Home / Kryeartikull / Lënia e bojkotit si kumt tejkalimi i Berishës

Lënia e bojkotit si kumt tejkalimi i Berishës

ALEKSANDËR ÇIPA

Aleksander CipaMarrëdhënia politike që po krijon PD me bojkotin parlamentar është jo aq komplekse dhe e vështirë sa po e shet zyrtarisht. Arsyet e këtij bojkoti nuk mbeten në kujtesë edhe pse ai vijon. Shumë pak gazetarë të politikës e kanë të lehtë t’i rendisin ato, sikundër, nëpër kronikat televizive, mungon gjithnjë e më shumë renditja e arsyeve të tij.

Matanë peshës apo arsyes së mjaftueshme të opozitës për të vijuar këtë bojkot, po shfaqet nevoja se pse bojkoti nuk po mbyllet edhe pse ka mbërritur gjer në limitin kohor të parashikuar nga ligji dhe rregullorja e Parlamentit. Grupi i deputetëve të PD-së dhe të pak deputetëve të partive aleate në datën 18 dhjetor përballet me ekzekutimin ose jo të këtij ligji.(Afati lidhet me datën 10 janar kur fillon sesioni për vitin 2015). Tejkalimi i këtij afati vë në diskutim juridik mandatet e secilit deputet opozitar. Natyrisht, mund të gjenden justifikime dhe arsye ligjore si argument se nuk është plotësuar limiti kohor i mungesave, nëse do të konsiderohen udhëtimet dhe takimet ndërkombëtare si veprimtari parlamentare prej opozitarëve.

Mirëpo, opozita sikundër ngjet në gjithë periudhën e këtij tranzicioni, nuk e ka në refene këtë fakt. Kjo është bërë tashmë natyrë jo vetëm me këtë grup parlamentar, por në përgjithësi me klasën tonë politike, e cila sillet si kastë shpërfillëse e legjislacionit që vetë miraton. Mjafton të dëgjosh përgjigjen paralajmëruese të kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, zotit Paloka, dhe bindesh se një vendim politik partiak në këtë vend del mbi dhe e nxjerr nga vlera përdoruese, ligjin. “Ne nuk bëjmë llogari aritmetike. Vendimi ynë për të dalë nga Parlamenti është vendim politik dhe ne nuk mund të rrimë e të shohim datën se kur do skadojë mandati. Ato llogari le t’i bëjë Rama me Metën. Kemi marrë një vendim politik dhe do t’i qëndrojmë deri në fund”.

Në përgjigjen e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, natyrisht që është i qartë edhe adresimi se prej kujt e presin tejkalimin e kushteve të vëna për këtë bojkot demokratët. Mirëpo kjo politikë që evidenton protagonizmin hiperbolik të kundërshtarit politik në jetën parlamentare dhe në respekt të jetës parlamentare nuk është rishtare. Kështu është sjellë kjo klasë politike edhe gjatë bojkotit të së majtës në vitin 2009 e më tej. Arsyet që shumica e djeshme i quante krejt të paarsye, sot i merr si argument dhe arsye të patejkalueshme për veten, pasi është opozitë vetë. Këtë lloj dhe model politikëbërjeje po mbajnë në lojë dy partitë tona edhe pse i kanë ndryshuar udhëheqësit edhe pse me gjasë, kanë ndryshuar lidershipin e tyre. Po aktrojnë pabesueshëm duke shfrytëzuar në këtë vend e me këtë shoqëri, mekanizmin më pengues e më stanjacional të mundshëm.

Por duhet të jemi vetëm lexues të drejtpërdrejtë të realitetit dhe të së vërtetës që po ngjet përsëritshëm si lojë vijuese, me të. PD nuk ikën prej bojkotit jo se ka arsyet e plota bindëse, por se të tejkalojë këtë bojkot, do të thotë të tejkalojë hierarkun e vet brenda selisë me themele dhe mure për destinacion militar.

Bojkoti është ide dhe strategji e nismuar, e mbrojtur dhe e lënë në fuqi prej ish-kryetarit Berisha. Ky bojkot tashmë më të rëndësishëm ka kumtin e vet, sesa kërkesat politike të paqarta dhe vështirë të mbajtshme mend.

Kryetari i grupit, zoti Paloka, e manifeston mendësinë dhe shpirtin për ndërhyrje e monitorim ndërkombëtarësh (sa herë ka pasur kriza me protagonist zotin Berisha), edhe në rastin e këtij bojkoti. “Nëse nuk zbatohet ajo që ne kërkojmë, pra, një marrëveshje nën monitorim ndërkombëtar që kjo qeveri, kjo mazhorancë të zbatojë ligjin dhe Kushtetutën, atëherë, ne me atë të ashtuquajtur Parlament s’kemi asnjë lidhje”. Dhe më tej zoti Paloka përfshin ndër kushte edhe të fundit, atë të kërcënimeve me burgje të Kryeministrit në daljet e fundit publike për pagesën e energjisë.

Është e kuptueshme se kjo situatë dhe sidomos kënaqësia politike që mori opozita prej protestës me thelb dhe motive sociale të 22 nëntorit, të përdoren prej saj për trazim të mëtejshëm politiko-social në vend. Kjo është e dukshme. Protestat janë aksioni dominant i paralajmëruar. Avokatia e PD-së në formën e populizmit përkundër vendosmërisë dhe forcës së qeverisë ndaj paligjshmërisë dhe uzurpimit të mjediseve publike, janë shenja të cilat parathonë goditjen e qeverisë edhe me versionin e pritshëm të pabindshmërisë civile. Por kjo është një lojë dhe veprim politik që shëmbëllen dhe imiton pikat kulmore të tranzicionit dhe krizave që përcollën atë.

Ne nuk kemi ikur nga tranzicioni, domethënë nuk e kemi lënë atë, madje ai po gjenerohet në shumë elemente dhe arsye të politikëbërësve, në shumë sjellje dhe veprime, në mjaft qëndrime dhe skema dhe sidomos në metodologjinë e përballjes antagoniste dhe konfliktuale.

Në hije të kësaj strategjie opozitare shquhet silueta dhe buçet zëri i të paikurit Doktor të politikës shqiptare. Ky version i përsëritur nuk ndëshkon apo rrezikon atë, por kërcënon PD-në dhe besueshmërinë ndaj së djathtës së këtij vendi. Të riimplementosh në vitin 2014 tezën se ikja nga bojkoti duhet të realizohet përmes një marrëveshjeje që të monitorohet nga ndërkombëtarët, do të thotë të predikosh atë që refuzon në versionet e njëjta prej kundërshtarit. Ky kusht instalon edhe më fort krizën e besimit politik, shton argumentet se partitë politike në këtë vend janë refuzuese dhe dyshuese të kapacitetit të tyre etj., etj. Lidershipi i ri i PD-së i ka të gjitha të drejtat të vlerësojë apo çmojë trashëgiminë e udhëheqësit historik të saj. Sikundër e ka domosdoshmëri të ikë prej përdorimit dhe rikthimit të armëve politikëbërëse që lanë në fuqi tranzicionin në këtë vend. PD dhe udhëheqësia e re e saj nuk mund të mbetet e nënshtruar për shkak të një kumti. Në rastin e fundit, pra në situatën e bojkotit me arsye të pambajtshme mend, opozita e Bashës nevojitet të ballafaqohet me kontrastin që lind prej konstruktivizmit dhe avokatisë nen për nen të Kushtetutës dhe formalizmit në këtë vend. Aleanca e saj me informalitetin dhe të zezat e gropës së madhe të Shqipërisë së tranzicionit, nuk i premtojnë rikthim në pushtet, por rishfaqin në horizont thellësi të mëdha lindore për këtë vend.

Leave a Reply

%d bloggers like this: