Kronika

Durrës, 50-vjeçari vritet me 6 plumba në kokë, gjendet e braktisur makina e autorëve

muratiGjendet e braktisur në Vorë makina e autorëve që ekzekutuan mbrëmjen e djeshme biznesmenin Leonard Murati. Burime nga policia bëjnë të ditur se automjeti tip Mercedez-Benz ngjyrë e zezë me targa Kruje është gjetur i braktisur në një lagje në Vorë. Policia po punon për të gjetur gjurmë të autorëve brenda automjetit, ndërkohë që ka shoqëruar 10 persona të dyshuar.

50-vjeçari Leonard Murati, i njohur si kundërshtari i Lul Berishës u qëllua për vdekje në derën e lokalit të tij “Bar Center”, në qendër të qytetit të Durrësit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku, mbrëmë bënë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:20. Vrasja e babait të dy fëmijëve ka alarmuar blutë, ndërsa ka rikthyer frikën e përplasjeve të vjetra mes grupeve kriminale në këtë qytet. Forca të shumta policore kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet. Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake ka rezultuar se 50-vjeçari Murati është qëlluar nga dy persona ende të paidentifikuar. Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet se vrasja është kryer për hakmarrje. Kjo dhe për faktin se viktima njihej si person me precedentë të mëparshëm penalë (është akuzuar për vrasje dhe pengmarrje në vitin 1999). Mbi 10 persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, ndërsa dyshohet që krimi të jetë kryer nga vrasës me pagesë.

Klientë të “Bar Center” janë bërë dëshmitarë të vrasjes makabre të 50-vjeçarit. “I pamë dy atentatorët e Leonard Muratit. Ishin dy djem të rinj, të veshur me bluza të zeza dhe në pjesën e kraharorit me vija të bardha. Njëri prej tyre hapi derën e lokalit dhe thirri pronarin duke i thënë: ‘Nardi, hajde pak’. Ai shkoi tek dera, kur personi që e thirri e qëlloi disa herë në kokë”. Kështu ka deklaruar në polici njëri prej dëshmitarëve okularë. Ndërsa, një tjetër dëshmitar ka pohuar se “dy atentatorët kanë ecur më këmbë deri në cep të Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, ku i priste një person i tretë me makinë. Para se të hipnin në makinë, njëri prej dy autorëve i ka thënë drejtuesit të mjetit: ‘U vra. Është e përfunduar. Tani të ikim me vrap’”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button