Ekonomia

Nga muaji gusht, “Bankers Petroleum” 30% të naftës ja shet “Armo”-s

bankers-petrol1Kompania kanadeze “Bankers Petroleum”, një nga kontribuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit dhe kryesori në eksportet shqiptare, nga muaji gusht 30% të prodhimit të saj ja shet kompanisë së përpunimit “Armo”.
Drejtori i Përgjithshëm i “Bankers Petroleum Albania” Leonidha Cobo tha për ATSH-në se, “duke nisur nga muaji gusht me lidhjen e kontratës, 30% të prodhimit tonë ja shesim kompanisë së vetme të përpunimit në vend të naftës, “Armo”.
Sipas tij, kjo kompani i detyrohet “Bankers” për një shumë jo të vogël, por me lidhjen e kontratës, bashkë me blerjen e naftës është zgjidhur dhe çështja e detyrimeve të prapambetura të krijuara vitet e fundit nga “Armo”.
Duke pohuar se për herë të parë “Bankers Petroleum” ka marrë rimbursimin e TVSH-së, Cobo vlerëson shumë pozitivisht këtë proces të qeverisë si “një hap shumë i mirë që rrit besimin dhe nxit biznesin”.
Ndërsa “Bankers Petroleum” është në procesin e rishikimit të kontratave të shitjes së naftës për vitin 2015, deri sot, nafta shqiptare e nxjerrë nga kjo kompani eksportohet në Spanjë për kompaninë “Rep Sol”, në Itali për kompanitë ENI dhe API, në Francë për kompaninë “Total”, thotë Cobo.
Kompania “Bankers Petroleum” zë vendin e parë me rreth 40% të totalit të investimeve të huaja (IHD) në Shqipëri.
Prej vitit 2004 kur nisi të operojë me marrëveshje koncensionare për nxjerrjen e naftës në Patos-Marinëz, zona më e madhe naftëmbajtëse në Europë dhe deri sot, “Bankers Petroleum” ka investuar në 10 vjet mbi 1,4 miliardë usd dhe nga 600 fuci naftë/ditë në 2004, ka arritur sot prodhimin ditor mbi 20.000 fuci naftë.
Totali i puseve të shpuara në periudhën 2004-2014 arrin 470 ndërsa ka pastruar mbi 600 sheshe pusesh të ndotura. Kompania parashikon të hapë dhe 995 puse të tjerë deri në fund të kontratës 35-vjeçare.
Me hapjen e puseve horizontalë, një teknologji e fjalës së fundit sot, kompania kanadeze ka dyfishuar rezervat e nxjerrshme nga 101 milionë fuçi naftë në vitin 2006, në 232,2 milionë fuçi naftë, ndërsa llogaritet që rezervat gjeologjike të naftës në këtë zonë të arrijnë në 5,1 miliardë fuçi naftë.
Strategjia e kompanisë përfshin tre pjesë: programin e shpimit, zgjerimin e marzhit të produktit, vlerësimin e metodave me polimer dhe ujë për rimëkëmbjen e zonave naftëmbajtëse, duke rritur prodhimin dhe ruajtur vendburimet e naftës.
Programi i shpimeve të puseve horizontale ka rritur me 10-15% prodhimin vjetor.
Sivjet nga muaji mars, kompania ka futur 6 sonda shpimi duke hapur 150 nga 170 puse horizontale të planifikuar për vitin 2014. Pjesa kryesore janë në zonën e Patos-Marinzës dhe një numër më i vogël për eksplorim dhe mbledhjen e të dhënave për shpime të reja në pjesën jugore si dhe në fushën e Kuçovës.
Duke nisur nga viti 2013 dhe në vijim, “Bankers Petroleum” ka nisur të zbatojë metodën e re të injektimit në zonat pilot, ku injekton ujë dhe polimer për të rritur prodhimin e naftës nga puset horizontale, prej të cilit, prodhimi i naftës është rritur duke tejkaluar pritshmërinë me 10% më shumë.
Vitin e kaluar, “Bankers Petroleum” uli ndjeshëm kostot në disa shërbime, si energji dhe transport, ndërsa synon në vijim projekte të veçanta për të vijuar me reduktimin e shpenzimeve. Sivjet investimet kapin vlerën 495 milionë usd, ku 95% e tyre janë investuar për hapjen e puseve horizontale dhe ato me injektimet me ujë dhe polimer.
“Bankers Petroleum” me 2300 punonjës është kontribuesi kryesor për të ardhurat që derdh në buxhetin e shtetit.
Sivjet kjo kompani ka derdhur në buxhetin e shtetit 210 milionë usd, prej të cilëve, 92,2 milionë usd për rentën minerare, 40 milionë usd akcizë, 28 milionë usd taksë karboni, 30 milionë usd për “Albpetrol”, etj.
Që nga viti 2008 deri sot, arrin në mbi 304 milionë usd shuma e taksave dhe rentës minerare që ka derdhur në buxhet, 6,5 milionë usd si taksa lokale për bashkitë dhe komunat, investimet për rehabilitim mjedisor mbi 20 milionë usd, projektet në komunitet në 4,5 milionë usd, etj.
“Bankers Petroleum” për herë të parë si kompani shqiptare renditet ndërmjet 100 kompanive më të mëdha në Rajonin e Europës Juglindore sipas listës së realizuar nga “SEE News”, ku kryesisht kryesojnë firma nga Kroacia dhe Serbia.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button