Home / Arte / Libri / Gjurmët e kulturës parakolonizatore në letërsinë e SHBA-së

Gjurmët e kulturës parakolonizatore në letërsinë e SHBA-së

Histori & Letërsi – Ata që sot i njohim si “Native Americans”, nuk kanë qenë vetëm banorët më të hershëm të Amerikës, por kanë trashëguar edhe një kulturë e letërsi gojore që prezantohet në shumë zhanre. Kultura amerikane fillon me mitet, legjendat, përrallat dhe lirikat e kulturave indiane, që kanë ekzistuar në Amerikën e Veriut përpara se të arrinin europianët e parë

libriNëse flasim sot për kulturën amerikane, ndoshta me shkak apo pa shkak, harrojmë se gjeneza e saj duhet kërkuar në rrënjët e banorëve autoktonë vendas apo indianëve, siç u njohën ata pas kolonizimit të tyre nga europianët. Duke iu referuar një antologjie të botuar edhe në gjuhën shqipe, mbi letërsinë amerikane, me autor dr. Kathryn Van Spankeren, gjejmë në një mënyrë të përmbledhur e tepër informative rrënjët, rrymat e përfaqësuesit e kësaj letërsie, e cila duket se është pak ose aspak e njohur në Europë e aq më tepër në vendin tonë.

Ajo jep një imazh edhe për mënyrën e jetës e zhvillimin e organizimin e jetës së fiseve të atyre që sot njihen si “Native Americans” dhe thekson më pas nevojën për të studiuar e hulumtuar më thellë në kulturën e tyre. Kultura amerikane fillon me mitet, legjendat, përrallat dhe lirikat e kulturave indiane, të cilat janë transmetuar gojarisht. Në më shumë se 500 gjuhë dhe kultura fisnore indiane të ndryshme, që kanë ekzistuar në Amerikën e Veriut përpara se të arrinin europianët e parë, nuk ka pasur letërsi të shkruar.

Për pasojë, letërsia gojore e amerikanëve autoktonë është mjaft e larmishme. Rrëfenjat e kulturave të fiseve gjahtare, gati nomade, si për shembull, fisi i Novahos, ndryshojnë nga rrëfenjat e fiseve bujqësore të ngulura, si fisi Akoma, i cili banonte në shtëpi prej plitharësh: përrallat e banorëve veriorë pranë liqeneve, siç ishin ata me emrin Oxhibua, në mjaft raste ndryshojnë rrënjësisht nga përrallat e fiseve të zonave të shkretëtirës si, fjala vjen, fisi Hopi. Fiset i kanë ruajtur fetë e tyre, adhurimin ndaj perëndive, të kafshëve, bimëve apo të personave të shenjtë. Sistemet e qeverisjes varionin nga demokracitë dhe këshillat e pleqve, deri te teokracitë.

Në letërsinë gojore kanë hyrë edhe këto ndryshime midis fiseve. Megjithatë, mundësia për disa përgjithësime ekziston. Tregimet e indianëve, për shembull, janë të mbushura me adhurime të zjarrta për natyrën, e cila shikohej si një nënë edhe shpirtërore, edhe fizike. Natyra është e gjallë dhe e pajisur me forca shpirtërore: personazhet kryesore në të, mund të jenë kafshë ose bimë, të cilat shpesh janë totema të lidhura me një fis, grup apo individ. Më afër ndjenjës indiane të shenjtërisë, është “Mbishpirti” transhendetal i Ralf Ualdo Emersonit, i cili përshkon tejembanë gjithçka që përfshin jeta.

Indianët, tributë dhe hyjnitë e tyre

Fiset meksikane nderonin Kuetsalkoatin hyjnor, një perëndi e toltekëve dhe e aztekëve, kurse në mjaft vende të tjera tregoheshin një sërë përrallash për një Zot ose kulturë të lartë. Megjithatë, në këto vende nuk ekzistojnë cikle fetare të gjata e të standardizuara për ndonjë divinitet suprem. Ekuivalentet më të afërta me rrëfenjat shpirtërore të botës së vjetër, shpesh janë shugurimet e udhëtimeve të shamanëve. Përveç këtyre, ekzistojnë edhe tregime për heronj kulturorë, siç është manabozhoja i fisit Oxhibua ose Navahoja i fisit Kojota.

Këta heronj “marifetçinj” trajtohen me shkallë të ndryshme respekti. Në një përrallë, ata veprojnë si heronj, në një tjetër të krijojnë përshtypjen se janë egoistë e budallenj. Megjithëse disa personalitete të autoritetshme të së kaluarës, siç është psikologu zviceran Karl Jung, i kanë nënvlerësuar rrëfenjat e marifetçinjve si të tilla që shprehin anën inferiore, amorale të psikikës, shkencëtarë të tjerë bashkëkohorë – disa prej tyre amerikanë autoktonë, vënë në dukje se edhe Odiseu e Ptolemeu, heronjtë e adhuruar të grekëve, në thelb janë po aq marifetçinj.

