Opinion

Rishfaqja e tradhtarëve

YLLI POLOVINA

Ylli PolovinaNjë nga bankat më emërmira dhe më të mëdha shqiptare, më 27 nëntor, në orën 08.34, dërgoi në celularin e autorit të këtij shkrimi një tekst, të cilin me siguri e ka shpërndarë te të gjithë klientët e vet. Me germa kapitale në të thuhej se ajo “u uron gëzuar Ditën e Flamurit dhe festën e Pavarësisë! Për një botë mundësish reale, drejt një zhvillimi të qëndrueshëm!”

Duke qenë se nuk kishte përmendur ditëçlirimin nga pushtimi prej Boshtit Fashist, natyrshëm arsyetimi shkoi te hamendja që kjo do të ndodhte një ditë më pas.

Por asnjë mesazh tjetër nuk erdhi.

Nuk bëhet fjala se ditëçlirimi iu mënjanua 29 nëntorit, siç edhe parti politike të caktuara ose një pjesë e opinionit tonë publik e gjykon. Midis të dytëve ngjarja gjithsesi ka zënë vend brenda datës së shenjtë njëzetë e tetë.

Problemi është se kjo ngjarje e ndodhur në historinë tonë prej të mirës bankë u zhduk krejt. U fshi. Sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.

As iluzionisti apo zhongleri më i mirë në botë nuk guxon të sipërmarrë një truk të tillë.

E guxon një bankë, ku janë depozituar kursimet e të gjithë shqiptarëve, të atyre që janë vetëm me 28 nëntorin, të atyre që ndihen më mirë kur njohin 28 dhe 29 nëntorin dhe të atyre që nuk duan të dëgjojnë dhe as të besojnë se ka ekzistuar një luftë çlirimtare antifashiste. Në këtë bankë, si edhe te shumë të tjera, po ashtu i marrin pensionet e pleqërisë mijëra bashkëkombës të ideve të ndryshme.

Megjithatë, një episod të tillë mund edhe ta lije mënjanë, sidomos kur u vu re se zyrtarisht Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria, si rrallëherë tjetër, dëshmuan kujdes të qartë që t’i njihnin, për aq sa kanë përmasat e tyre në të mirë të popullit shqiptar, Ditën e Flamurit si edhe 70-Vjetorin e Çlirimit.

Edhe pse u bë një ndeshje opinionesh mjaft të kundërta, në 28 dhe 29 Nëntor të këtij viti përkujtimet kaluan pa asnjë acarim politik të dukshëm.

Ka qenë një hap përpara në kujdesin për t’i dhënë hakën gjithsecilës ngjarje, por aspak për të zeruar ditëçlirimin nga fashistët. Mbase në këtë përshtypje artikullshkruesi mund të jetë subjektiv, por gjithsesi po e vazhdojmë më tej idenë.

Pikërisht kur e shumëdebatueshmja ditëçlirimi po mbyllej drejt qetësimit, Kryeministri i vendit shqiptoi një deklaratë të ashpër. Pak a shumë ai tha (dhe opinioni publik si edhe media të tillë e perceptoi) se kush sot nuk e donte dhe nuk e vlerësonte Luftën Nacionalçlrimtare, ishte një tradhtar.

Pas zotit Edi Rama ishte një politikan tjetër, i njohur si protagonist i rreshtit të parë, Erjon Braçe, i cili i dha zemërimit një hov akoma më të madh. Ai tha se kishte ardhur koha të denoncoheshin tradhtarët. Por ndërsa te shefi i qeverisë dallohej teknika e një manovre për të mos humbur në atë të vështirë 29 nëntor konsensus elektoral, te deputeti socialist zotëronte pasioni jo vetëm për ta çuar këtë në një prishje të padashur ekuilibri, pra edhe në humbje mirëkuptimi publik, por edhe në qëllimin për t’i dhënë argumentim politik kësaj teze.

