Home / Kryeartikull / Garda e re hipotetike e PD-së

Garda e re hipotetike e PD-së

ARBEN MANAJ

arben-manaj-1Nuk jam aq naiv politikisht sa mund të mendojë dikush naivisht vetëtimthi në ato që do them më poshtë dhe do ketë kohën dhe nervin t’i shkojë deri në fund argumentimit. As utopik. Thjesht një shqiptar anti-PD, që do të donte dhe besonte në parimin e antikorpit në trupin politik të shoqërisë shqiptare dhe që urren në thelb dhe me shpirt kastrimin politiko-elektoral të çdo force serioze pretendente për rotacione politike normale dhe demokratike.

Rinovimi i PD-së pas largimit formal të Berishës nga PD-ja dhe vazhdimi i prezencës dhe influencës së tij dëmtuese ende në atë formacion opozitar, nuk përmbushi të paktën për mua, disa pritshmëri, nisur nga besimi i palëkundur që personalisht kam se askush nuk e ka parë ende forcën reale dhe karizmën e drejtuesit sërish formal të PD-së së sotme, z.Basha.

Përkundër mendimit të shumë bashkanalistëve, të llogoreve a bunkerëve ose jo, ende mendoj se jo Lulzim Basha, por kushdo burrë politik që do të vihej në atë post, ku ai është sot, pas Berishës dhe me Berishën nëpër këmbë, nuk do të kishte mundësi të bënte më shumë se kaq.

Arsyet dhe ADN-ja politike e asaj partie-sekt fetar dihet dhe stërdihet.

Por ai është aty ku është dhe ndoshta, them ndoshta ka një Plan B për atë forcë, jo për sfidën e ardhshme madhore dhe gjenerale elektorale, se sa pas mandatit të dytë të koalicionit aktual qeverisës.

Skuadra që padyshim Basha ka përzgjedhur edhe me një input, sa të koordinuar aq edhe të kokëtundur e sugjeruar nga babai shpirtëror i PD-së, mbetet formalisht një përgjegjësi e tij në sensin formal, për të cilën ai do të japë llogari aq sa mund të japë, edhe në rast të disfatës së pritshme elektorale në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Të zgjedhurit e sotëm në strukturat drejtuese nuk janë aty si rezultat i përzgjedhjes vetjake të atyre që votuan, më shumë sesa të nuhatjes së preferencave dhe lobimeve në prapaskenë të të preferuarve të Berishës dhe Bashës. Dhe kjo ndodh në kësi rastesh në çdo parti, për hir të së vërtetës.

Në këtë skuadër ka gjëra të bëra mirë dhe njerëz të mirëvendosur, aq sa ka edhe përzgjedhje të nisura nga nevoja për fytyra të reja, më shumë sesa për qeveri hije të mirëfilltë.

Nuk do dua të merrem me ata që nuk duhet të ishin, sesa me ata që do duhet të ishin, pasi mjafton vetëm Ristani dhe e ezauron argumentin.

Por Basha, me gjithë dashamirësinë time publike ndaj tij, besoj se ka bërë gabim, ose më saktë do të duhet të insistonte më shumë në pasjen në krah të djathtë të tij, të një figure emblemë dhe të pastër si Eduart Selami.

Eduart Selami është i pakritikueshëm në rekordin politik dhe qeverisës dhe do t’i bënte shumë punë PD-së, si një figurë jo vetëm që di të artikulojë qartë dhe në mënyrë lakonike tipike anglosaksone mendimin politik, por edhe do rriste kuotat e besueshmërisë në rinovimin real të PD-së, e cila me mospërfshirjen e Selamit në strukturat drejtuese të saj, ka bërë harakiri.

Vlera të ngjashme politike në atë parti dhe forcë argumentuese dhe elokuence politike kanë Genc Pollo dhe Arben Imami, që janë figura të nevojshme në betejën për mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, të cilët kanë nevojë po aq sa PD-ja për forcën e argumentit parlamentar a publik, e që këta politikanë karriere e bëjnë shumë mirë.

Pollo shumë mirë do t’i bënte nder PD-së si ministri i Jashtëm hije për tërë karrierën e tij eminenciale, sado gri që ka pasur, por që gjithsesi ka qenë një aset diplomatik i Shqipërisë postkomuniste.

Shumë mirë ka bërë PD-ja edhe përkundër kritikave inatçore që bëhen ndaj Grida Dumës, e cila ka karizmën fizike, por edhe atë intelektuale për të bërë oponencë me patos politik për PD-në dhe është sfiduese për kundërshtarët e saj politikë. Dhe kjo është e dukshme.

Po ashtu, shumë mirë ka bërë edhe për Florion Mimën si specialist i mirëfilltë ekonomie, madje bashkë me të të kishte edhe të riun Kadia, si vlerë e shtuar në radhët e PD-së së sotme dhe të nesërme.

Në këtë aspekt, personalisht jam kundër kritikave që bëhen për dhëndrin e Berishës, armikut tim të deklaruar politik. Pa rënë në prehrin e ish-luftës së klasave, ai nuk do duhet të gjykohet si dhëndër i Berishës, por thjesht si Jamarbër Malltezi.

Si çdo njeri, edhe ai ka të drejtën politike të kontribuojë në atë forcë politike që dëshiron dhe për aq vlera profesionale sa ka.

E kundërta do të ishte fatkeqësi intelektuale. Unë nuk do doja të më gjykonin se djalë i kujt jam apo dhëndër i kujt jam, sesa kush jam dhe jam i bindur që të gjithë do ta donin një trajtim të tillë.

Kostot apo avantazhet janë sa të atij personale aq edhe të partisë së tij politikisht. Por paragjykimi politik është demode në dhjetëvjeçarin e dytë të mijëvjeçarit të tretë.

PD-ja e sotme aq sa ka nevojë imediate për shkëputjen reale të Berishës nga qafa e saj, aq ka nevojë për përqafimin e atyre që në mënyrë të balancuar, do të ofronin për kontributet e tyre të certifikuara, por edhe të identifikuara si garda e re që do të bindë shqiptarët gri se koha e Berishës është një kapitull i mbyllur njëherë e përgjithmonë.

Kjo është sfida më e madhe e Bashës, si parakusht për sfidën tjetër, atë të bindjes së shqiptarëve se ai di të përzgjedhë një skuadër që mund ta drejtojë Shqipërinë më mirë dhe me ide akoma më realiste dhe efektive se ata që janë votëbesuar më 23 qershor.

Leave a Reply

%d bloggers like this: