Ekonomia

Vitin tjetër rritet paga minimale në vend

Veliaj: Janë gjeneruar 81 mijë vende pune, por vetëm 1/3 janë punësime të reja

Nga Ilda Hoxha

ErionVeliajMinistri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ka deklaruar se vitin e ardhshëm do të negociohet për të rritur pagën minimale. Gjatë një takimi me përfaqësues të sindikatave, ai ka theksuar se një pagë më e lartë do të sjellë edhe rritje të mirëqenies së përgjithshme të popullsisë. Për të arritur këtë qëllim, Veliaj ka kërkuar mbështetjen e sindikatave, të cilat, sipas tij, kanë qenë mbështetësit kryesorë në reforma të rëndësishme që janë ndërmarrë. “Ne jemi të vendosur që vitin tjetër ta rrisim pagën minimale në Shqipëri. Në qoftë se kjo funksionon në të gjithë botën, nuk ka arsye pse të mos japë rezultate pozitive edhe në Shqipëri. Rritja e pagës minimale do të sjellë mirëqenie të popullsisë. Ashtu siç bashkëpunuam me sindikatat për reformën e pensioneve, është mirë të bashkëpunojmë edhe për çështje të tjera, si paga minimale”, nënvizoi ministri Veliaj. Ndër të tjera, një tjetër çështje që ai preku ishte edhe ajo e shtimit të numrit të personave të siguruar. Sipas Veliajt, vetëm gjatë vitit të fundit janë gjeneruar 81 mijë e 352 vende pune në skemën e sigurimeve shoqërore. Mirëpo, nga këto vende, vende 1/3 janë punësime të reja, pasi të tjerat përfshijnë thjesht deklarim të pozicionit të punës dhe pagës. Në bazë të kësaj rezulton se vetëm rreth 20 mijë janë vendet e reja të punës të shtuara gjatë një viti qeverisje. Ky fakt u pranua edhe nga vetë ministri Veliaj, i cili shtoi se askush nuk është naiv që të besojë se këto vende punë janë të gjitha të reja. Përpos kësaj theksoi se puna në të zezë nuk sjell asgjë të mirë për këdo që mendon për të nesërmen. “Askush nuk është naiv të thotë se këto vende pune janë të gjitha të reja. Nga këto 81 mijë e 342 vende pune, rreth një e treta janë vende të reja, një e treta janë vende të zbardhura pune nga ekonomia e zezë, falë kontributit të sindikatave që kanë denoncuar punën në të zezë dhe një e treta janë të vetëpunësuarit në fshat. Këta të fundit kanë përfituar nga amnistia dhe janë duke u deklaruar për t’u siguruar që nesër kanë një pension dinjitoz, njësoj si ai i qytetit. Ne jemi shumë të vendosur që vitin tjetër ta rrisim pagën minimale sepse çon në rritjen e mirëqenies së popullsisë, kryesisht të atyre punëtorëve që janë në nivelin e pagës minimale”, tha ministri Veliaj. Ai theksoi edhe një herë që të gjithë të deklarojnë pagën reale dhe të paguajnë siguracionet, në mënyrë që nesër të arrijnë të marrin një pension të kënaqshëm. Ai bëri thirrje që të mos bëhemi pjesë e “skllavërisë moderne”, duke punuar në të zezë. Nga ana tjetër, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikolla, shprehu shqetësimin në lidhje me kushtet e punës, me të cilat përballen shumë punonjës në vendin tonë. Sipas tij, një pjesë e mirë e grave, madje edhe fëmijëve detyrohen që të punojnë në kushte skllavërie. Këto probleme të theksuara sociale kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme, pasi situata nuk është aspak e favorshme. “Përsëri na rezulton të kemi akoma punonjës të pambrojtur, gra e fëmijë që vazhdojnë të punojnë në kushte skllavërie, pa asistencë mjekësore, pa shëndet e siguri në punë, pa siguracione shëndetësore dhe shoqërore, pa shpërblim për vjetërsi dhe vështirësi në punë, pa drekë falas, pa transport falas e plot mangësi të tjera. Shumë punëdhënës vazhdojnë të abuzojnë nga padia dhe mundësia e informacionit që kanë punonjësit për të drejtat e tyre”, deklaroi kryetari i Konfederatës së Sindikatave. Të pranishëm në këtë kongres të organizuar nga sindikatat ishin edhe zëvendësministri i Arsimit, Arbjan Mazniku, si dhe deputeti i LSI-së Petrit Vasili. Të dy këta shprehën mbështetjen dhe bashkëpunimin me sindikatat dhe theksuan se sindikatat do të përkrahen fuqishëm nga Parlamenti shqiptar. Në kongresin e pestë të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, u bë edhe votimi për kreun e saj. Rreth 300 delegatë të sindikatave kanë zgjedhur sërish Kol Nikollën si kryetar të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button