Ekonomia

Cani: Synojmë daljen në tregjet ndërkombëtare

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi të mërkurën se ndryshimet në ligjin për huamarrjen synojnë përmirësimin e menaxhimit të borxhit publik.
caniAi informoi para deputetëve të Komisionit parlamentar të Ekonomisë se ministria e Financave po gjykon instrumentat për të dalë në tregjet ndërkombëtare. “Ne synojmë gjatë vitit 2015 të shmangim sa më shumë të jetë e mundur huamarrjen e brendshme dhe synojmë daljen drejt tregjeve të huaja, në mënyrë që të lëmë sa më shumë hapësirë për kredimarrje nga biznesi”, tha Cani.
Kreu i financave publike u shpreh se alternativa më e mundshme është eurobondi. “Eurobondi në nëntor të vitit 2015 maturohet që do të thotë 300 milionë euro nuk janë më borxh, shuhen. Dhe ne po studiojmë disa alternativa në varësi nga tregu që të zëvendësojmë këto 300 milionë me 300 milionë të tjera. Për 2015-ën është parashikuar huamarrje me kohë të gjatë, që mund të shkojë 7 deri në 10 vite”, nënvizoi Cani.
Ndryshimet e propozuara në ligjin për huamarrjen dhe borxhin, i cili nisi të mërkurën shqyrtimin në Kuvend, i rrisin kompetencat ministrit të Financave për të marrë borxh, ndërsa shmangin Kuvendin nga vendimarrja.
Në bazë të këtyre ndryshimeve, Ministria e Financave do të mund të “luajë” më me shpejtësi në tregje, pa pengesa proceduriale, në mënyrë që të garantojë interesa dhe kosto më të ulëta huamarrje. Ndryshimet në ligjin për huamarrjen shtetërore dhe borxhin publik parashikojnë dhënien e kompetencës së negocimit dhe miratimit për marrëveshjet e borxhit Ministrit të Financave, pa pasur detyrimin që çdo marrëveshje e nënshkruar të kalojë për miratim fillimisht në Kuvend.
Referuar relacionit të projektligjit ky ndryshim bëhet “për të garantuar nivele më të kënaqshme të kostove të huamarrjes shtetërore përfshirë normën e interesit, komisionet etj”, Sipas relacionit, kalimi i çdo marrëveshjeje borxhi përmes procedurave parlamentare ka rezultuar se shkakton kosto shtesë për arkën e shtetit. Nisur nga kjo Kuvendi i Shqipërisë do të jetë më i kufizuar për të vendosur për huamarrjen, pasi kjo kompetencë tashmë i kalon ministrit të Financave

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button