Amerika

Presidenti Obama mund të përdorë urdhërin ekzekutiv për imigracionin

Uashingtoni po bëhet gati për një tërmet të mundshëm politik gjatë kësaj jave, në qoftë se Presidenti Barack Obama realizon premtimin e tij për të reformuar sistemin shpesh të kritikuar të imigracionit përmes një urdhëri ekzekutiv. Zoti Obama mund të anashkalojë Kongresin për të mbrojtur miliona emigrantë pa dokumente nga deportimi – një veprim që do të nervozonte republikanët të përgatitur për të marrë kontrollin e plotë të kongresit në janar.

emigrante

Çfarë do të bëhet me gati 12 milionë njerëz që jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, disa prej të cilëve kanë tashmë fëmijë të lindur në Amerikë? Për vite, Kongresi ka debatuar këtë çështje por pa mundur të miratojë ligjin për reformën e imigracionit.

Në qershor, presidenti Obama dukshëm i nervozuar, tha se durimi ka kufi:

“Po filloj një përpjekje të re për të ndrequr sa më shumë që të mundem nga sistemi i imigracionit.  Në se Kongresi nuk e bën punën e tij, të paktën ne duhet të bëjmë tonën.”

Presidenti premtoi përsëri gjatë turneut në Azi javën e kaluar duke thënë se republikanët duhet të fajësojnë veten e tyre në se ai vepron i vetëm.

“Jam gjithnjë i interesuar për të negociuar një zgjidhje të problemit të imigracionit dhe në momentin që ata të miratojnë një projekt-ligj që mund ta nënshkruaj që rregullon sistemin e imigracionit, atëherë çdo veprim ekzekutiv mund të anashkalohet. Pra ata e kanë mundësinë të ndreqin sistemin. Por nuk është e mundur të më presin mua të rri pa vepruar përjetësisht me këtë sistem jofunksional.”

Reagimet në Kongres ishin të ashpra. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner:

“Ne do ta luftojmë presidentin me të gjitha mjetet në se vazhdon në këtë rrugë. Kjo është mënyra e gabuar për të qeverisur. Kjo është ajo që tha populli amerikan ditën e zgjedhjeve. Pra të gjitha mundësitë janë në tryezë për diskutim.”

Kjo pikëpamje u përcoll edhe nga senatori, Mitch McConnell, i cili në janar do të bëhet udhëheqësi i shumicës në Senat.

“Ndoshta kam shpresuar me naivitet që presidenti do të shihte rezultatet e zgjedhjeve dhe do të vendosje të afrohej dhe të bashkëpunonte me ne. Ende shpresoj se do ta bëj këtë në njëfarë pike, por shenjat e para nuk janë të mira.”

Çdo veprim ekzekutiv që presidenti merr mund të sfidohet në gjykatë. Përveç kësaj, kryetari i dhomës së Përfaqësuesve, Boehner nuk përjashtoi mundësinë e bllokimit të buxhetit, një lëvizje që mund të shkaktojë një mbyllje të operacioneve jo-jetike të qeverisë muajin e ardhshëm.

Por disa anëtarë të partisë demokrate të presidentit thonë se veprimi ekzekutiv mbi reformën e imigracionit është më mirë se sa mossveprimi, cilado qoftë kostoja politike:

“Ne duam që presidenti të veprojë fuqishëm, me vendosmëri dhe tani”, – thotë ligjvenësi Luis Gutierrez:

Republikanët thanë se një urdhër ekzekutiv mbi imigracionin do të acaronte më tej marrëdhëniet mes Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë në dy vitet e fundit të zotit Obama në detyrë. Por presidenti duket i gatshëm ta ndërmarrë këtë rezik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button