Opinion

Para gjygjit jo vetem Kostandini…

Javë më parë Tirana dhe tërë Shqipëria u trondit nga vrasja makabre e 4 njerëzve në një klub të Tiranës. Krimineli u pikas dhe arrestua menjëherë. Ai është 25 vjeçari Kostandin Xhuvani. Dosja e tij ka shkuar për gjykim.
xhuvani2
Nga PETRO DHIMITRI
Duke u interesuar për jetën e Kostandinit dalin fakte të hidhura. Ato bien era gjak dhe ngërthejnë manipulime mafioze. Më 12 shkurt të vitit 2011 ky djalë, bir aktores së njohur Luiza Xhuvani, deputete e PS-së, i jati, Gjergji,  regjisor,i mori jetën një të riu duke e qëlluar me pistoletë. Ai mundi t’i fshihej policisë për tre muaj. Si dhe qysh nuk dihet?! Kush e ushqente dhe ju bë jatak nuk dihet?! Duan të thonë se me ndërmjetësinë e familjes, ai u vetëdorëzua. Se si janë zhvilluar tratativat, përsëri një zot e di. E saktë është se për krimin që bëri duhej dënuar shumë e shumë vite. Në fakt ai u dënua vetëm me 3 vjet burg, thua se kishte bërë vjedhje ordinere dhe jo vrasje?! Doemos u “gjendën” rrethana lehtësuese, sepse ishte djali i një familjeje të nderuar. Të ndalemi te familja. Të dhënë me pasion pas punës krijuese dhe politikës, Gjergjit dhe Luizës djali u doli nga kontrolli që kur filloi të shijonte efektet e drogës. Ata nuk patën forca dhe nuk gjetën mënyrat efikase për ta shkëputur nga rruga e vesit. Rezultati i kobshëm; ai përfundoi si vrasës. Ç’bëri zonja Luiza kur e mori vesh të vërtetën e hidhur se ajo pas asaj dite do të quhej nëna e kriminelit? Madje ishte edhe deputete. ( Në kishën që unë frekuentoj në Kanada, për t’u zgjedhur si vullnetar në organet drejtuese të saj,  duhet të mos përdorësh drogë, të kesh marrëdhënie të mira me gruan, te kesh fëmijë të edukuar, të mos keshë patur probleme me policinë…). Zonja Luiza heshti. Ajo nuk i kërkoi të falur prindit të viktimës, sepse do të dilte se jo biri i tij, por Kostandini ishte fajtori. Kjo ishte një tjetër lloj mbrojtjeje që ajo i bëri të birit. Ajo nuk pati guximin qytetar as të jepte dorëheqjen si deputete. Partia Socialiste gaboi rendë që nuk i kërkoi të linte mandatin e deputetes. Ndërkohë u gjet artifici për të fajësuar viktimën, sepse Konstandini qëlloi për të shpëtuar jetën e vet?! Pra, na ishte vrasës jo me dashje, po i detyruar nga rrethanat?!
Lind pyetja pse trupi gjykues i mbylli sytë para të vërtetës së hidhur? Kush ndikoi tek ata : paraja apo urdhëri i ndonjë lideri të fuqishëm të PD-së që ishte në pushtet? Mund të jenë që të dyja, po e vërteta anon më shumë nga urdhëri. Mirë gjyqtarja gaboi, po kryetrari i gjykatës, po liderët e PD-së që e kishin nën kontroll gjykatën, pse u pajtuan me atë vendim që fyente jo vetëm viktimën, po edhe vetë ligjin?! Edhe aty ku kryente dënimin Kostandin Xhuvani qëlloi me grushta dy gardianë, kur ata po bënin kontrollin rutinë të të dënuarve. Përsëri ai në gjykatë. Dënimi ishte si përkëdhelje:Vetëm 3 muaj plus?! A nuk do të ketë patur agresori përsëri ndihmën e familjes ? Padyshim.
Kostandinin e mbronte hija e autoritetit të prindërve që arrinte të stërzbuste deri edhe ligjin. Ishte kjo mburojë prej çeliku që arriti ta lironte nga burgu  14 muaj pas vrasjes. Si ka mundësi të ndodhë kjo? Personi zyrtar që ka firmosur atë lirim i takon të vihet para trupit gjykues për të treguar rrethanat e atij lirimi. Kush e urdhëroi atë dhe për ç’motivacion , sepse edhe në burg ai qëlloi me grushta dy gardianë. Apo grushtat janë konsideruar si sjellje shëmbullore?! Berisha këtë duhet ta dijë mirë. Askush pa lejen e tij, të paktën, nuk kishte për ta lënë të lirë një narkoman dhe vrasës.
Ndërkohë u zhvilluan edhe zgjedhjet për Kuvendin. Kur njerëzit e ndershëm prisnin që zonja Luiza Xhuvani ( megjithë vlerat e saja si artiste dhe politikane)  të mos përfshihej në listën e kandidaturave të Partisë Socialiste, u zhgënjyen që Edi Rama e kishte përfshirë edhe atë. Thashë me vete si mund të ketë sy e faqe ajo si deputete të diskutojë probleme madhore e të miratojë ligje kur djali i saj drogohet dhe ka vrarë ?! Isha i bindur që Rama dhe PS-ja gabuan rëndë që e rizgjodhën Luizën përsëri  deputete.
Në qoftë se  PD-ja dhe gjykata  kanë përgjegjësi direkte për dënimin përkëdhelës dhe lirimin para kohe të Konstandin Xhuvanit, Edi Rama dhe PS kanë përgjegjësi morale që Luiza Xhuvanin e mbajtën aq gjatë si deputete në dy legjislatura deri sa më 4 nëntor 2014 te lokali ” Ante Grand” të Rrugës së Elbasanit Kostandini u mori jetën 4 njerëzve: Edison Jahos,Enea Xhajit, Arbër Demirajt dhe italianit Gianpaolo Azzolo. Me Edison Jahon ai kishte këmbyer fjalë, ndërsa italiani i gjorë dhe Arbër Demiraj u bënë therorë të plumbave rikoshetë. A do të ishin vrarë këta katër njerëz të pafajshëm, po qe se drejtësia shqiptare do të kishte zbatuar ligjin që për vrasjen e vitit 2011?! Jo, kurrë,  sepse Kostandin Xhuvani do të ishte në burg. Duke bërë sikur po e dënonin një vrasës dhe madje, aq më keq, duke e liruar atë aq shpejt para kohe nga burgu, ju, gjyqtarë ose ju që firmosni lirimet, ju që mund të keni dhënë para ose ju që keni urdhëruar gjykatën për të shpikur rrethana lehtësuese, duhet të viheni bashkë me Kostandinin në bankën e të akuzuarve. Me veprimet ose mosveprimet  tuaja ju, o hijena të pispillosura, veshur edhe kollaro, me kostume dhe me makina luksoze, keni marrë 4 jetë njerëzish të pafajshëm! Po ju nuk skuqeni as zverdheni për viktimat. Ju që rendni pas parave, pas hatëreve, pas shkeljes e përdredhjes së ligjeve, ju duhet një ditë të përgjigjeni.
Luiza Xhuvani, vonë, vonë, po e dha dorëheqjen. Po juve kush ka për t’ua plotësuar dosjen me akuzën se keni mbrojtur një kriminel i cili jo pak po ka vrarë 5 njerëz, katër prej tyre në moshë të re. Katër viktimat e fundit të tij sot janë nën dhe se ishit ju që e latë të lirë shumë para kohe të burgosurin e krimeve të renda.  Aq i qe fiksuar ideja se ai mund të bënte ç’të donte dhe mamaja e tij kishte për ta ndihmuar përsëri sa pati guximin t’u thoshte atyre që e arrestuan: ” Jam djali i Luiza Xhuvanit. Nëse më lëshoni, do t’iu jap flori.” Ishte i ndërgjegjshëm se do të kishte sërish përkrahjen e mbrojtjen antiligjore të familjes, kryesisht të nënës si VIPE  dhe rrethit të lartë të saj.
Europa kërkon që ç’drejtësia shqiptare të vihet në binarët e drejtësisë. Që kur erdhi në pushtet përmes votës plebishitare Edi Rama po flet vazhdimisht për reformën në drejtësi. Sa kohë duhet akoma të presim që kjo reformë të bëhet dhe gjykatat tona të japin drejtësinë jo sipas urdhërave të partiakëve dhe parave që familjet e të akuzuarve u fusin në xhepa gjyqtarëve, po në bazë të ligjeve? Sa kohë akoma do të flejë në sirtare dosja e 21 Janarit? Po Gërdeci? Po abuzimet e tjera për të cilat flitet e flitet, po askush nuk po vihet para përgjegjësisë? Ka ardhur koha që siç u veprua shpejt për universitetet private që shisnin diploma me para, të veprohet edhe për drejtësinë. E di mirë që po bëhen shumë reforma,që po luftohet korrupsioni, që aksioni për drogën qe një sukses i madh, që po prishen ndërtimet pa leje, që po vihet shkolla në binarë dhe shumë e shumë punë të mira e të guximshme të zotit Edi Rama, po asesi drejtësia nuk duhet lenë për në fund.Të shpresojmë që të mos bëjmë sikur i dënojmë ata që vrasin.
                 Së fundi; nuk mund të quhet më një familje e mirë ( sado vlera të ketë patur)  kur një antar i saj drogohet keqas, mban armë psa leje dhe vret njerëz të pafajshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button