Zhanre të ndryshme sagash

Në letërsinë amerikane indiane gjenden shembuj thuajse të të gjitha zhanreve gojore, të tilla si: lirika, miti, përralla, anekdota humoristike, formula magjike, gjëegjëza, proverba, epika dhe historia legjendare. Tregime për shtegtimet e për stërgjyshërit janë të shumta, siç janë të shumta edhe këngët vegimtare ose shëruese apo rrëfenjat mbi marifetçinjtë. Disa rrëfenja për krijimin e botës janë veçanërisht popullore. Në njërën nga këto rrëfenja, fjala vjen, e cila tregohet me variacione në shumë fise të ndryshme, botën e mban mbi shpinë një breshkë.

Në një variant të fisit Shenjen, tregohet se Maheoja, krijuesi, ka katër mundësi për ta moderuar botën nga një gjithësi e ujshme. Ai dërgon katër zogj uji që zhyten në të dhe përpiqen të sjellin përsipër dhè të marrë nga fundi. Pata e dëborës, çafka polare dhe rosa e egër, ngrihen fluturim deri në qiell e zhyten poshtë me shpejtësi, por nuk e arrijnë dot fundin; por gargulli i vogël, që mezi fluturon, arrin të sjellë pak baltë me sqep. Vetëm një krijesë, “Gjyshja Breshkë” e përvuajtur, ka formën e duhur për të mbajtur mbi zhguallin e saj tërë botën prej balte që modelon Maheoja – nga ku vjen edhe emri indian për

Amerikën: Ishulli Breshkë.

Sikurse rrëfenjat, edhe këngët ose poezitë variojnë nga ato me temën e shenjtërisë, në ato të lehta e humoristike: këngë djepi, kantika lufte, këngë dashurie e këngë të veçanta për lojërat e fëmijëve, lojërat e kumarit, këngët e punëve, të magjive ose të ceremonialeve të valleve. Përgjithësisht, këngët janë me refren. Disa vjersha–këngë që këndohen gjatë ëndërrimit, nganjëherë shquhen për figuracione të qarta e intonacione të holla, të ngjashme me hajkun japonez ose me poezinë imagjinare me ndikim lindor. Një këngë e fisit Çipua thotë:

Thashë se ishte çafkë,

Po jo, se ishte

rrema pllaquritëse

e të dashurit tim

Këngët e vegimit, shpesh shumë të shkurtra, i përkasin një forme tjetër të dallueshme. Duke shfaqur në të ëndrra ose vegime, disa herë papritur e pa kujtuar, ato mund të jenë edhe këngë shërimi, gjahu ose dashurie. Shpesh janë të personifikuara, si në këtë këngë modoke:

Unë,

kënga,

unë eci këtu

Tradita gojore dhe hulumtimet

Tradita gojore indiane dhe lidhja e saj me letërsinë amerikane si një e tërë, është një nga temat më të pasura e më pak të hulumtuara në studimet amerikane. Kontributi indian për Amerikën është më i madh nga ç’mendohet në përgjithësi. Në gjuhën e përditshme të anglishtes amerikane janë futur me qindra fjalë indiane, si: kanoe, duhan, patate, mokasin, hurmë, rakun, tomahok apo totem. Krijimet e amerikanëve të sotëm autoktonë përmbajnë fjalë me bukuri të rrallë.

Bota e re dhe letërsia

Nëse historia do të kishte marrë një rrjedhë tjetër, Shtetet e Bashkuara mund të ishin bërë pjesë e perandorive të mëdha spanjolle apo franceze të përtejdetit. Sot, banorët e këtij vendi mund të flisnin spanjisht, pasi mund të kishin formuar një komb me meksikanët, ose mund të flisnin frëngjisht, pasi mund të ishin bashkuar me Kebekun e me Montrealin frankofon kanadez.

Por eksploratorët më të hershëm të Amerikës nuk kanë qenë as anglezët, as spanjollët e as francezët. Dëshmia e parë e shkruar e periudhës së eksplorimit është në gjuhën skandinave. Saga e Vinlandit, e shkruar në gjuhën e vjetër norsishte, tregon se si trimi Leif Erikson, bashkë me çetën e tij, u vendos për pak kohë diku në bregun verilindor të Amerikës, me shumë gjasa në Nova Skocia, në Kanada, në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XI, rreth katërqind vjet para zbulimit tjetër europian të dokumentuar të botës së re.

Megjithatë, kontakti i parë i njohur e i mbështetur me prova mes Amerikës dhe pjesës tjetër të botës filloi me udhëtimin e famshëm të Kristofor Kolombit, i financuar nga sundimtarët e Spanjës, Ferdinandi dhe Izabela. Ditari i Kolombit në “Epistulin” e tij, shtypur në vitin 1493, përshkruan dramën e udhëtimit, tmerrin e njerëzve nga përbindëshat apo nga frika se mos binin nga buza e greminës së botës; revoltën që gati u kthye në kryengritje apo se si Kolombi falsifikonte të dhënat e shpejtësisë së anijes, në mënyrë që detarët të mos e merrnin vesh se ç’largësi kishin përshkuar ata në atë udhëtim, krahasuar me cilindo tjetër para tij; si dhe pamjen e parë të steresë (Tokës), ndërkohë që po i afroheshin Amerikës.
Qortimi i Las Kazas

Bartolome de las Kazaspërfaqëson burimin më të pasur të informacionit lidhur me kontaktin e parë mes indianëve të Amerikës dhe europianëve.

Ai ishte ende një prift i ri kur ndihmoi në pushtimin e Kubës. Në moshë të thyer kopjoi ditarin e Kolombit dhe shkroi një histori të gjatë e plot ngjyra, “Historia e indianëve”, në të cilën ai kritikoi skllavërimin që iu bë atyre. Përpjekjet e para të anglezëve për kolonizime kishin përfunduar në katastrofa. Ngulimi i parë u themelua në vitin 1585 në Roanoke, në thellësi të bregut të Karolinës së Veriut: të gjithë kolonët u zhdukën, madje dhe sot e kësaj dite tregohen legjenda për indianë kroatanë, me sy të kaltër, që

banonin në ato zona. Ngulimi i dytë, Xhejmstauni, ishte më i qëndrueshëm: ai u themelua më 1607. Me gjithë kërcënimin e urisë, jetën e vrazhdë dhe sundimin arbitrar, banorët ia dolën mbanë. Megjithatë, letërsia e kohës e pikturon Amerikën me ngjyra të ndritshme, si një vend me pasuri përrallore e me mundësi të mëdha. Tregimet për këto ngulime u bënë të njohura më pas anembanë botës. Eksplorimi i Roanokes është dokumentuar imtësisht nga Tomas Herioti në librin e tij me titull “Njoftime të shkurtra e të sakta për tokën e sapozbuluar të Virxhinias” (1588).

Libri i Heriotit u përkthye shpejt në latinisht, frëngjisht e gjermanisht: teksti dhe figurat u bënë në gravura dhe u ribotuan gjerësisht gjatë më shumë se 200 vjetëve që pasuan. Dëshmi kryesore e shkruar mbi ngulimin e Xhejmstaunit, e cila konsiston në shkrimet e kujtimet e kapiten Xhon Smithit, njërit prej drejtuesve të tij, është krejt e kundërta e përshkrimit të saktë e shkencor të Heriotit.

Mesa duket, Smithi do të ketë qenë ndonjë romantik i pashërueshëm, pasi i ka qëndisur bukur e hollë aventurat e tij. Pikërisht në sajë të tij, kemi përrallën e mirënjohur të vashës indiane me emrin Pokahonta.

A është kjo një ngjarje e vërtetë apo e trilluar, rrëfenja tashmë është e rrënjosur në imagjinatën historike amerikane. Në të tregohet se si Pokahonta, vajza më e dashur e kryetarit Pauhatan, i shpëton jetën Smithit kur ky kishte rënë rob në duart e kryetarit. Më pas, kur anglezët e bindën Pauhatanin se duhet t’ua jepte atyre Pokahontën si peng, delikatesa, inteligjenca dhe bukuria e saj u bënë përshtypje të madhe anglezëve dhe në vitin 1614 ajo u martua me Xhon Rolfin, një xhentëlmen anglez. Kjo martesë u bë dhe faktor i një paqeje tetëvjeçare midis kolonëve e indianëve, duke bërë kështu të mundur mbijetesën e kësaj kolonie të re që përpëlitej për ekzistencë.

Në shekullin e 16, një numër piratësh, aventurierësh e eksploruesish, i hapën rrugën një vale të dytë kolonësh të përhershëm, të cilët sollën me vete gratë e fëmijët, si dhe vegla bujqësore e zejtarie. Letërsia e hershme e eksploratorëve, e përbërë nga ditarë, letra, shënime udhëtimesh, ditarë anijesh dhe raporte drejtuar mbështetësve financiarë të eksploratorëve, sundimtarëve europianë apo kompanive të përbashkëta aksionere në Anglinë dhe Holandën tregtare – pak nga pak u zëvendësua nga dëshmitë e shkruara në ngulimet e stabilizuara.

Për shkak se ngulimet e Amerikës së Veriut u futën nën zotërimin e Anglisë, letërsia më e mirënjohur dhe më e antalogjizuar është në anglisht. Ndërkohë që letërsia e pakicave amerikane vazhdon të lulëzojë edhe sot e kësaj dite, në shekullin e 20, edhe jeta amerikane vazhdoi të bëhej gjithnjë e më shumë multikulturore. Shkencëtarët janë duke rizbuluar rëndësinë e trashëgimisë së përzier të këtij kontinenti. Megjithëse historia e letërsisë tashmë ka prirjen të marrë kthesë nga dëshmitë e shkruara në anglisht, është me rëndësi të njihen fillesat e saj të pasura kozmopolite.

Leave a Reply

%d bloggers like this: