Ekonomia

Ulen vjedhjet tek “arka”, rritet katërfish korrupsioni i drejtorëve

Raporti i KLSH për 9-mujorin, vlera totale e dëmit, 24 miliardë lekë. Ankesat e qytetarëve, për tenderët dhe pronat

Nga Zamir Alushi 

cartoon1Rritet abuzimi dhe korrupsioni i drejtorëve të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, krahasuar me një vit më parë. Gjithsesi, shifrat e raportit të KLSH-së për 9-mujorin 2014, në raport me konkluzionet e së njëjtës periudhë të audituar në 2013-n, tregojnë përmirësim të lehtë në fushën e disiplinës financiare të të ardhurave dhe shpenzimeve. Kështu, ulet vlera e dëmit të shkaktuar nga administrata prej shkeljeve që lidhen direkt me arkën, por rritet mbi katër herë shuma e munguar në buxhet si rrjedhojë e veprimeve të paligjshme në fushën e administrimit të institucioneve.

Krahasimi

Nga auditimet e ushtruara, KLSH-ja ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 10.8 miliardë lekësh. Ndërsa shkeljet e disiplinës financiare me ndikim negativ nën performancën e subjekteve të audituara, kapin shumën e përgjithshme prej 13.2 miliardë lekësh. Këto abuzime i përkasin veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën 2011–2013 dhe 6-mujorit të parë 2014. Nga auditimet e ushtruara gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2013, parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera, sollën një dëm efektiv në shumën 14.6 miliardë lekë. Ky zë, sipas auditimeve të së njëjtës periudhë të vitit 2012, ka qenë pak më mirë, me vlerën e dëmit 13 miliardë lekë. Ndërkaq, grupi i shkeljeve të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, solli dëmin në shumën e përgjithshme 3.4 miliardë lekë. Në vitin 2012, ky zë është vlerësuar të ketë sjellë 1.6 miliardë lekë dëme në buxhetin e shtetit.

Kontrollet

KLSH-ja ka ushtruar 155 auditime. Kontrollet në institucionet e administratës së qeverisjes vendore dhe njësi të tjera në nivel vendor zënë përqindjen më të lartë (41%); në ministritë dhe institucionet qendrore (26%); në drejtoritë e degët e tatim-taksave e të doganave (15%); në institucionet financiare dhe shoqëri me kapital të përbashkët shtetëror (9%); në subjektet të mbrojtjes së mjedisit 4%.

Zëri “të tjera”

Vlera më e madhe e shkeljeve të disiplinës financiare me të ardhurat dhe shpenzimet është në shtyllën “të tjera”. Në këtë grup, është futur “Albpetrol” sh.a. Fier, ku janë zbuluar dëme në vlerën 5 miliardë lekë, si prodhim i padorëzuar

nga kompanitë koncesionare që përfshin pjesën e prodhimit paraekzistues dhe pjesën e “Albpetrolit”, konform marrëveshjes hidrokarbure; dëm financiar nga dy marrëveshje të lidhura me kompaninë “Stream Oil & Gas ltd”, si edhe penalitete e kamatëvonesa të pavjela me “Stream Oil” dhe “General Beton”. Më tej theksohen shkeljet e projekteve: “Menaxhimi i mbetjeve të ngurta të Tiranës”, DPUK Tiranë dhe “Programi rural i furnizimit me ujë”, në vlerat respektive 47.9 milionë lekë dhe 3.3 milionë lekë, si përfitime të padrejta për punime të pakryera, ku janë raportuar volume më të mëdha se ato të kryera në fakt. Ndërsa Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë, ka sjellë dëm ekonomik në vlerën 105 mijë lekë, nga mosderdhja në bankë e të ardhurave të realizuara nga shitja e biletave. Dy raste shkeljesh me dëme nga 93 milionë lekë, 23 milionë lekë janë zbuluar tek ALUIZNI Kavajë dhe Durrës. Aty llogaritej më pak tokë sesa merrej në fakt nga pronarët. Shkelje janë zbuluar në Institutin e Shëndetit Publik Tiranë, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Tiranë (në vlerën 308 milionë lekë), Bankën e Shqipërisë, Tiranë, (në vlerën 356 milionë lekë), për parregullsi financiare me efekt negativ në përdorimin e fondeve publike. Ndërkaq, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Tiranë, ka sjellë dëme si rezultat i kontratave të parregullta të punësimit.

Për kë ankohen qytetarët?

KLSH-ja ka trajtuar edhe 253 letra dhe ankime të kryera nga qytetarët gjatë nëntë muajve të kaluar. Numri më i madh i letrave (104), ka të bëjë me çështjet e administrimit financiar. Nga këto, 16 janë konstatuar se janë të drejta, për 39 letra vazhdon verifikimi, 32 janë verifikuar dhe personat nuk kanë të drejtë, ndërsa 17 letra nuk janë kompetencë e KLSH-së. Vendimin e dytë të letrave të qytetarëve, e zënë ato që kanë të bëjnë me kthimin e pronave dhe privatizimet. Janë 87 letra të tilla, por 40 prej tyre janë gjykuar se nuk hyjnë në kompetencën e KLSH-së. Ndërkaq, vazhdon verifikimi për 35 letra, shtatë janë konsideruar ankesa të drejta dhe pesë të padrejta. Numri më i vogël i ankesave vjen për zyrat e tatim-taksave dhe doganave. Vetëm pesë letra ngrenë shqetësime lidhur me këto institucione. Nga këto, njëra ankesë është konstatuar e drejtë, dy të padrejta dhe dy letra kanë probleme jashtë juridiksionit të KLSH-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button