Arte

Nudoja e vetmuar e Zef Kolombit

“100 vjet vizatimi shqiptar” / Galeria e Arteve ekspozon sot vizatimet e ruajtura në fondin e saj. 152 vepra sjellin këndvështrimet e 46 artistëve ndër vite në këtë gjini kaq të ndier 

Së shpejti, për herë të parë, një linjë e re muzeore në Galeri, kushtuar vizatimit

artNudoja e vendosur nën kornizën e lehtë të bardhë, në një hapësirë krejt të sajën, në sallën ku janë shpalosur 152 vizatime, të marra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, është realizuar nga Zef Kolombi. Duhet të jetë realizuar diku pas viteve 1930, kur i riu shkodran sapo ishte kthyer nga shkollimi në Akademinë e Arteve në Romë. Puna e tij e parë pas kthimit në Shqipëri ishte mësues vizatimi në Normalen e Elbasanit. Vajza në vizatim me flokët e hedhur pas qafës duket kaq e qetë. E ndan vetëm një fije e hollë këtë vizatim nga piktura. Kolombi duket sikur e ka sjellë të gjallë gati një shekull më pas këtë vajzë që duhet të ishte ndonjë mikesha e tij e shkollës. “Nudoja në vizatimin shqiptar është interesante dhe nuk ka artist që s’e ka në dosjen e tij të punës, por në GKA nuk ka shumë nudo dhe arsyet tashmë dihen. Unë kam parë në dosjet e tyre në studio apo familje shumë të tilla”, thotë Suzana Varvarica, kuratore e ekspozitës “100 vjet vizatimi shqiptar”, që do të hapet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve. Nën kurimin e Varvaricës dhe drejtorit të këtij institucioni, Artan Shabani, prezantohen për herë të parë 152 vepra të zgjedhura në koleksionin e madh të vizatimit të fondit të GKA-së. Ato janë krijimtari e 46 artistëve. Atmosfera e saj, përpos shkaktimit të nostalgjisë për kohët dhe imazhet historike, i propozon publikut shqiptar dhe të huaj të prekë fillesat dhe përpjekjet kreative të artistëve, të njohë nivelin në rritje të vizatimit shqiptar dhe të dokumentojë gjurmët stilistikore, ku dominojnë ato realiste.

“Një ekspozitë e përmasave të tilla vjen për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Arteve, pasi asnjëherë nuk i është dhënë një hapësirë ekspozimi kësaj gjinie të artit. Janë rreth 150 vizatime, ku vihet re fryma njerëzore, peizazhi, por edhe atmosfera e kohës kur u krijuan, që nga fundi i shek. XIX e deri në vitet ’90”, tha drejtori Artan Shabani, dje në konferencën për shtyp. Sipas tij, punët e ekspozuara në këtë ekspozitë nuk do të kthehen dhe të mbyllen në fond, pasi ekspozita do të mbyllë ciklin e saj, një pjesë e këtyre vizatimeve do të bëhen pjesë e linjës së re muzeore që do të ngrihet në GKA.

Ndërsa kuratorja Varvarica u shpreh se në fondin e madh të GKA ruhen rreth 300 punime në vizatim, të cilat janë të realizuara në teknika të ndryshme si: laps, karbon flamastër, bojë kine, apo tush e penë mbi letër. Veprat janë të realizuara nga rreth 74 artistë, autorë të fondit të veprave të GKA. “Ne jemi munduar të zgjedhim ata artistë që janë evidentuar më tepër me vizatimin, që në njëfarë mënyre e kanë parë me më shumë dashuri këtë gjini. Përveç emrave të mëdhenj si: Idromeno, Kodra, Shijaku, apo Buza e të tjerë, u përpoqëm të përfshijmë në ekspozitë edhe emra të rinj, apo artistë të heshtur, pothuajse të panjohur për publikun. Ata janë shumë të rëndësishëm për ne, siç është Dhimitër Theodhori, tre vepra të të cilit i janë shtuar fondit të GKA nga drejtori Artan Shabani, apo edhe emra të tjerë si Hasan Koka, Ibrahim Shehu, Jakup Keraj, Sami Roçi, Kujtim Koprencka, Fotinka Serjani, Zanfira Heta, apo Merita Selimi”, tha Varvarica.

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen artefakte që dëshmojnë se historia e artit laik shqiptar ka hyrë në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XXI dhe ka krijuar një moshë prej më shumë se 100 vite. Në strukturën artistike të kësaj historie, një vend kurajoz ka zënë këndvështrimi i krijimtarisë së artistëve tradicionalë shqiptarë në gjininë e vizatimit.

Ekspozita sjell pamjen e selektuar mbi nxjerrjen në pah të temave dhe emrave të artistëve. Ajo kryeson me polifigurën intelektuale tradicionale të Kolë Idromenos, si artisti i parë në krijimtarinë e gjinisë së vizatimit shqiptar. Harku kohor në të cilën përhapet atmosfera e ekspozitës nis me skicë ide të Idromenos të viteve ’90 të shekullit XIX dhe mbyllet me vizatimin modern, ekspresivo-abstrakt të artistes Merita Selimi të viteve ’90 të shekullit XX. “Nëse flasim për artin figurativ në përgjithësi dhe në hershmëri, fillesat gjenden asaj kohe, kur grafikimet apo gërryerjet e para zbulohen te piktogramet gjeometrike apo figurative mbi sipërfaqe të mureve të gurta të shpellave apo gurëve të mureve mbrojtëse të qytetërimeve të lashta. Dhe ky proces figurativ apo vizatimi i ideve të memorizuara në figura ka ndjekur vazhdimisht njeriun që mbante në vetëdije forcën për të vizatuar figurat”, thotë Varvarica. Por rrugëtimi i vizatimit shqiptar nis me Kolë Idromenon. “Dhe nëse mendojmë se temat e tij afetare nisin në fund të shekullit XIX, atëherë skica e vizatimit si pararendëse e kompozimit piktorik e justifikon kohën e përcaktuar të kësaj ekspozite që mendoj se është në kapërcyell të shekullit XX”, thotë ajo. Është e vështirë të gjesh tendenca artistike te këto fillime, por nuk mungojnë dëshmitë figurative realiste naive dhe diletante mbi ndodhitë që kanë tërhequr më shumë vëmendjen e artistit Idromeno. Kthimi i disa artistëve shqiptarë që kishin studiuar në shkollat italiane do të sillte pas viteve ’50, ndikimin nga kjo shkollë dhe në gjininë e vizatimit. “Pas viteve ’50 dallojmë disa veti të pakta që anojnë kah vizatimi i shkollave të Romës dhe të Parisit. Por pas këtyre viteve dominoi vizatimi akademik i shkollës së realizmit dhe realizmit socialist në Shqipëri, e cila u përfaqësua nga shkolla e vetme në vendin tonë ILA”, thotë Varvarica.

Por si mund të përshkruhet ky shekull në vizatimin shqiptar? Për kuratoren në ekspozitë përmblidhesh në një atmosferë të lexueshme figurative, ku bashkëshihesh me personazhin e burrit dhe të gruas, me mjedisin e tyre natyror, me punën e tyre, me fenomene ideologjike dhe mentalitete etno-antropologjike, që e drejtuan në këto 100 vite krijimtari. “Një shekull vizatim japin idenë e një atmosfere të një arti të zhvilluar në një zonë lokale të artit botëror në përgjithësi, ku elemente specifike spikasin dhe të emocionojnë e disa të tjera të bëjnë të anashkalosh vëmendjen, por gjithmonë t’i respektosh në arsye të zhvillimeve historike”, thotë ajo. Vizatimi shqiptar nuk nis nga asnjë shkollë, pasi Kolë Idromeno ishte autodidakt e me pak shkollë. Por shkollat dhe tendencat e tjera artistike do të ndiheshin në vizatimin shqiptar përgjatë viteve në vazhdim, çka mund të shihet dhe në shumë punë të kësaj ekspozite. “Çdo dhjetëvjeçar ka karakteristikat e veta të pakta, të cilat ndihen në këtë ekspozitë”, thotë Varvarica. Teksa është marrë kaq shumë me historinë e vizatimit shqiptar, ajo e ka të vështirë të veçojë një vizatim si më të dashurin.

“Asnjë dhe të gjithë, madje dhe Idromeno, që spikat me veprën e tij të parë si shumë naiv në ekzekutim, por shumë historik me temën që sjell”, thotë ajo. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datë 5 janar 2015.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button