Opinion

Bursa hileqare e bojkotit

SKËNDER MINXHOZI

Skender MinxhoziOpozita rikonfirmoi dje qëndrimin e saj jashtë Kuvendit, me anë të kreut të Grupit Parlamentar, Paloka. Ranë kështu poshtë fjalët e përhapura së fundi, se në janar PD dhe aleatët e saj të djathtë do t’i jepnin fund bojkotit të tejzgjatur. Përkundër asaj që përflitej, PD e re, e dalë nga zgjedhjet e fundit të forumeve drejtuese, duket se do të vazhdojë të refuzojë kthimin në institucionet e larta të politikës. Megjithëse jo më larg se dje, eurodeputetë të së djathtës europiane u bënë edhe një herë tjetër thirrje aleatëve të tyre në Tiranë, që të rishqyrtojnë vendimin në fjalë.

Ka pasur këta muaj shumë hamendje rreth arsyeve të vërteta, që vazhdojnë ta mbajnë larg PD nga Parlamenti. Që bojkoti të përdoret si mjet presioni mbi qeverinë, kjo ka pak gjasë të ndodhë. Shqipëria nuk ka ndonjë takim të rëndësishëm në horizont, me institucionet e Brukselit, që të mund të përdoret ky pozicionim si kartë presioni mbi Ramën. Përkundrazi, pas marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, axhendat e “minutës së fundit” duken të largëta dhe pa peshë në jetën politike shqiptare.

Ndërkaq, bojkoti ka bërë që pesha e grupit parlamentar të opozitës të relativizohet ndjeshëm. Deputetët demokratë i sheh tashmë vetëm nëpër ekranet e televizioneve dhe faqet e shtypit, ose në ndonjë dalje disasekondëshe në podiumin e konferencave të shtypit në PD, për të bërë sulmin e radhës ndaj qeverisë. Mbyllja në vetvete e një partie të madhe politike, është një lajm i keq për demokracinë e një vendi. PD është një alternativë pushteti. Largimi i vullnetshëm i saj nga detyrat bazë që ka në skenën politike kombëtare, përbën një handikap jo vetëm për të si forcë politike, por për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Opozita mund të ndihet më se e kënaqur me mënyrën sesi u zhvillua protesta e 22 nëntorit. Një episod që me siguri ka ndezur imagjinatën dhe zgjuar optimizmin brenda saj. Por politika, kjo bursë e paqëndrueshme dhe hileqare vlerash, ka dinamikat e saj të brendshme. Momenti pozitiv që opozita hipotekoi në nëntor, mund të mos zgjasë shumë, nëse nuk shoqërohet me prezencë dhe kontribut të prekshëm edhe në javët që do të vijnë. Në qoftë se Basha e Berisha mendojnë se njerëzit dolën në shesh kryesisht për shkak se ata po qëndrojnë jashtë Parlamentit, mund të gabohen rëndë. Nuk ka iluzion më naiv, sesa të besosh që njerëzit të cilëve po u shemben shtëpitë dhe bizneset, apo po detyrohen të paguajnë borxhet e prapambetura të energjisë, kanë dalë në protestë për të kërkuar plotësimin e kushteve që opozita ka vendosur për t’u rikthyer në Parlament. Po t’i pyesësh, shumica dërrmuese e shqiptarëve as që i kujtojnë ato kushte sot.

Sa më shumë kalojnë ditët dhe javët, sa më shumë që PD distancohet në kohë nga momenti i tensionit që e shtyu të dalë nga Kuvendi, aq më të brishta bëhen argumentet që ajo ka, përballë zgjedhësve shqiptarë e miqve e aleatëve të huaj. Aq sa, me kalimin e ditëve, në media kanë marrë formë gjithfarë teorish konspiracioni, që pretendojnë se Basha po e mban larg partinë nga Parlamenti, për të ulur peshën e grupit parlamentar, ku ka jo pak armiq, si dhe për të lançuar publikisht figurat e reja të sapozgjedhura në kokën e partisë. Sa për kujtesë, gjashtë sekretarët e rinj të Partisë Demokratike janë që të gjithë pa mandat deputeti në xhep. Pra, do të “vazhdojnë” bojkotin, edhe kur partia e tyre të jetë kthyer në Kuvend.

Kalimi i buxhetit pa asnjë debat në Parlament, por vetëm me kritika të bëra në distancë nga selia e opozitës, ishte një dëshmi e qartë se mungesa e PD-së në Parlament e ka dëmtuar qartë jetën demokratike në vend. Jo mazhorancën, as planet e saj qeverisëse, as interesin e saj të ngushtë politik, por mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë. Dhe opozita është votuar një vit e gjysmë më parë, që t’i mbrojë votuesit e saj. Buxheti që sapo u miratua mori kritika të ashpra nga opozita, por edhe nga segmente të tjera të shoqërisë shqiptare. Ishte e detyrueshme që oponenca ndaj ligjit financiar dhe qeverisë që e mbronte atë, të bëhej jo me “korrespondencë”, por drejtpërdrejt në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Duke i ikur këtij misioni bazë të saj, opozita dëshmoi, sipas mendimit edhe të një pjese jo të vogël të përfaqësuesve të saj, mungesë përgjegjshmërie dhe vizioni.

Ky i buxhetit është vetëm rasti më i fundit i një dialogu të munguar mes palëve, i rënduar skajshëm nga bojkoti parlamentar. Nëse marrim sot të gjitha betejat kryesore që zhvillohen mes qeverisë e opozitës, për probleme nga më therëset që ka shoqëria shqiptare, do të shohim se shumica e tyre mahiset, acarohet dhe ashpërsohet, edhe nga mungesa totale e komunikimit. Për shembull, nëse qeveria dhe opozita do të kishin avancuar një komunikim normal mes tyre, siç ndodh në çdo demokraci të stabilizuar, qëndrimet për faturat e energjisë, shembjet e ndërtimeve pa leje etj., me gjasë do të kishin qenë më të buta dhe do të ishin evituar tensionet sociale dhe përplasjet e kërcënimet verbale që dëgjohen përditë.

Bojkoti aktual i opozitës, ashtu si paraardhësit e tjerë të tij në vitet e shkuara, janë prova materiale e pamundësisë dhe paaftësisë së politikës shqiptare për të zhvilluar dialogun dhe marrëveshjen, si parakushti i një ambienti demokratik të relaksuar e normal. Në të kundërt, kërkohet gjithmonë ashpërsimi, kriza dhe tendosja e skajshme, si një mjet hileqar drejt përmbysjes së situatave të caktuara. E thënë ndryshe, duke bojkotuar, edhe opozita e djeshme, edhe kjo e sotmja, më parë se të mendojnë për interesat publike që duhet të përfaqësojnë, bëjnë kalkulime meskine në funksion të marrjes së pushtetit me çdo rrugë dhe formë. Një realitet që mban peng të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button