Kryeartikull

Qeveria në “lojë fatale” me korrentin

ALEKSANDËR ÇIPA

Aleksander CipaBeteja e qeverisë me realitetin informal të shoqërisë dhe gjendjes së antishtetit, është një lojë me kosto dhe pasoja. Është pa dyshim si në atë rrezikun që paraqet kapja e kabllos elektrike me dorën e mishtë. Në këtë betejë, kryebeteja është me mospaguesit e energjisë elektrike. Aksioni mësymës i qeverisë, përmes mbështetjes së OSHEE-së me forca të Policisë së Shtetit për të penalizuar dhe ndëshkuar vjedhësit e energjisë elektrike, në thelbin e saj, është e para luftë në kësi përmasash kundër regjimit groposës të vjedhjes së energjisë dhe mospagimit, për financat dhe buxhetin publik. Ky regjim i rrënjosur në dy dekada e gjysmë, përbën edhe pamjen më të pakrahasueshme të marrëdhënies së qytetarëve dhe entit publik shërbyes të energjisë elektrike. Një marrëdhënie ku mbretëron pabarazia dhe ku diskriminimi financiar ka emrin e militantizmit dhe selektivitetit partiak. Tradita e mospagesës kishte formuar një hartë absurdi, një hartë e cila u skicua jo prej grupeve antipagesës së energjisë, por prej korrupto-politikës, e cila krijoi vatra apo oaze të daljes jashtë kontrollit administrativ prej institucioneve të rendit, sigurisë dhe administratës publike në përgjithësi.

Kjo histori e zymtë dhe e errët e tranzicionit, edhe pse shquhet për vjedhjen pa kriter dhe mospagimin e përhershëm të energjisë elektrike, nxin si humnerë e nëndheshme përgjatë gjithë epokës së tranzicionit shqiptar. Protagonistët politikë të qeverisjeve e shfrytëzuan dhe ngritën partneritete sezonale e elektorale me vatra të tilla, duke i përdorur elementët kriminalë të tyre si sejmenë vota-vjedhjesh dhe paraorganizata të lira, të punëve të zeza.

Kjo histori, me gjithë subjektin kompleks të saj, u bë kushti i parë i BE-së dhe institucioneve ndërkombëtare për qeverisjen e ish-kryeministrit Berisha dhe pas tij, edhe për Kryeministrin Rama. Pandëshkueshmëria dhe informaliteti janë dy kushte të panegociueshme edhe për përfitimin e statusit të vendit kandidat për anëtar në BE.

Aksionet dhe sidomos koha e sotme, është një provë e rëndë për Kryeministrin Rama. Ai e ka nisur me vrullin dhe vendosmërinë për të realizuar metamorfozën e kulturës së mospagimit dhe të vjedhjes, në atë të pagimit dhe të mosprekjes së aparatit matës, si të ujit, aq më tepër atë të energjisë(!). Por a do e fitojë këtë betejë “fatale”? Është lojë me “korrentin”, thonë shpesh nënat kur duan të trembin fëmijët e tyre apo t’i pajisin ata me instinktin e frikës prej telit të korrentit.

Në këtë “lojë të rrezikshme”, Kryeministri Rama së pari ka bërë aleat të pamëdyshje ligjin. Mirëpo reaksioni i parë i menjëhershëm ka qenë dhe po shtohet; janë pesha dhe lëndimi i egër social që shkakton kjo reformë dhe të tjerat e pangjara në këtë masë dhe me këtë radikalitet. Beteja është e vështirë dhe pasojat janë të shumta. “Shkuma” e tyre u duk në protestën e opozitës që e bëri me leje sindikate në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Këtë peshë dhe pasojën e saj, opozita e mori në përdorim të menjëhershëm. Aq sa po krijohet iluzioni se mbledhja së bashku e gjithë grupeve të prekura apo shtresave të trembura prej rënies dhe pasojës financiare, bëkan një masë që mbështet opozitën për të vijuar qëndrime të bojkotit parlamentar. Tashmë duhet ta pranojmë se të prekurit që nuk kanë të drejtën e ligjshme me vete, janë bërë grup i madh. Pasi në këtë vend, informalja dhe ilegjitimja ka pasur masivitet jetëgjatë. Natyrisht që kjo protestë e suksesshme, për nga pjesëmarrja, e mbart thelbin e diferencës mes arsyes që i solli njerëzit dhe qëllimit të opozitës për të menduar se ka bjerrë qeveria.

Mes këtij iluzioni nevojitet të përfshihet energjikisht dhe kurajshëm qeveria me një paketë lehtësimi, por duke vënë në eficiensë njëherësh evidentimin real të të prekurve dhe ndarjen e tyre prej të shtirurve.

Është me vend ajo që pohon Kryeministri, se ankimtarët më të paktë, janë shtresa më e madhe e korrektëve, pensionistët. Por ka grupe të tjera, si komunitetet e invalidëve, të personave me aftësi të kufizuara, të grupeve të margjinave sociale, të konviktorëve apo të të pastrehëve, të cilat duhet të shprehen vetë, se sa dhe deri ku i ndëshkon financiarisht në ekzistencën e tyre, reforma për pagesën e energjisë. Kjo duhet bërë, me gjithë mundësinë e përdorimit të mjeteve të komunikimit masiv, madje edhe duke i marrë kohë daljeje dhe artikulimi në ekran vetë Kryeministrit. Është e nevojshme që “loja” politike e opozitës me energjinë të mos shndërrohet në një “lojë fatale” për qeverinë dhe Kryeministrin Rama. Beteja për energjipagimin nuk e vlen të konsumojë energjinë kryesore të qeverisjes. Sfida të mëdha të saj janë ato me korrupsionin, me abuzimin, me krimin e organizuar dhe sidomos me ndryshimin e cilësisë së administratës. Këto sfida, Kryeministri lipset t’i mbajë para syve dhe vetë t’i dhurojë më shumë kohë televizive lajmit për goditje dhe ndëshkueshmëri. Sikundër nevojitet me urgjencë t’u bashkëvendosë kësi lajmeve prurjet apo sjelljet e investimeve e financimeve shpëtuese në këtë krizë e kohë ku sundon perceptimi i përkeqësimit. Në jetën e vet politike, ai ka qenë fitimtar përmes imazhit dhe perceptimit, përmes trendit dhe sharmit sfidues.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button