Ekonomia

Ministri Ahmetaj: Shqipëria dhe Kosova duhet te punojnë për integrimin e dy tregjeve

Shqipëria dhe Kosova duhet te punojnë për integrimin e dy tregjeve, tha në Prishtinë ministri shqiptar i Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, i pyetur nga korrespondenti i ATSH për mundësitë që kufiri, dikur i hekurt e mur ndarjesh, tani i lirë dhe i hapur, të jetë portë e madhe e bashkëpunimeve për zhvillimin ekonomik e të gjithanshëm të dy shteteve, për integrime brendakombëtare dhe drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Ministri-Arben-Ahmetaj-Prishtine-Foto-ATSH-Behlul-Jashari-81“Akoma nuk jemi duke bërë mjaft për integrimin e dy tregjeve. Ne nuk e  konceptojmë dot që dy tregjet të jenë të fragmentuara”, tha ministri Ahmetaj. “Për sa i përket pjesës më të madhe të tarifave doganore, ne i kemi hequr. Ka një pjesë të vogël të tarifave dhe të pengesave, të barrierave, jotarifore, që akoma janë prezente. Dua të ndaj me ju edhe një informacion. Ministria e Ekonomisë me Universitetin Ekonomik të Shqipërisë ka ndërmarrë një studim së bashku me Kenedy School of Goverment, pra me Universitetin e Harvardit, për të parë në detaje se çfarë problemesh ka fluksi tregtar, ndërsjella tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës, në mënyrë që t’i marrim një nga një pastaj dhe për t’i adresuar dhe zgjidhur”, theksoi ministri Ahmetaj.
Ministri Arben Ahmetaj-Prishtine Foto ATSH Behlul Jashari-6“Po e marr një shembull i cili është pengesë, çertifikimi i produkteve nga të dy anët. Të dy sipërmarrjet, qoftë nga Kosova, qoftë nga Shqipëria, kanë ecejaket e tyre për të çertifikuar produktet, qoftë kosovare, qoftë shqiptare, pra nga të dyja anët. Një nga elementet e para që do të arrijmë të bëjmë është unifikimi i çertifikimit. Në qoftë se ka një çertifikim kosovar, atëherë është i njohur në tregun shqiptar si çertifikim legal dhe anasjelltas, gjë që do të na bëjë ta lehtësojmë jashtëzakonisht shumë tregtinë”, tha ai. “E dyta, do të duhet të kemi një instrument të zgjidhjes së konflikteve, që nganjëherë janë konflikte, do ta përdorë këtë fjalë, konflikte idiote. Pse? Për shkak të moskomunikimit. Do të duhet të kemi një instrument shumë të shpejtë. Nuk kemi nevojë të kemi një instrument ala OBT që të presim me 4, 5, 6 muaj për të zgjidhur një problem. Por mund të jetë për 1 ditë, për 2 ditë, të jetë një instrument i përhershëm, por shumë i thjeshtë i zgjidhjes së konflikteve”, vijoi ministri Ahmetaj. “E treta është, besoj unë, nuk kemi mjaft njohuri për produktet e njëri-tjetrit, dhe kjo është e papranueshme, nuk kemi mjaft njohuri çfarë prodhon Shqipëria, çfarë kapacitetesh ka Shqipëria për të furnizuar tregun mbarëshqiptar dhe çfarë kapacitetesh ka Kosova, apo sipërmarrjet tjera në trevat shqiptare, për të furnizuar tregun shqiptar”, tha ai. “E katërta, do ta theksoj, është, dhe këtë do ta bëjmë, do një fushatë informimi qoftë emocional, qoftë komercial të konsumimit shqip. Pra, nuk kemi pse të kemi kompleks për të promovuar produktet shqiptare në të gjitha mënyrat, në shkolla, në kopshte, në ushtri, kudo që të jetë e mundur, në mënyrë që të fusim një kulturë dashurie ndaj produktit shqiptar”, theksoi ministri Ahmetaj.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes i Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, ka folur në një konferencë shtypi në Prishtinë, pasi dje, bashkë me kryetarin e komunës Shpend Ahmeti, bënë hapjen zyrtare të panairit “Blej Shqip”. Në këtë panair organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria Shqiptare e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes po marrin pjesë më shumë se 100 kompani shqiptare nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button