Home / Arte / Ekspozita / Art me dhomat e Enver Hoxhës e Mehmet Shehut

Art me dhomat e Enver Hoxhës e Mehmet Shehut

Hapet sot, pas 35 vitesh, tuneli antibërthamor i komunizmit. Hapësirat të parashikuara për mbledhjet e Byrosë Politikë, dhomat e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, do të shndërrohen në hapësira të një ekspozite të quajtur “Bunkart”, kushtuar 70-vjetorit të Luftës së Dytë Botërore dhe periudhës së diktaturës në vend …

art“… Ne kemi një provë praktike, që tregon se forcat e bashkuara të punëtorëve dhe të fshatarëve të çliruar nga zgjedhja e kapitalistëve bëjnë me të vërtetë çudira.” Kjo shprehje e Leninit, e shkruar mbi një pllakat të verdhë, nuk është zbehur nga koha dhe pse ka mbi 35 vjet nga shkrimi i saj. E vendosur në një cep të hapësirës së bunkerit antibërthamor të nomenklaturës komuniste, i inauguruar më 1978-n, ky pllakat nuk është e vetmja shenjë e mbetur nga kjo “perandori” nëntokësore që diktatura i bëri vetes. Dhoma ku mendohej të flinte ish-kryeministri Mehmet Shehu, në rast rreziku ka të njëjtën formë sipas arredimit të bërë nga projektuesit e bunkerit. Një abazhur i gjelbër vazhdon të qëndrojë mbi komodinën e vogël bri shtratit, mbi dyshemenë me moket kaf ashtu si muret. Batanijet blu me viza të bardha si çarçafët, ishin zgjedhur me kujdes për kryeministrin. Një hapësirë të tillë kishte dhe ish-udhëheqësi komunist Enver Hoxha. Një zyrë e madhe luksoze shërbente për të dhe bashkëshorten e tij. Zyra përbëhej nga një paradhomë, në të cilën qëndronte sekretari personal, një zyrë pune, një dhomë gjumi dhe një banjë. Mobilimi është esencial, edhe pse nuk është i një luksi të veçantë, mbetet më eleganti nga të gjitha mjediset e tjera. Vetëm kjo dhomë ka mure të veshura me fibër, e cila në atë kohë konsiderohej një vlerë e madhe. Por, Enver Hoxha nuk ka fjetur asnjëherë në këtë dhomë, edhe pse mori pjesë në dy stërvitje ushtarake pas inaugurimit zyrtar që iu bë bunkerit më 24 qershor 1978. Zyra e madhe ku Byroja Politike do të mblidhej të bënte mbledhje në rast rreziku, nuk ka ndryshuar. Gjithçka nëntokë ka mbetur si në vitet ’80, kur anëtarë të Byrosë zbrisnin për të vizituar këtë bazë të rëndësishme. Bunkeri, i cili ndodhet pranë Batalionit Mbështetës të Shtabit të Përgjithshëm, njohur ndryshe si Batalioni “Diko Zeqo”, rruga e Shish-Tufinës, 1.5 km larg qendrës spitalore “Nënë Tereza”, do të hapet sot për publikun në orën 11:00, në prani të Kryeministrit Edi Rama. Hapja e dyerve të një prej mistereve të nëntokës, të cilën diktatura komuniste e shndërroi në hapësira të tilla në rast rreziku të një sulmi imperialist, do të shoqërohet me një ekspozitë të quajtur “Bunkart”, nën kurimin e historianes Sonila Boçi dhe gazetares Admirina Peçi. Kjo, pasi shoqërimi në një hapësirë të ndaluar për vite me radhë, do të ishte më domethënës me foto e dokumente që të çojnë në Shqipërinë e viteve të komunizmit, për të kuptuar më mirë kohën. Ekspozita do të vijë si një homazh me rastin e 70-vjetorit të Luftës së Dytë Botërore. “Duke përdorur forma të ndryshme të shprehuri, që nga fotografia te dokumentet, videot dhe objektet autentike, Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri, bashkë me pasojat e saj, vjen këtë herë më e plotë, më e balancuar, me shumë fakte të reja dhe gjithëpërfshirëse, duke mos u ndalur vetëm te rezistenca, por duke përfshirë të gjitha elementet e jetës së Shqipërisë në luftë, e jetës politike, por edhe sociale”, thotë Peçi.

Dhoma e Mehmet Shehut 

Në epokën e ndërtimit të bunkerit (1972 – 1978), kryeministër ishte Mehmet Shehu, që në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes e kishte surpervizuar të gjithë ndërtimin e strukturës. Ky strehim, i përbërë nga paradhoma për sekretarin, dhoma pune, dhoma gjumi dhe banjë, është vendi i dytë më luksoz i gjithë strukturës; është e vogël vetëm pak metra në krahasim me atë të Enver Hoxhës. Ndërsa në dhomat e Enver Hoxhës muret janë të veshura me fibrën e shtrenjtë, muret në dhomat e Mehmet Shehut janë të veshura me dru.

 

Dhoma e Enver Hoxhës

Komandanti suprem i Forcave të Armatosura në epokën e ndërtimit të bunkerit (1972 – 1978), ishte Enver Hoxha. Kështu, kjo zyrë ishte më e madhe dhe më luksoze nga të gjitha dhe shërbente për të dhe bashkëshorten e tij. Zyra është e përbërë nga një paradhomë, në të cilën qëndronte sekretari personal, një zyrë pune, një dhomë gjumi dhe një banjë. Mobilimi është esencial, edhe pse nuk është i një luksi të veçantë, mbetet më eleganti se të gjitha mjediset e tjera. Vetëm në këtë dhomë, në atë të dedikuar për Kryeministrin dhe në atë të kreut të Shtabit, ishte vendosur moket. Vetëm kjo dhomë ka mure të veshura me fibër (në atë kohë konsiderohej me vlerë të madhe). Enver Hoxha nuk ka fjetur asnjëherë në këtë dhomë, edhe pse mori pjesë në dy stërvitje ushtarake pas inaugurimit zyrtar që u bë me 24 qershor 1978.

 

Ekspozita

“Bunkart” është një ndërthurje mediumesh, ku linja historike, muzeore dhe artistike, bëhen bashkë për të përcjellë te vizitorët mesazhe të qarta për dy periudhat më të diskutuara të historisë sonë, periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe atë të regjimit komunist në Shqipëri.

Aktiviteti organizohet në përkujtim të 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga nazifashistët dhe 25-vjetorit të rënies së murit të Berlinit. Për të përkujtuar 70-vjetorin e Çlirimit, një pjesë e madhe në “Bunkart” i është lënë ekspozitës që përkujton Luftën e Dytë Botërore. Ekspozita përfshin pragluftën dhe pushtimin italian, vitet e para të rezistencës, deri në kapitullimin e Italisë fashiste, për t’ia lënë vendin periudhës së pushtimit gjerman deri në çlirimin e vendit. Pushtimi i Shqipërisë dhe rezistenca kundër pushtuesve pati rrjedhoja jo të parëndësishme në historinë e shqiptarëve, prandaj ekspozita u ka dedikuar një hapësirë edhe këtyre ngjarjeve. Rezistenca e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore u njoh dhe u bë pjesë e koalicionit të Kombeve të Bashkuara, kështu nuk mund të mos kishte një vend të veçantë edhe hapësira kushtuar diplomacisë gjatë këtyre viteve. Një hapësirë e kufizuar i kushtohet edhe regjimit komunist, e trajtuar kjo më shumë si simbolike sesa si histori mirëfilli e ku përballet ana e errët e regjimit me reformat për ndërtimin e ‘Shqipërisë së Re’. Linja muzeore trajton në detaje gjithë historikun e ushtrisë shqiptare, duke i dhënë një frymëmarrje dhe ripërtëritje të veçantë këtij objekti simbol të pozicionit të Shqipërisë komuniste gjatë Luftës së Ftohtë e duke i njohur vizitorët me historikun e plotë të këtij objekti. Për kuratorët, mjaft ngacmuese për vizitorët do të jetë edhe linja artistike, ku përmes videove dhe instalacioneve përcillen ide ngacmuese të artistëve të rinj shqiptarë e të huaj dhe jepen mesazhe të forta për temat e trajtuara prej tyre. “Ekspozita mbyllet me dy ambiente kushtuar periudhës së komunizmit, dy ambiente si dy anë të një medaljeje, e parë si simbol më shumë sesa histori mirëfilli. Është parë ana e errët e regjimit, me propagandën, gjyqet famëkeqe dhe krimet, por edhe ana tjetër që dëshmon reformat në arsim, industri etj., pra përpjekjet për ndërtimin e ‘Shqipërisë së re’”, thotë Peçi. Sipas saj, kjo mbyllje nuk është bërë pa qëllim, pasi ky simbol, këto mesazhe që vijnë prej saj dëshmojnë nevojën për ta trajtuar tashmë shkencërisht nga ana historike e muzeore këtë periudhë thuajse të panjohur për shumë turistë të huaj, por edhe për brezin e ri të shqiptarëve, që duan të dinë si ishte Shqipëria nën regjimin komunist.

Tuneli

I quajtur objekti nëntokësor 0774, ai ishte vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm. Tuneli ka nisur të ndërtohet në shtator të vitit 1972. Pjesa strukturore e mureve u përfundua më 1 maj 1975, ndërsa u deshën dhe tri vite të tjera për të plotësuar përfundimin e impianteve dhe të sistemit të ndërlidhjes. Inaugurimi u bë më 25 qershor 1978. Sipërfaqja totale është 2685 metra katrorë, e shpërndarë në pesë nivele dhe përmban 106 zyra dhe një sallë Kuvendi-kinemaje. Qëllimi i ndërtimit të këtij objekti ka qenë për funksione ushtarake, për të garantuar funksionimin normal të linjës së komandim-drejtimit politik dhe ushtarak në kohë krize, duke garantuar kushtet për strehimin e gjithë lidershipit politik dhe ushtarak të vendit. Kjo është e vetmja strukturë që ka parishikuar një sallë, ku do të mund të mblidhej Parlamenti shqiptar në rast lufte. Ideja lindi pas një vizite që krerët ushtarakë shqiptarë bënë në vitin 1964 në Korenë e Veriut, ku ishte traditë që tunelet të parashikoheshin të përshtatshme edhe për mbledhje të Kuvendit. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, direktiva e përgjithshme politike dhe ushtarake u drejtua për fortifikimin e vendit. Objektivi ishte: “Të ndërtohej një sistem i fortifikuar me një qëndrueshmëri maksimale ndaj përdorimit të armëve konvencionale dhe atyre bërthamore; të ishte në gjendje të siguronte në maksimum forcën e gjallë dhe teknikën luftarake nga zjarri i shumëllojshëm armik; të kishte masivitet për të rikuperuar kohën e humbur; të përgatitej me ritëm sa më të shpejtë”. Në total u projektuan 207 mijë bunkerë në të gjithë Shqipërinë dhe u ndërtuan 168 mijë. Projektuesit e strukturës ishin: drejtoria e xhenios, byroja e projektimit dhe grupi i fortifikimeve në varësi të Institutit të Studimit dhe Projektimit të Veprave të Mbrojtjes.

Nga Alda Brdhyli

Kafe sërish nga Natasha

Në vitet ’85, Natasha, gruaja që këto ditë do të jetë në barin e improvizuar brenda bunkerit për të shërbyer kafe për vizitorët, shërbente kafe për ushtarët gjatë stërvitjes. Ajo ka marrë pjesë edhe në stërvitjet ushtarake që bëheshin brenda bunkerit. E punësuar më 25 shtator 1985, si banakiere civile pranë Batalionit të Sigurimit, stërvitja e parë e saj u realizua në fund të nëntorit 1985. Për shtatë ditë, ajo dhe Shtabi i Përgjithshëm u mbyll në bunker duke simuluar gjendje lufte. Krevati i saj ishte prapa banakut, ku ndodhet edhe sot.
Natasha Konxhi ka një jetë të tërë në shërbim të efektivit të Batalionit Mbështetës të Shtabit të Përgjithshëm. Historia e jetës së saj është e lidhur ngushtë edhe me historikun e jetës së batalionit. Ajo i kujton të gjithë drejtuesit e ish-Batalionit të Sigurimit që konsiderohet si një repart elite i Forcave të Armatosura. I ka shoqëruar në çdo stërvitje ata, edhe nëpër male, duke u shërbyer kafe brenda nëpër çadra. Ajo kujton me shumë respekt komandantin e parë të këtij reparti, Diko Zeqon, komandantin tjetër Bujar Nishanin, dhe shumë e shumë të tjerë deri te nënkolonel Arben Kingji, komandanti i fundit. Ajo e ka kthyer lokalin e saj brenda bazës si një shtëpizë, ku të gjithë gjejnë ngrohtësinë. Për këto arsye, të gjithë ushtarët e quajnë “nëna e mirë”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: