Home / Arte / Ekspozita / Një pyetje për Jolandën

Një pyetje për Jolandën

Jolanda-216x320Artistja Jutta Benzenberg sjell në një ekspozitë foto të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, në galerinë “Tulla”

Jolanda“Pyetja ime është për fotografinë nr. 1, Jolandën. Si arrite të ruash buzëqeshjen në fytyrë, pas një regjimi aq të egër, siç ishte ai i Hoxhës?” Në bllokun e kuq vendosur në tavolinën e drunjtë, sipër së cilës në mur shkruhet: “Për çfarë do t’i pyesnit ata?”, një vizitore e huaj ka lënë këtë pyetje teksa ka parë ekspozitën e hapur në Qendrën e Artit Bashkëkohor “Tulla” të fotografes Jutta Benzenberg. Në hapësirën gjysmë të errët paraditen e së hënës, fotot e vendosura shumë pranë njëra-tjetrës të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore të krijonin një tjetër gjendje. Me fytyrën e mbështetur në duar, Jolanda Klosi duket aq e bukur dhe pse në këtë foto duhet t’i ketë kaluar të 75-at. Si nuse në familjen e saj, Jutta ka mundur të sjellë në fotografi shpirtin dhe jetën e kësaj gruaje, e cila u rreshtua në krah të luftës antifashiste, duke u arrestuar dy herë. Në këtë foto shihet e gjithë jeta e saj, rinia e hershme në qytetin e Elbasanit, ku vajza e tretë e familjes së Aleksandër Xhuvanit, do të binte në sy për bukurinë e saj. Në familjen e gjuhëtarit dhe pedagogut të shquar, njërit prej themeluesve të sistemit arsimor të Shqipërisë dhe drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit, Jolanda u rrit me dashurinë për vendin e saj dhe gjuhën shqipe. Qysh në vitet 1940-1941, me zgjimin dhe rritjen e Lëvizjes Antifashiste, fëmijët e Xhuvanit: Ptolemeu, Pleurati, Jolanda, Genci deri dhe Semirami e vogël, u bashkuan me të, kush drejtpërdrejt në luftime e kush me veprimtari në shkolla e gjetiu në qytetin e Elbasanit ose krahinat përreth. Shërbëtorët e Gestapos e arrestuan dy herë, në janar dhe në korrik 1944, kur mundi të arratisej dhe të hidhej në terren në krahinën e Zarranikës. U bë anëtare e Partisë Komuniste prej shkurtit të vitit 1943. Me krijimin e Brigadës së 17 Sulmuese në Gjinar të Elbasanit, bëhet partizane e saj dhe zv.komisare e Batalionit të Dytë. Mori pjesë në disa luftime, si në betejën e madhe të Mushqetasë, në nëntor 1944. Pas Çlirimit, pati disa funksione, si në komitetet e rretheve të Librazhdit, të Tiranës. Pas martesës me Bilbil Klosin, ajo u vendos në Tiranë, ku pati një familje me pesë fëmijë e shumë nipër e mbesa. Jutta duket se e njeh shumë mirë historinë e kësaj gruaje, këtij personazhi që sot na flet me vështrimin e përqendruar diku nga fotografia. Në një tjetër foto, ajo i mban duart kryq në bel, veshur me këmishën e zezë me kopsa dhe flokët e kapur anash me karficë. Portreti i saj gati-gati fëminor në sinqeritet, ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të kësaj ekspozite. Pjesa më e madhe e pyetjeve në bllokun e shënimeve janë për të. “Jolanda, je shumë e bukur”, shkruan një tjetër. Deri kur doli në pension, më 1972, Jolanda Klosi ka dhënë mësim e ka qenë drejtuese në disa institucione si: Politeknikumi “7 Nëntori”, gjimnazi “Qemal Stafa”, Instituti Pedagogjik, Instituti Bujqësor Kamzë, Instituti i Lartë i Arteve. Breza të tërë mësuesish, agronomësh, aktorësh e artistësh e të tjerë e kujtojnë përherë si një njeri të drejtë e të respektuar. Humbjet e mëdha që pati në jetë duket se e kanë bërë më të fortë këtë grua. Në portretin e saj reflektohet besimi dhe mënyra sesi ia ka dalë të shohë përpara. “Për çfarë do t’i pyesnit ata”, quhet ekspozita e artistes Jutta Benzenberg, e cila do të qëndrojë e hapur në galerinë “Tulla” deri më 10 dhjetor. Veteranët e luftës, e tregojnë historinë përmes portreteve të realizuara nga Jutta. Mjafton një vështrim për të hyrë në botën e tyre. Xhaferr Peçi, Nuredin Dushani, Melpo, Rustem Peçi, Ziqeri Mero, Rita Marko, janë protagonistët që janë fokusuar në aparatin fotografik të artistes për të shpjeguar Luftën e Dytë Botërore nga një tjetër kohë. Në vitet ’43-’44, ata nuk ishin më shumë se 22 vjeç. Jutta i ka takuar më shumë se gjysmëshekulli më pas, ku forca e rinisë ka mbetur veç në shenja mbi fytyrë. “Puna e Jutta-s ka qenë shumë e vështirë fillimisht për t’i identifikuar veteranët dhe mbi të gjitha për të gjetur stereotipat më shprehëse për kohën ku jetojmë. Më pas, ajo i ka ruajtur për orë të tëra për t’i fiksuar në vetëm pak të qindtat e sekondës, kur shfaqej karakteri i duhur. Një punë realisht stërmunduese kur mendon vështirësinë që kërkon një punë e tillë, ku era e jetës nuk fal dhe i ruan t’i marrë në grackën e vet të fundit këto personazhe. Jutta, vetë, me anë të kësaj ekspozite, është njëjtësuar duke e tejkaluar kohën, duke dhënë një nderim për veteranët e të gjithë luftërave. Dhe, ky duket edhe misioni i saj në art, për ta përcjellë subjektin dhe ta bëjë universal. Kjo ekspozitë është një homazh i madh për ata që i dhanë jetën lirisë së Shqipërisë e, nga ana tjetër, një shikim tejet modern, përmes plastikës dhe kompozicionit të imazhit prej kësaj fotografe të jashtëzakonshme sesi brezi i ri mund t’i perceptojë ata përmes fokusit të saj. Një mesazh i së shkuarës, me lentet e sotme, për të parë në sy të ardhmen”, shprehet për këtë ekspozitë, gazetari Ben Andoni. Në fakt, titulli i ekspozitës të bën të reflektosh. Mesazhet e lëna në bllokun e shënimeve e tregojnë këtë. Kureshtja për të shkuarën vijon të jetë e madhe. “Unë do të doja t’i pyesja ata për jetët e tyre. Si vazhdoi ajo pas luftës? Çfarë do të veçonin?”, pyet Kristini. “Cila ka qenë periudha më e vështirë e jetës suaj: lufta, komunizmi, demokracia?” është një tjetër pyetje …

Leave a Reply

%d bloggers like this: