Te ndryshme

Shkencëtari racist nxjerr “Nobelin” për shitje

James Watson, i njohur për shumë persona si ‘babai i ADN-së’, për shkak të zbulimeve të tij shkencore, ka lajmëruar nxjerrjen në ankand të çmimit të tij “Nobel” për një vlerë 2.5 milionë. Përse do të ndahet me çmimin e tij prestigjioz tani, pas 50 vjetësh qëkurse e fitoi? Mbi të gjitha, asnjë fitues i gjallë i çmimit nuk e ka shitur ndonjëherë atë.

shkencetari-racist-1Watson ka thënë disa gjëra raciste në vitin 2007 dhe publikimi i këtyre komenteve pati një ndikim në të ardhurat e tij. Në atë që duket si gjesti më agresiv i të gjitha kohërave, Watson po e shet çmimin e tij me synimin që të bëjë ca para dhe me shpresën që të financojë blerjet e disa veprave të reja arti.

Por Watsoni 86-vjeçar, i cili i tha “Financial Times” se do të bëhej një ‘person ordiner’ pas deklaratave të 2007-s, nuk po merr shumë simpati. Madje, shitja e shumëreklamuar po merr komente negative që kërkojnë që ai të largohet nga akademia.

Watson është në vetvete një shkencëtar shumë i mirë dhe bota duhet ta falënderojë atë për shumë gjëra. Së bashku me Francis Crick, Watson zbuloi strukturën e ADN-së, elementit që formon natyrën tonë njerëzore në vitin 1953.

Ndërsa zbulimi do të ishte i pamundur pa punën e një gruaje të quajtur Rosalind Franklin, e cila vdiq një vit para zbulimit përfundimtar, duke u bërë kështu shumë pak e njohur dhe duke i dhënë mundësinë Watson-it dhe Crick-ut të merrnin shumicën e vlerësimeve për punën në sy të historisë.

Por, pavarësisht se ‘nëna e ADN-së’ lihet shpesh pas dore, Watson është një nga ‘baballarët’ më të njohur të zbulimit. Çmimi i tij “Nobel” ishte plotësisht i merituar.

Por shkencëtarët e mëdhenj nuk janë shpesh njerëz të mëdhenj. Në një intervistë në vitin 2007, për “Sunday Times”, Watson shprehu besimin se disa raca janë biologjikisht më pak inteligjente se të tjerat.

Ai nuk ishte shumë i sigurt për inteligjencën e njerëzve në Afrikë, që sipas tij ishte e zymtë edhe prej faktit se deri më tani kemi marrë për të mirëqenë se ata janë njëlloj inteligjentë si pjesa tjetër. Ai luajti avokatin e djallit, duke u shprehur se shpresonte që kushdo të ishte vërtet i barabartë, por, sipas tij, punëdhënësit e njerëzve me ngjyrë nuk mendonin kështu.

Kjo nuk ishte tango e parë kontradiktore e Watson-it. Në vitin 2000, ai bëri një lidhje mes ngjyrës së lëkurës dhe seksualitetit gjatë një leksioni. “Kjo është arsyeja përse keni të dashur latinë”, raportohet të ketë thënë Watson. “Ne nuk kemi dëgjuar kurrë për një të dashur anglez, vetëm për një pacient anglez.”

Pra, Watson duhet të jetë penduar për deklaratat e tij raciste. Në të vërtetë, jo. Ai po tregon se është mbreti i moskërkimit të faljes.

Në një përpjekje për të kërkuar falje, ai tha: “Kërkoj falje që gazetari shkroi atë që më shqetësoi, se njerëzit në Afrikë kanë inteligjencë më të ulët, nuk mund t’i thuash këto gjëra”.

Ankandi i Watson-it do t’i mundësojë atij blerjen e pikturës së David Hockney, të cilës ia ka vënë syrin prej kohësh – duke qenë se çmimet janë shumë interesante për koleksionistët dhe çmimi “Nobel” është një nga më të lakmuarit.

Por për ata që nuk kanë 2.5 milionë dollarë për të pasuruar xhepat e Watson, është një kujtues i mirë se shkencëtarët nuk duhet të ngrihen në piedestal: ata janë njerëz. Ndonjëherë mund të jenë shumë të hatashëm, por ndonjëherë ata nuk bëjnë gjëra edhe aq të pranueshme.

“Askush nuk do ta pranojë në të vërtetë se unë ekzistoj”, thotë Watson. Por e vërteta nuk është kjo, askush nuk është i interesuar në pikëpamjet e tij raciste dhe seksiste. Pavarësisht gjithçkaje, Watson mbetet babai i zbulimit më të rëndësishëm të shekullit të 20 dhe çmimi që ai ka nxjerrë në ankand, do t’i sigurojë disa të ardhura shumë të mira.

I. D.

*Burimi: Washington Post

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button