Ai e adresoi goditjen ndaj Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, duke i quajtur ato jo vetëm si tradhtare të vendit, por i kategorizoi edhe si formacione politike të djathta. Kjo, sipas tij, linte të nënkuptonte se partia e vet e majtë ishte kundër dy të mëparshmeve.

Porse në të vërtetë kundër BK dhe Legalitetit ka qenë PKSH. Sot asnjëra nga këto të tre nuk ekziston, siç nuk ekzistojnë edhe po ato rrethana historike që u dhanë jetë atyre.

Sot janë në veprim PS dhe PD, si edhe parti të tjera, të cilat kanë alternativa të ndryshme, që qeverisin duke u alternuar ciklikisht. Asnjëra prej tyre nuk mendon si dyzetë, pesëdhjetë apo shtatëdhjetë vite më parë.

Ndërkohë, Kryeministri i vendit kohë më parë se të meritonte këtë post qeveritar, në mbledhjen e konsensusit gjithëpopullor doli me doktrinën “as i majtë dhe as i djathtë”.

Disa muaj më parë se të vinte ditëçlirimi ai po ashtu sipërmori çështjen delikate (brenda partisë së tij), të rivarrimit shtetëror të Eqrem Vlorës, i cili bashkë me vlerat e tij si intelektual apo pjesëtar i një familjeje me kontribut të shquar në historinë tonë kombëtare, qe edhe ministër i një qeverie bashkëpunuese me nazistët gjermanë.

Në mënyrën se si ky operacion i ndërlikuar u krye kishte mjaft vetëdije për t’u dhënë fund skemave të vjetra ideologjike dhe me këtë rast për t’u pranuar si një nga shembujt pozitivë për t’u ndjekur dhe modelet moderne si ne sot duhet të sillemi ndaj historisë sonë dhe vlerave të mohuara.

Madje, siç edhe ndodh në kësi rastesh kur shefit nuk ia kuptojnë mirë strategjinë, një nga këshilltarët më të afërt të Kryeministrit, siç po del këto kohët e fundit prej disa analistëve dhe studiuesve me prestigj, qe deklaruar se në vitet e luftës ai do të zgjidhte anën e atyre bashkëkombësve që u bënë aleatë me italianët dhe gjermanët, çfarë donte të thoshte se do të ishte me Boshtin Fashist dhe kundër Aleancës Antifashiste anglo-sovjeto-amerikane.

Rikthimi i gjuhës së kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe asaj të Ftohtë, duke cilësuar si organizata dhe anëtarësi tradhtare të gjithë ata që dikur bënin pjesë në Ballin Kombëtar apo Legalitetin, nuk është vetëm mendësi anakronike dhe logjikë antihistorike, por edhe provokim ndaj frymës së mirëkuptimit publik që duhet dhe po përhapim mes njëri-tjetrit.

Në situata të veçanta kjo gjuhë, në majën e të cilës luan kaq lehtësisht fjala “tradhtar”, mund të cenojë edhe rendin publik.

Prandaj kjo fjalë kur të shqiptohet apo t’i drejtohet njeriut ose një bashkësie, është në të mirën tonë të përbashkët të mendohet më mirë.

“Tradhtar” është akuza më e rëndë në faqe të dheut.

Më tepër se hajdut apo kriminel.

Në fund të fundit kundër historisë dhe të vërtetës nuk dalim dot. Në çdo rast të tillë ato as kanë për të na përfillur, në pushtet të jemi apo në opozitë, me autoritet të madh apo fare pak të dëgjuar.

Ditëçlirimi ynë i 29 Nëntorit 1944 nuk asgjësohet dot nga superfuqi botërore dhe jo më nga një bankë apo disa inatçorë që pështyjnë mbi një nga kontributet më të mëdha shqiptare.

Po ashtu nuk fshihet dot as nga njëmijë akademi apo dhjetërafish më shumë partiakë, gazetarë, historishkrues se kjo datë qe në të njëjtën kohë, ashtu siç shpesh rri e mira me të keqen, dita e çlirimit tonë pa na dhënë liri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button