Bota

Rusia ndërpret projektin e gazsjellësit me BE

Rusia ka ndërperë projektin për ndërtimin e gazsjellësit South Stream. Presidenti Putin bëri përgjegjës Bullgarinë dhe BE-në. Rusia do t’i japë tani më shumë gaz Turqisë.

Rusia heq dorë nga planet e saj miliardëshe për ndërtimin e gazsjellësit South Stream për furnizimin e Evropës. “Kjo ishte e gjitha. Projekti është mbyllur”, tha shefi i Gazpromit, Aleksej Miller, të hënën, duke iu referuar “qendrimit bllokues të BE”. Tubacioni South Stream do të çonte gazin rus përmes Detit të Zi në Evropën Juglindore, pa e prekur Ukrainën.

Pak më parë shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, kishte thënë, se vazhdimi i ndërtimit do të ishte i pakuptimtë. “Për shkak të mungesës së miratimit të Bullgarisë punimet e mëtejshme në këtë projekt nuk kanë kuptim”, tha Putin gjatë vizitës së tij në Ankara, njofton agjencia ruse e lajmeve Interfax. Bullgaria bllokon punimet e ndërtimit në fundin e detit, Sofja nuk e ka dhënë akoma lejen e nevojshme.

“Në qoftë se Bullgaria nuk është në gjendje të sillet si një shtet sovran, ajo duhet të kërkojë nga Komisioni i BE-së paratë për favorin e humbur”, tha Putin. Vetëm nga tranziti i gazit rus Bullgaria do të mund të merrte “të paktën 400 milion euro në vit”.

Punimet janë bllokuar në Bullgari
Punimet janë bllokuar në Bullgari

Turqia do ta zgjerojë tregtinë me Rusinë

Putin ndodhet aktualisht në një vizitë shtetërore në Ankara. ku u prit nga presidenti turk Rexhep Taip Erdogan. Turqia dëshiron të trefishojë tregtinë e saj me Rusinë brenda dhjetë viteve të ardhshme me 100 miliardë dollarë amerikanë, tha Erdogan pas takimit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i kërkoi Turqisë që të mos minojnë sanksionet e BE-së dhe të SHBA-së kundër Rusisë për Ukrainën. Turqia bën pjesë në NATO dhe negocion me BE për pranim.

Në sfondin e krizës së Ukrainës projekti South Stream është bërë një mollë sherri mes Moskës dhe BE. Pas presionit të madh nga Brukseli dhe Uashingtoni Bullgaria si vend tranzit ndërpreu në qershor punimet përgatitore për projektin.

Putin akuzoi BE se nuk jep dritë jeshile për South Stream. “Ne shohim se janë ngritur barriera”, tha ai në Ankara. Nëse Europa nuk do ta realizojë projektin, atëherë ai nuk do të bëhet. “Ne jemi të bindur se kjo është në kundërshtim me interesat ekonomike evropiane dhe shkakton dëme”, tha Putin.

“Burimet ruse të energjisë shkojnë pastaj në tregjet e tjera, por Evropa nuk do të marrë në dimensione të tilla”, tha Putin. “Rusia nuk mund të investojë qindra miliona dollarë dhe pastaj të mbetet e bllokuar në kufirin bullgar.

Më shumë gaz për Ankaranë

Putin njoftoi gjatë vizitës së tij në Ankara edhe se do të rrisë eksportet e gazit në Turqi në tre miliardë metra kub dhe se do ta reduktojë çmimin me gjashtë për qind. Shefi i Gazpromit Miller tha se Rusia dhe Turqia kanë nënshkruar tashmë një memorandum për ndërtimin e një tubacioni në det të hapur prej 63 bilionë metra kub gaz. Sipas burimeve ruse Turqia është pas Gjermanisë konsumatori më i madh i gazit natyror.

Rusia ra së fundi dakord me Kinën për një partneritet të zgjeruar. Kina ka nevoja të mëdha për energji.

Formalisht për ndalimin është i nevojshëm një vendim i bordit mbikqyrës të konzorciumit South Stream. Megjithatë Rusia si pronare e pjesës më të madhe ka fjalën më me peshë.

Projekti South-Stream filloi në vitin 2012. Tubacioni rreth 2400 kilometra duhet të ndërtohet nën udhëheqjen e gjigandit energjetik rus Gazprom dhe do të transportojë çdo vit deri në 63 miliardë metra kubë përmes detit të Zi në BE. Vëllimi i projektit llogaritet të arrijë në rreth 16 miliardë euro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button