Kryeartikull

Çuditem me habinë tuaj për bunkerin atomik !

ARBEN MANAJ

arben-manaj-1“Zbulimi” i një sekreti shtetëror, siç ishte ai i pallatit atomik apo bunkerit antibërthamor të Enver Hoxhës, duket se sfumon vlerën e vënies së tij në atë përdorim që është parashikuar dhe që mendoj se ashtu do të duhet të bëhej.

Shumë mirë që ai objekt ushtarak, më në fund, u hap për publikun, siç rëndom është bërë me shumë objekte të ngjashme në botën ish-komuniste.

Që në fillimet e veta, 20 e ca vjet më parë, kur bëheshin zbulime të tilla, kishte kërshëri të natyrshme, e sa më shumë kalojnë vitet, janë më pak syzgurdulluese, edhe pse Shqipëria ka qenë epitomi ekzemplare e izolimit të gjithanshëm.

Shumë mirë që ai objekt është gërshetuar dhe projektuar edhe me faktin që të bëhet art në të, dhe të shndërrohet në një atraksion potencial turistik, ku përveç të huajve, më së shumti shqiptarët, të mësojnë dhe kuptojnë kohën kur kanë jetuar paraardhësit e tyre biologjikë dhe ta lidhin me zgjatime sjelljesh të bashkëkombësve të tyre, sidomos atyre politikë. Por deri këtu shkon vlera.

Dëgjova dhe rilexova me interes jo të pakët, fjalën e Ramës në atë objekt ushtarak nën shoqërinë edhe të diplomatëve të huaj dhe kryediplomatit të huaj në Shqipëri.

Si parantezë, Rama ka qenë rebel dhe asnjëherë nuk e ka dashur komunizmin e babit të tij. Kjo dihet. Por Rama – kryeministër pata ndjesinë se fliste, më shumë për t’u parë ose riparë në mënyrë të panevojshme si antikomunist, si për të “rregulluar” biografinë, më keq se Sali Berisha, nën vëzhgimin e amerikanëve, dhe pas episodeve me fotot e Enverit në ceremonitë e ditëve të fundit.

I ndodhur nën trysninë edhe të deklaratave të ambasadorit amerikan për këto foto të ish-diktatorit, i cili, për hir të së vërtetës historike në kohën e luftës, ashtu si edhe Stalini ka qenë de jure dhe de facto, aleat i amerikanëve dhe britanikëve, për të cilët më vonë shkroi edhe për rrezikun e tyre të përbashkët, Rama m’u duk se kishte një kompleks të panevojshëm.

Dhe nga ky kompleks shkoi deri në deklarime që të çudisin.

Ai u shpreh i habitur për sekretin e këtij objekti ushtarak!!!

Bunkerë atomikë ka në tërë botën dhe udhëheqjet e çdo vendi që nga amerikanët e rusët, kinezët a britanikët, japonezët a francezët, kanë pasur dhe kanë e sot e kësaj dite, bunkerë e qendra të komandave qendrore në kohë lufte. Kjo është gjëja më normale.

Po të vish në Londër, diku pas godinës së Forin Ofisit është bunkeri i kohës së Çurçillit, i hapur për publikun, dhe po të hysh brenda, sheh ambiente që janë të ngjashme me ato që mund të shohësh në atë bunker atomik në Tiranë. Jam i sigurt se i gjen gjithandej.

Ha debat, duhet apo jo të kishte Shqipëria e vogël, e cila bënte luftë më shumë imagjinare me superfuqitë e kohës.

Disa thonë se Shqipëria nuk ishte pjesë e asnjë blloku të madh ushtarako-politik të kohës së Luftës së Ftohtë e për pasojë, edhe mund të justifikohej se ndodhej si sanduiç mes tyre, edhe pse mund dhe duket qesharake, por ai rrezik ekzistonte të paktën në mendjen e ish-diktatorit, nisur nga izolimi i gjatë i udhëheqjes komuniste të kohës.

Është kollaj të analizosh atë mënyrë të menduari politik nga ditët e sotme, por parametrat dhe gjithë elementet e arsyetimit të gjeopolitikës në atë kohë ishin krejt të tjera.

Absolutisht, dhe në mënyrë të pajustifikueshme, bunkerizimi i Shqipërisë ishte i panevojshëm në tërë ato përmasa që dihet tashmë sesa ishin, por Shqipëria ishte unikale, qoftë edhe në çmendurinë e saj.

Asnjë nga vendet përreth nuk ishte aq më vete dhe e pambrojtur ushtarakisht sa Shqipëria e kohës së Enverit.

Atëherë dhe sot, në një mënyrë a në një tjetër, vendet e rajonit janë nën ombrellën ushtarako-politike të NATO-s apo kërkojnë aleanca okulte me rivalin e saj, forcën ushtarake të Rusisë së Putinit.

Të qenët e Shqipërisë sot nën NATO, jo për potencialin e saj ushtarak, që mund të jetë më poshtë se ajo e ISiS, është një lloj bunkeri antiatomik i kohës, një lloj mburoje a garanci ushtarake në një formë a në një tjetër.

E nëse ky bunker është hapur sot për publikun është bërë, besoj, sepse nuk ka as vlerë ushtarake të mirëfilltë, pasi teknologjitë e luftës e predhave antibunker, janë të atilla që i shkërmoqin ndërtesa të tilla.

Por që të jetë mbajtur sekret në atë kohë, më duket se ka qenë gjëja më normale për një shtet, aq më tepër nën një sundim të atillë politik, siç ishte regjimi politik i Enver Hoxhës.

Shumë pak e dinë sot se ku janë bunkerët atomikë të Britanisë apo ndonjë vendi tjetër apo qendrat e komandimit në rast sulmi eventual bërthamor.

Kjo nuk duhet të na habisë se përse e mbante sekret pallatin atomik, ish-regjimi. Madje habitem akoma më shumë përse pretendohet se kjo është mbajtur sekret edhe pas 20 e ca vitesh nga rënia e komunizmit.

Nëse vërtet ajo është “zbuluar”, tani së fundmi, gjë që nuk arrij ta besoj personalisht, i bie që të jemi po aq qesharakë, sa ç’ishim edhe dikur, dhe e kemi hallall “një grusht jo në zëmër malit që zbëzan”, por në turinj këtij shqiptarizmi që flet më shumë se ç’duhet dhe se ç’pritet në kohët e sotme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button