Ekonomia

Rama: Ligji i ri për energjinë nuk fal faturat, mekanizëm për borxhet e qytetarëve

Projektligji

“Kemi rritur vetëm tre taksa, nuk preken 95% e qytetarëve”

Nga Zamir Alushi

banner_25_nentor_rama_kekKryeministri Edi Rama njofton një ligj të ri për energjinë elektrike në përputhje me Paketën III të Energjisë. Rama gjithashtu premton një skemë për lehtësimin e pagesave të debitorëve të OSHEE-së.

Drafti i energjisë

Duke folur në takimin e dhjetë të Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kryeministri është shprehur se “projektligji nuk parashikon dhe as do të parashikojë asnjë falje faturash, por përfshin dispozita specifike për ekzekutimin e faturave të energjisë elektrike”. Kryeministri sqaroi se do të hartohet një mekanizëm për të menaxhuar borxhet e pambledhura të qytetarëve që nuk kanë paguar energjinë elektrike, në mënyrë që këta të fundit të mos përfundojnë në burg. “Si mund të kemi më shumë investime të huaja, si do t’i marrin risqet investitorët e huaj në një vend ku vidhet energjia elektrike, ku energjia është një nga elementet që cenon drejtpërdrejt konkurrencën?”, shtroi çështjen Kryeministri. Sipas tij, faljet në të shkuarën të kamatëvonesave kanë sjellë vetëm vjedhje dhe abuzime më shumë dhe rënie të menjëhershme të arkëtimeve. “Do t’u japim të gjithëve mundësinë e dytë, atyre që duan të futen në sistem, por mundësia e dytë duhet të jetë e lidhur me gatishmërinë për pagesën e pjesës që u takon. Shumë shpejt ministri do të bëjë publik mekanizmin dhe bashkë do të garantojmë që kompania të veprojë ashtu si duhet”, – u shpreh Rama. Po për këtë çështje, më herët, Gjiknuri u shpreh për mediat se “po krijojmë lehtësirat e nevojshme për ata debitorë të cilët kanë akumuluar në vite debi, për t’i shtrirë pagesat në kohë. Korporata po zgjedh skemat e saj. Shumë shpejt këto do të jenë publike në zyrat e konsumatorit”. Më tej Rama shtoi se, “më në fund, Shqipëria përgatitet të kalojë një ligj që garanton përmbushjen e detyrimit të vendit si pjesë nënshkruese e traktatit të komunitetit të energjisë për Paketën e tretë të energjisë. Synojnë mbrojtjen e konsumatorit të energjisë elektrike dhe konkurrencë të ndershme. Këto janë dy arsyet që orientojnë projektligjin dhe duhet të shihen si pjesë tjetër komplementare në aksionin kundër vjedhësve të energjisë”. Duke folur për operacionin e OSHEE-së dhe të Policisë së Shtetit, Rama tha: “Operacioni kundër hajdutërisë dhe hajdutëve të energjisë në Shqipëri synon të vendosë më në fund vendosjen në binarët e shtetit modern të raportit me këtë pasuri kolosale të vendit tonë, që në vend që të ishte burim përfitimi dhe mirëqenie për shqiptarët, është kthyer në një burim problemesh dhe stresesh të pafundme për Shqipërinë”. Kryeministri ftoi opozitën të bëhet pjesë duke deklaruar se, “në këtë operacion duhet të jemi të gjithë së bashku pa asnjë dallim, sepse nga ky nuk varet fati i qeverisë apo i një pjese të shoqërisë, por fati i vendit tonë dhe çfarë do të jetë Shqipëria pas disa vitesh, por edhe sepse ky operacion është themeli i pazëvendësueshëm për të ngritur gjithë ngrehinën e re të sektorit të energjisë.”

Paketa fiskale

Duke folur për Paketën Fiskale 2015, Kryeministri tha se janë rritur tri taksa: taksa e karbonit, taksa e duhanit dhe taksa mbi depozitat e kursimit. Këto taksa, sipas tij, nuk prekin 95% të shqiptarëve. “Sa i përket paketës fiskale kam dëgjuar të gjitha kritikat dashamirëse e jodashamirëse. Ne kemi rritur tre taksa, që nuk afektojnë në asnjë sens qasjen tonë dhe çfarë ne u kemi thënë njerëzve. Kemi rritur taksën e qarkullimit e karbonit, gjë që e bëmë edhe vjet. Do të ulemi në një bisedë serioze me distributorët e naftës për të diskutuar për raportet e çmimit të naftës këtu dhe në rajon, por s’ka të bëjë me taksën. Kemi rritur taksën e duhanit, do të vijojmë ta bëjmë. Ne jemi kundër duhanit, duam të shpëtojmë sa më shumë njerëz nga kanceri. Taksa e tretë është ajo e depozitave. Vendi ynë ka 9 miliardë dollarë depozita, duam të nxirren depozitat dhe të investohen. Nuk kemi një qeveri gjobaxhinjsh dhe gjobash”, tha Kryeministri Rama. Më pas, me dyer të mbyllura këshilli diskutoi paketën fiskale, buxhetin dhe projektligjin për sektorin e energjisë elektrike që u paraqit i detajuar nga ministri i Energjisë.

Related Articles

Nje koment

  1. RAMA KE SHUME HAJDUTA TE MEDHENJ QE E BENE B………SHQIPERINE …MOS U MERRNI ME DISA TE VARFER QE VJEDHIN KORENTIN SE DUAN TE HAJNE .. FUT NE BURG GJIKEN KATUNARIN E KAMZES NANON IMAMIN QE KANE VJEDHUR MILIONA… BERISHEN QE U BE MILIONER PER 10 VJET ..KU I GJETI LEKET …NUK VODHI KORENTIN ….POR RROPI POPULIN …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button