e ka bërë, dhe pa rezultat, do të duhet të kalojë në një marsh më të lartë.

Rama e ka detyrim moral dhe çështje “bese ndaj Kosovës”, që të ndërhyjë si Kryeministër i Shqipërisë në zgjidhjen e një impasi, që është turpërues për klasën politike kosovare, por edhe dëmtues për interesat e qytetarëve të Kosovës.

Pa dashur të hyj në teknikalitetet e kushtetutshmërisë së versioneve të palëve të kyçura në këtë papërgjegjshmëri tipike politike shqiptare, Rama do të duhet të ushtrojë trysninë e tij konstruktive dhe këshilluese, për domosdoshmërinë e gjetjes së një zgjidhjeje eminente të krizës qeveritare gjysmëvjeçare të Kosovës.

Shqipëria zyrtare ka një histori jo fort të lakmueshme të ndërhyrjeve dhe intervenimit në politikat e Kosovës dhe tek aktorët politikë, shpesh për protagonizma fiktivë dhe karta politike në sytë e faktorit ndërkombëtar, lëvizje që shpesh më shumë kanë prishur punë sesa kanë qenë dobiprurëse.

Kësaj here, gjërat ndryshojnë për shumë arsye dhe mbi të gjitha, për shkak të momentumit politik që ka Kryeministri i Shqipërisë pas ngjarjeve në Beograd.

Ai ka kredon dhe autoritetin maksimal për të qenë ndikues dhe efektiv në dhënien fund të një impasi që po i shkakton dëme të pallogaritshme shoqërisë dhe popullit të Kosovës.

Kemi të bëjmë me një ngërç, që ka kapluar një shoqëri me një nivel skandaloz dhe të paprecedentë papunësie në Ballkan e Europë, dhe një klasë politike të korruptuar, që e ka hallin më shumë te pushteti dhe frika nga gjykatat penale europiane, sesa për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Pa folur për mosdinjitetin e thirrjes së tyre për t’u thënë se si të sillen përpara do eurodeputetëve jo aq seriozë, sikur të ishin trazovaçë klasash fillore!

Ashtu siç me të drejtë tha Rama se është paradoksale që shqiptarët e Kosovës janë të vetmit që në kohët e vjetra lëviznin pa viza nëpër Europë, e në kohët tona janë të vetmit që nuk kanë një liri të tillë.

Por, ndërsa kjo e dhënë është e vërtetë, po aq e vërtetë është se faji kësaj radhe është edhe i impotencës së klasës politike të Kosovës, që me dritëshkurtësi, egon dhe etjen e pafund për karrige, në shenjë mospërfilljeje irrituese për interesat e atyre që kanë marrë votat, aq sa kanë marrë, i kanë lënë praktikisht shqiptarët e Kosovës dhe Kosovën pa përfaqësues të tyre legjitimë dhe me mandat për të biseduar me Brukselin.

Me kë të bisedoj seriozisht dhe formalisht Brukseli për proceset integruese në Kosovë në këtë impas të krijuar? Me një qeveri pa mandat të ri?

E kjo, ndër shumë pasoja të tjera, ka efekt edhe në ngecjen e procesit të shtyrjes përpara të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.

Ndaj dhe Kryeministri i Shqipërisë do të lipsej të ndërhynte me elegancën që ai dihet se e ka dhe me lidhjet që ka, por mbi të gjitha autoritetin dhe përgjegjësinë morale të shtetit amë, që të ushtrojë presion që t’i jepet fund budallallëkut dhe papërgjegjshmërisë politike të elitës aktuale drejtuese në Prishtinë.

Në fund të fundit, të mos e harrojmë se serbët e Kroacisë dhe Bosnjës nuk bëjnë asgjë pa bekimin e Beogradit.

Tiranës nuk po i kërkohet të aplikojë sjellje të tillë si serbët, por nëse shqiptarët e Shqipërisë janë “europianët e rinj të Europës”, kështu do të duhet të jenë edhe shqiptarët e Kosovës ose më saktë, politikanët e Kosovës, që po bëjnë lojën e serbëve në fund të fundit, në argumentin e tyre se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet.

Është fatkeqësi që shqiptarët në ato troje që janë, politikisht, janë shembulli se si nuk do të duhet të veprojnë, dhe kjo vlen edhe për Maqedoninë, ku janë masha në duart e Kryeministrit maqedonas, i cili i lëviz si personazhet nëpër teatro kukullash, apo më keq në Mal të Zi, janë ku thërret qameti dhe po shkombëtarizohen me shpejtësi të frikshme.

Rama do të duhet të ndërhyjë, që mendjet e nxehta dhe dritëshkurtra të politikanëve të Kosovës t’i japin fund krizës qeveritare, që të bëhen edhe ata partnerë seriozë në rrugëtimin integrues.

Rama do të duhet ta bëjë që edhe të ketë një qeveri të Kosovës, kur të bëjë mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive apo të takojë në Prizren jo vetëm Hoxhajn, por edhe Thaçin, qoftë edhe për një drekë çlodhëse rrugës nga Beogradi për në Tiranë.

Më shumë se Rama në kushtet aktuale, nuk ka kush e bën një gjë të tillë më mirë, për më tepër që në emër të atyre parimeve që foli në Beograd, do të duhet të jetë prezent edhe për defektet e politikës kosovare, që kanë rrëmbyer interesat afatshkurtra dhe afatgjata integruese të shtetit më të ri në Europë, drejt Brukselit dhe një shteti funksionues.

Kjo është një domosdoshmëri politike mbarëkombëtare dhe një destin historik për Ramën.

Tekembramja, Kosova nuk është se nuk e njeh praktikën e zarfit me emrin brenda, të Jahjagëve që drejtojnë Kosovën, qoftë edhe si shenjë kompromisi dhe mekanizëm për të zhbllokuar impase politike.

Leave a Reply

%d bloggers like this: