Europa

Studimi: Mbi mirëqenien dhe diferencat brenda Bashkimit Europian

legatumNjë herë në vit instituti britanik “Legatum” publikon të ashtuquajturin “Indeksi i Mirëqenies”. Për ta matur këtë nivel, merren parasysh tetë kritere kryesore. Ndër ta renditet edhe fuqia ekonomike e një vendi, por edhe sistemet e tij sociale – shëndetësia dhe arsimi, administrata shtetërore, kushtet për ndërmarrjet, liria e individit, siguria dhe kultura e një vendi.

Në nivel global, listën – sipas këtij studimi – e kryeson Norvegjia, tashmë qysh prej pesë viteve – kurse vende si Gjermania, për shembull,  ndodhen në vendin e 14. Interesant është gjithsesi t’i hedhësh një sy gjithë Bashkimit Europian për të parë se si qëndron puna. Që BE nuk paraqitet si një njësi ekonomike homogjene, kjo gjë tashmë dihej edhe më parë. Mirëpo sa të mëdha e sa shumëngjyrëshe janë diferencat mes vendeve të pasura e atyre të varfra, tregohet fare qartë nga gjetjet e studimit të sipërpërmendur.

Danimarka, Suedia, Finlanda – Skandinavët janë në krye

Mirëqenia më e lartë dëshmohet në Skandinavi. Danimarka ndodhet kështu në vendin e katërt në renditjen botërore, Suedia në të gjashtin dhe Finlanda në të tetin. E kjo tashmë nuk përbën asnjë çudi, pasi të gjithë i lavdërojnë skandinavët për sistemin e tyre perfekt social. Danimarka, në nivel global ka sistemin shkollor të tretë më të mirë në botë, e Finlanda të gjashtin. Në shtyllën që dëshmon mundësitë më të mira për sipërmarrësit, të tria këto vende renditen nga vendi i parë tek ai i katërti në nivel global, ndërsa qeverisjet renditen gjithashtu ndër pesë më të mirat në botë. Kjo, me gjithë diferencën prej tetë vendesh në aspektin ekonomik, ku Danimarka zë vendin e 18 dhe Finlanda, atë të 26-in në rang botëror.

Nga Holanda e Anglia, deri tek Europa Qendrore, nivel i kënaqshëm 

Situata duket e mirë për Europën Qendrore e vendet ishullore. Holanda, Britania a Madhe, Irlanda, Gjermania, Austria, Luksemburgu dhe Belgjika në këtë listë ndajnë vendet nga 9 deri 17. Ndërsa shumica e vendeve europiane në përballje me vitin 2009 kanë shënuar rënie, vetëm dy vende, e konkretisht Gjermania (me +2 pikë) dhe Britania e Madhe (me +-0) kanë shënuar rritje relative, duke mos u përkeqësuar.

Për Gjermaninë dhe Luksemburgun flet fuqia e tyre ekonomike, pasi ata ndodhen respektivisht në vendin e 8 e të 11 në rang botëror. Sistemet shëndetësore të Luksemburgut, Holandës, Gjermanisë, Austrisë dhe Belgjikës, gjenden të renditura në dhjetëshen kryesore, e njëjta gjë vlen edhe për sistemet shkollore të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë. Rënie kanë shënuar edhe në këta zëra shumë vende për shkak të rënies së ekonomive respektive: ndërsa Gjermania në nivel global ndodhet e teta, Holanda, Britania e Madhe, Irlanda dhe Belgjika nuk futen dot as në 20-tëshen e më të mirëve.

Në Mesdhe situata po përkeqësohet

Sa më poshtë në jug të zhvendosesh, aq më i ulët dëshmohet niveli i mirëqenies: mes vendeve 21 e 29 në rang botëror ndodhen vendet e brezit të parë të Mesdheut, anëtarë të BE-së, si: Franca, Malta, Sllovenia, Spanja dhe Portugalia, si dhe Çekia. Kundër këtyre vendeve flet mungesa e kapitalit social. Me përjashtim të Maltës dhe të Sllovenisë, ata bien të gjitha poshtë 30-shes së më të mirëve. Ekonomia lë për të dëshiruar në atë rajon: Spanja zë vendin e 46, Portugalia atë të 53-tin dhe Sllovenia madje shkon poshtë deri në vendin e 63-të, që i përgjigjet në këtë aspekt, nivelit të Kongos e të Uzbekistanit.

Që shtetet së bashku nuk shënojnë më rënie të mëtejshme, kjo arrihet falë vlerave të tyre të mira në shtyllën e sigurisë publike, sistemeve shëndetësore – ku Franca për shembull, mban vendin e 9 në rang botëror  – dhe të mundësive për sipërmarrje. Edhe sistemet shkollore, me përjashtim të Maltës, paraqiten në krye të listës botërore.

Në përballje me vitin 2009, kur nisi edhe kriza ekonomike në zonën e Euros, duket se tashmë të gjitha vendet kanë shënuar rënie. Spanja për shkak të krizës financiare ka rënë madje me gjashtë vende më poshtë. Kjo në rang europian është vlera e katërt më e keqe.

Italia bie në nivelin e europianolindorëve

Edhe më poshtë gjenden vendet e Europës Lindore e Italia. Kjo e fundit ka shënuar një rënie me 11 vende qysh nga 2009 në nivel global, duke kapur vendin e 37. Me këtë renditje, ajo është shumë afër Polonisë, Estonisë, Sllovakisë, Hungarisë, Qipros, Lituanisë dhe Letonisë, të cilat zënë vendet nga 31 deri në 44.

Edhe këtu, mungesa e fuqisë ekonomike është ajo që i ka rënduar këto vende. Lituania ndodhet madje në vendin e 79. Kjo, në rang botëror shënon një nivel mesatar të ulët, madje edhe Sri Lanka paraqitet në këtë aspekt më mirë se ajo. Pikët plus nga ana tjetër, vendet e Europës Lindore në BE i marrin nga sistemet e tyre relativisht të avancuara sociale – Sllovakia shënon sistemin më të mirë shëndetësor duke zënë kësisoj vendin e 14 më të mirë në botë, ndërsa Italia ndodhet në vendin e 24.

Bullgaria, Kroacia, Greqia dhe Rumania – “streha vorfënore” e BE-së

Fare poshtë në renditjen europiane, me distancë ndodhen Bullgaria, Kroacia, Greqia dhe Rumania. Ndërsa bullgarët edhe në 2009 paraqiteshin dobët, atyre duket se gjatë këtyre viteve u janë bashkuar edhe tri vende të tjera që kanë humbur pikë ndjeshëm. Greqia për shembull, ka humbur plot 23 pozicione në renditje. Në rang botëror, kjo është madje njëra nga rëniet më të mëdha të pësuara brenda pesë viteve.

Vendet nga 48 në 60 në renditjen botërore, duket se i meritojnë katër vende – që nuk habisin njeri në fakt – me një ekonomi të dobët brenda BE-së. Ato i ndajnë Kroacia, e cila zë vendin e 73, dhe Greqia që zë vendin e 103. Për ta bërë të gjithë historinë më të kuptueshme, po sjellim një krahasim: Greqia ndodhet me këtë renditje, në të njëjtin nivel me Botsvanën, Venezuelën dhe Senegalin.

Edhe më keq duket situata me kapitalet sociale, ku Greqia këtu në rang botëror zë vendin e 129, shumë prapa Bullgarisë, e cila në këtë aspekt, zë vendin e 80 në botë. Më e mira në fakt nga vendet e fundit të BE-së në këtë renditje. Më shumë kapital social haset për shembull në Sudan, Mali dhe Uganda. I vetmi nënindeks, në të cilin të gjitha vendet paraqiten më mirë, është siguria në vend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button